Mashtrimi 1 vjeçar për vizat

Nëse premtimet e liderëve të Evropës, zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të gjithë lidershipit kosovar do të realizoheshin, tash e disa muaj, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin lirshëm nëpër zonën Shëngen.

Me temën e shënjimit të kufirit me fqinjët malazezë, kosovarët ishin përballuar rreth 2 mijë ditë.

1960 ditë në total ishin shpenzuar në këtë temë, që prej nisjes së takimeve të para të komisionit shtetëror për shënimin e vijës kufitare.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të dyja shteteve, debati pastaj nga ai shkencor, kaloi në atë politik.

Pozita dhe opozita debatuan për më gati 3 vite, ku njëra palë pretendonte se është humbur territor, e tjera jo.

Kjo marrëveshje u miratua në Kuvend të Kosovës, veç pas ardhjes në pushtet të kundërshtarit të saj më të madh dikur.

Ramush Haradinaj dhe partia e tij, që e nisën të parët kundërshtimin e kësaj marrëveshje, sa ishin në opozitë, i mblodhën votat për ta ratifikuar kur erdhën në pushtet.

“Sebep” ishte bërë një marrëveshje në mes të presidentëve, të Kosovës dhe të Malit të Zi, ku në mes tjerash thuhej se pas ratifikimit, palët mund të bëjnë korrigjim të vijave kufitare për të cilat ka dyshime.

Kjo asnjëherë nuk ndodhi, ndonëse sot janë bërë 1 vit prej marrjes së vendimit.

Madje sot, kur janë bërë 1 vit prej miratimit të demarkacionit, ministri i jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq tha në Prishtinë, se nuk asnjë pikë kontestuese mes palëve.

“Nuk ka pika kontestuese. Kjo është kryer”, tha shkurtimisht ministri i jashtëm i Malit të Zi në konferencën e përbashkët me homologun e tij kosovar, Behgjet Pacolli.

Ramush Haradinaj, në ditën e tij të parë si kryeministër, kishte shkarkuar Murat Mehën që kishte përgatitur pikat kufitare me Malin e Zi si kryetar i komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Kufiri i Murat Mehës” apo “pederit”, qysh e kishte quajtur Haradinaj, u jetësua në Kuvend nga votat e deputetëve të AAK-së.

Demarkacioni, kushti i ‘çuditshëm’ i vizave

Çuditërisht, kjo çështje ishte bërë pengesë e shumë zhvillimeve në politikën kosovare dhe integrimin e saj.

Demarkacioni ishte bërë njëri prej kushteve kryesore për liberalizim të vizave, derisa në fund mbeti edhe kushti i vetëm.

Lidershipi kosovar, liderët evropianë, përfaqësuesit e shteteve mike, zyrtarët më të lartë të BE-së, të gjithë që vinin në Kosovë por edhe nga vendet e tyre në mënyrë të vazhdueshme kishin përsëritur që kur Kuvendi do ta ratifikoj këtë marrëveshje, liberalizimi i vizave do të ishte çështjeve javës apo muajsh.

Vet përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini gjatë vizitës së saj në Kosovë por edhe në deklarata të tjera publike e kishte thënë të njëjtën, Kosova do të merrte liberalizimin e vizave pas miratimit të demarkacionit.

Mogherini gjatë konferencës | Foto: Atdhe Mulla

“Lajme të mira nga Prishtina. Me ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, Kosova vazhdon drejt lëvizjes së lirë për qytetarët në Bashkimin Evropian”, kishte shkruar në Twitter Mogheini 40 minuta pasi që deputetët kishin votuar për ta ratifikuar marrëveshjen.

Megjithëse nuk është vetëm Mogherini, ajo që kishte deklaruar se vizat do të liberalizohen për kosovarët pasi t’i jepet fund demarkacionit. Si ajo kishin deklaruar edhe me dhejtëra zyrtarë tjerë që kishin vizituar Kosovën.

Vizat nuk janë liberalizuar ende për kosovarët, ndonëse marrëveshja ishte miratuar.

Historiku i Demarkacionit

Marrëveshja ishte nënshkruar nga dora e ministrit të atëhershme të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, tani president, më 26 gusht 2015, në kryeqytetin e Austrisë.

Përveç Thaçit, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes prezentë kanë qenë edhe ish-kryeministri Mustafa dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.

Kjo marrëveshje që ishte nënshkruar vetëm një ditë pas marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, u bënë dy nga temat kryesore të të gjithë mandatit të kaluar qeverisës e legjislativ.

Partitë opozitare të asaj kohe, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma krijuan një bosh opozitarë duke kundërshtuar ashpër këto dy marrëveshje ndërkombëtare.

Përveç opozitare, mbështetje kundërshtimeve të tyre u kishin dhënë edhe disa deputetë të pushtetit, e më i zëshmi nga ta, tani kryetar i komisionit shtetëror për caktim të kufijve shtetëror, Shpejtim Bulliqi.

Ishin mbajtur me dhjetëra protesta e aksione të partive opozitare. Ishin mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve.

Albin Kurti – Foto: Atdhe Mulla

Deputetë të Kuvendit të Kosovës ishin arrestuar, kryeministri ishte sulmuar, deputetët ishin ofenduar mes vete, mirëpo skena më e përsëritur në të gjithë këtë histori politike është hedhja e gazit lotsjellës.

Një pjesë e madhe e deputetëve të opozitës së asaj kohe ishin arrestuar dhe tërhequr zvarrë nga Policia e Kosovës për shkak të këtyre veprimeve, që njëra palë i quante politike, e tjera penale.

Shumë prej seancave të Kuvendit të Kosovës nuk kishin arritur të mbahen për shkak të hedhjes së gazit, ndërsa shumë tjera ishin mbajtur nën tymin e gazit apo në salla tjera alternative e jo në atë plenare.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte sulmuar me armë të rënda dhe ishte cilësuar si sulm terrorist. Në lidhje me këtë rast ishin arrestuar 6 aktivistë të VV. Njëri nga ta, Astrit Dehari ka vdekur në mënyrë misterioze në burgun e Prizrenit ku ishte duke u mbajtur në paraburgim.

Ky rast ende është duke u trajtuar.

Të tjerët ishin dënuar në shkallë të parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pastaj apeli e ka kthyer në rigjykim rastin e tyre.

Pak para se demarkacionit të shkoj në Kuvend për miratim, Donika Kadaj Bujupi që kishte folur me vite për humbje territori për shkak të kësaj marrëveshje, kaloi në partinë e saj të parë. Nga Vetëvendosje ajo kaloi në AAK, meqë rast edhe u bë vota e 80 e demarkacionit, aq sa duheshin për ta mbyllur ciklin gati 2 mijë ditor të diskutimeve për demarkacionin.

Në fund, Demarkacioni me Malin e Zi ishte votuar më 21 mars të vitit të kaluar me 80 vota pro, të deputetëve të LDK-së, PDK-së, AAK-së e Nismës, por jo edhe të Vetëvendosjes e PSD-së.