MAShT ende s’ka filluar procedurat për zëvendësimin e anëtarit të dorëhequr nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë

Nga nëntë anëtarë sa kishte, Këshilli Shtetëror i cilësisë, përgjegjës për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, tani ka tetë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), nuk ka dhënë afat kohor se kur pritet të bëhet publikimi i ftesës publike, për nominimin e anëtarit të ri të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), i cili do të zëvendësojë ish-anëtarin, Xhavit Rexhaj.

Sipas Udhëzimit Administrativ, për Kriteret dhe Procedurat e Emërimit të Anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në Nenin 5, i cili flet për Propozimet për anëtarë të KShC-së, pika 1, thuhet se “MAShT publikon ftesën publike për nominimin e anëtarëve të KShC”.

Mirëpo, në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, ende nuk është publikuar një thirrje e tillë, e cila do të hapte rrugë për zgjedhjen e një anëtari të ri në KShC, i cili do të kompletonte këtë bord.

Ky këshill aktualisht është i përbërë prej tetë anëtarëve, nga të cilët pesë janë vendorë dhe tre ndërkombëtarë.

Këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Valmir Gashi ka thënë për KALLXO.com se do të ndërmerren hapat e nevojshëm për zëvendësimin e ish-anëtarit të KShC-së.

Mirëpo sipas tij, Këshilli vazhdon të jetë funksional edhe pa zëvendësimin e tij.

“Konform procedurave dhe legjislacionit në fuqi, MAShT do të ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm për zëvendësimin e anëtarit të KSHC-së. Gjithsesi edhe përkundër kësaj, Këshilli është funksional.”, ka thënë Gashi.

Me 6 maj të këtij viti, ish-anëtari i bordit të KShC-së, Xhavit Rexhaj, i kishte dorëzuar letrën e dorëheqjes ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në të cilën kishte sqaruar arsyet e kësaj dorëheqje.

Profesori Rexhaj, kishte thënë për KALLXO.com se njëra nga arsyet e këtij vendimi, kishte të bënte me publikimin e një deklarate në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook.

Në këtë publikim, ai e kishte cilësuar partinë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si partia më e mirë në Kosovë dhe në rajon.

“Kam dhënë dorëheqje para dy javësh. Janë disa arsye por njëra ka qenë puna për një postim në Facebook për LDK-në dhe kam dërguar pyetje në Agjencinë Kundër Korrupsion, dhe mandej më kanë thënë që nuk bën edhe angazhim politik dhe kam vendosur që mos të vazhdojë me agjencinë”, kishte thënë Rexhaj më 23 maj.

Profesori Xhavit Rexhaj Foto: Facebook

Mirëpo sipas tij, kjo nuk kishte qenë arsyeja e vetme që e kishte shtyrë ta linte postin e anëtarit të KShC-së në Agjencionin e Kosovës për Akreditim (AKA).

“Kam pasur edhe pakënaqësi të tjera, mundem me thënë shkurt se puna e agjencisë ka qenë nën standardin tim. Kam menduar se mundet shumë më mirë me u bë, jam munduar me ndryshu por s’kam mujt”, kishte shtuar tutje profesori universitar.

Xhavit Rexhaj më 27 mars të këtij viti, kishte deklaruar se në LDK ka patriotizëm e vlera që nuk i kanë partitë tjera.

“Vizioni rugovian mund ta udhëheqë ende Kosovën. LDK ka pasuri e vlera të pakrahasueshme në vizionin rugovian. Duhet të krenohemi me të! Aty janë patriotizmi, vlerat civilizuese euro-perëndimore, maturia, lidershipi, përkushtimi, guximi, largpamësia, shteti, njerëzia … të gjitha janë aty!”, kishte thënë ai.

Rexhaj së bashku me anëtarët e tjerë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë(KShC), ishte emëruar në vitin 2018. Ai aktualisht është profesor në Kolegjin ‘AAB’.

Vendimi për emërimin e këtyre anëtarëve kishte ardhur gati pas një muaji, pas shkarkimit të bordit të vjetër, me kërkesën e kryeministrit, Ramush Haradinaj.