Martesat e Përziera në Trend

I lutej Zotit pesë herë në ditë, sipas detyrimeve të fesë islame. Prindërve të burrit shqiptar nga Kosova, u sillte çajin e kafenë, sa herë që nga Gjermania, vinte për dy ose tri javë pushime në Kosovë.

Për 15 vjet u mundua të respektojë dhe t’i përshtatej asaj që kosovarët e njohin si traditë – një nuseje shqiptare që punon, respekton familjen dhe nuk flet shumë.

Kjo ishte Hanumshah F., një turke e lindur në Turqi, por e rritur në Gjermani, e cila për më shumë se një dekade ishte e martuar me Astrit F., nga një fshat afër Istogut.

Disa muaj më parë, ky çift u nda, edhe pse kishin dy fëmijë së bashku.

Kështu, Hanumshah F., emri turk i së cilës në shqip do të thotë “Zonja Mbretëreshë”, mbeti pa familje – “mbretërinë” e saj.

Çifti jeton në Gjermani, por të afërmit e familjes në këtë fshat, vetëm dhjetë kilometra larg Istogut, i thanë Gazetës Jeta në Kosovë, se shkas për këtë ndarje, dyshohet të jenë prindërit e djalit.

“Ata janë shumë të vështirë, sidomos nëna e djalit. Gjithmonë i fliste të birit sa herë që vinte në Kosovë, se duhej të martohej me një shqiptare”, thotë nja nga fqinjët e kësaj familjeje.

“Ajo e ka ndarë edhe djalin e vogël nga nusja e parë, edhe pse ishte shqiptare. Nuk i pëlqente. Jemi çuditë krejt fshati se si martesa e djalit të madh me turken, ka zgjatë aq shumë”, thotë fqinja e tyre.

Por, shkurorëzimi i kësaj martese, nuk evidentohet në të dhënat përkatëse të institucioneve të Kosovës, edhe pse Astrit F., është i lindur dhe i rritur në Kosovë.

Ai ka marrë nënshtetësinë gjermane vite më parë dhe divorci i tij me gruan e përkatësisë etnike turke, nuk bën pjesë në 31 rastet e tilla që kanë ndodhur gjatë vitit 2010.

Enti i Statistikave të Kosovës, një prej institucioneve që publikon shumë shifra zyrtare, si për lindjet, vdekjet, çmimet e ndryshme të artikujve ushqimorë, eksportet apo importet, edhe pse në mënyrë sipërfaqësore, evidenton kurorëzimet dhe shkurorëzimet e çifteve me nënshtetësi të përzier, në të gjitha komunat e vendit.

Sa i përket martesave të përziera, sipas të dhënave për vitin 2010, në nivel vendi, nga 18 mijë e 289 kurorëzime, 684 prej tyre ishin ndërmjet shtetasve të Kosovës me nënshtetas të huaj.

Më 2009, sipas statistikave të ESK-së, kishte 769 raste të kurorëzimeve me “elementë të huaj”. Ndërsa statistikat për këtë vit ende nuk janë përfundimtare, por në Zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës thonë se duket se ka një rënie të lehtë të këtyre martesave.

E para nga komunat që prin për nga martesat e përziera është ajo e Prishtinës me 183 raste, pasuar nga ajo e Dragashit, me gjithsej 108 raste, Prizreni me 57, Skenderaj me 34, Peja me 39, Podujeva me 31 të tilla e kështu me radhë.

Foto ilustrim: Flickr

Por, sipas ofiqarëve komunalë, të cilët bëjnë edhe celebrimin e këtyre martesave, ky numër nuk mund të jetë tërësisht real, së paku për një arsye.

Këto kurorëzime zyrtarisht llogariten si martesa të përziera, por në fakt në pjesën dërmuese të rasteve, ato bëhen ndërmjet një shtetasi të Kosovës që ka fituar nënshtetësinë e ndonjë vendi të Evropës perëndimore dhe një qytetari që aktualisht jeton në Kosovë.

Shefqet Bucaj, shef i Zyrës së Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës, tregon se nga 183 martesa të tilla, 15 raste janë kur shtetasit e huaj (meshkuj), si amerikanë, gjermanë apo anglezë, janë martuar me femra, shtetase të Kosovës.

“Por ka edhe femra të huaja si amerikane, angleze apo gjermane, që janë martuar me meshkuj kosovarë. Gjatë vitit 2010 kemi pasur 17 raste”, i tha Bucaj, Gazetës Jeta në Kosovë, duke sqaruar se të dhënat për vitin 2011, ende nuk janë kompletuar.

Numri më i madh i martesave që zyrtarët komunalë e njohin me termin “me elementë të jashtëm”, vazhdojnë të mbesin ato ndërmjet kosovarëve që jetojnë jashtë vendit dhe kanë nënshtetësi të huaj, me ata që janë brenda shtetit.

Gjatë vitit të kaluar, në komunën e Prishtinës, nga 183 martesa “të përziera”, në 72 raste janë meshkujt kosovarë që kanë fituar nënshtetësi të huaj, e të cilët kanë martuar femra që jetonin në Kosovë, dhe anasjelltas janë 79 raste të tjera.

“Për nga numri i kurorëzimeve me të huaj, në komunën e Prishtinës, vendin e parë e zënë amerikanët, pastaj anglezët, gjermanët dhe pasohen nga shtetas të vendeve të tjera”, saktëson Bucaj.

Në fakt, martesa e tilla të përziera kanë ndodhur gjithmonë në Kosovë, por ato kryesisht ishin ndërmjet popujve të ish-Jugosllavisë.

“Më parë, këto martesa ishin të prira të bëheshin në kuadër të shtetit të vjetër të Jugosllavisë. Ato zakonisht përfshinin kosovarë që martoheshin edhe me serbe – që shihej si komuniteti më i fuqishëm etnik në ish-Jugosllavi”, thotë Anton K. Berishaj, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës..

Me fillimin e luftërave në vitet e 90-ta, në këtë shtet tashmë të shpërbërë, pati një valë emigrimesh të shqiptarëve, si në Gjermani, Zvicër e vende të tjera Evropës Perëndimore. Pashmangshëm, në këtë periudhë ka pasur edhe shtim të “martesave të përziera”.

Ndërsa pas përfundimit të luftës në Kosovë, këtu u vendosen misione ndërkombëtare, siç janë UNMIK, ambasadat e shteteve të huaja, por edhe qindra organizata joqeveritare, duke e shtuar kështu mundësinë e martesave dhe bashkëjetesave të përziera. Madje edhe një kryeadministrator, gjermani Michael Steiner, kur e kishte përfunduar misionin ishte kthyer në vendin e tij me një bashkëshorte shqiptare. Fatkeqësisht, martesa nuk ka zgjatur shumë.

Trendi i këtyre kurorëzimeve, vazhdoi edhe pas vitit 2008, kohë kur vendi shpalli pavarësinë nga Serbia dhe misioni i UNMIK-ut, u zëvendësua me atë të Bashkimit Evropian (EULEX).

Dukuria e martesave të përziera, natyrisht ishte më e shprehur në qytete më të mëdha, ku prania ndërkombëtare ishte më e lartë, siç është edhe Ferizaj.

Në këtë komunë, sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2009, kanë ndodhur 22 kurorëzime, prej të cilave në 8 raste janë femra shqiptare të Kosovës, të martuara me meshkuj të nacionaliteteve të ndryshme.

Prej tyre, 6 janë martuar me shtetas amerikanë, një ka lidhur kurorë me një gjerman, ndërsa njëra me një turk.

Sa i përket meshkujve, nga këto kurorëzime me persona të nacionaliteteve të tjera, del se nga 14 raste të tilla, 5 ferizajas janë martuar me gjermane, kurse një tjetër edhe me filipinase.

Por jo gjithmonë, këto lidhje vazhdojnë përgjithmonë. Në disa raste, ato përfundojnë edhe në fatkeqësi.

Në javën e parë të nëntorit, një shtetase e huaj, është gjetur e vdekur në orët e hershme të mëngjesit, në një rrugë të Prishtinës, për të cilën policia dyshon se ka kryer vetëvrasje.

Sipas organeve të rendit, gruaja ishte e moshës rreth 27-vjeçare, ndërkohë që trupi i saj është gjetur në rrugën “UÇK”, tek kompleksi “Qafa” në Kryeqytet.

“Viktima kishte jetuar në katin e tretë të një banese, prej nga dyshohet se është gjuajtur”, ka thënë Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Për të ndjerën besohet se kishte qenë në një lidhje me një kosovar.

Megjithëkëtë, raste të tilla janë më të pakta, së paku duke u bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës së Kosovës, që për vitin 2010, në shkallë vendi, ka regjistruar vetëm 31 divorce të çifteve me nënshtetësi të ndryshme.

Komunat që prijnë me numrin më të madh të çifteve të përziera e të cilët janë divorcuar janë Fushë-Kosova me 8 raste, Leposaviqi me 4, Deçani 3 e shumica e të tjerave me nga asnjë rast.