"Martesa" Selektohet për Paris Projects

Filmi i ardhshëm i metrazhit të gjatë i Blerta Zeqirit ka hyrë në mesin e 17 projekteve për film të gjatë që do të kërkojnë producentë francezë përmes Paris Projects që do të ndodhë prej 20 qershorit deri më 3 korrik në Paris. Në mesin e 17 fituesve ka edhe fitues të mëparshëm të Kanës dhe Berlinit.

Zeiqiri thotë se selektimi i filmit të saj në këtë projekt është i rëndësishëm për arsye se shumica e projekteve janë të regjisorëve me nam në botë dhe fitues të festivaleve të Kanës dhe Berlinit.

Ajo thotë që ka shumë gjasa që projekti të bindë producentë të investojnë në projekt. 

“Mendoj se gjasat janë të mëdha që të gjejmë bashkëprodhues në Francë, mirëpo nuk mund të flas asgjë me siguri. Një gjë është e sigurt se ne do të bëjmë maksimumin që t’u tregojmë producentëve se ia vlen të investohet në projektin tonë”, thotë Zeqiri. 

“Ky selektim është i pari selektim zyrtar që i është bërë projektit dhe kjo na shtyn ne besojmë se jemi në rrugë të drejtë dhe se puna e investimi i madh që është bërë ka filluar të na shpërblehet”, thotë ajo. 

Lajmërimi i listës së filmave të zgjedhur u bë këtë javë në Festivalin e Kanës nga Festivali Paris Cinema. Këtë vit për Paris Project kishin konkurruar 400 regjisorë nga e mbarë bota me projektet e tyre të ardhshme.

“Kemi pranuar 400 projekte, 30 për qind më shumë se vitin e kaluar… kemi tentuar ta arrijmë një baraspeshë në mes filmbërësve të njohur dhe talenteve të reja”, ka deklaruar Vanja Kalidjercic, kryesuesja e Paris Projects.

Forumi për bashkëprodhime, që ndodh gjatë Festivalit Paris Cinema ka për qëllim të bashkojë filmbërësit botërorë me producentët dhe distributorët francezë.

Filmi i ardhshëm i metrazhit të gjatë i fitueses kosovare të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, Sundance Film Festival, do të quhet “Martesa” dhe flet për një trekëndësh në mes dy shokëve dhe të fejuarës së njërit prej tyre. Treshen e filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës do ta luajnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu.