Marrëveshja për zëvendësim të orëve, vështirë e realizueshme

Vetëm pak shkolla të Kosovës kanë bërë përpjekje për ta respektuar vendimin e marrë muaj më parë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe drejtorive komunale për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës në arsim.

Sipas ekspertëve të arsimit moszëvendësimi i orëve është për shkak të ‘arrogancës’ së Sindikatës së Arsimit (SBAShK-ut), derisa kjo e fundit thotë se mësimdhënësit janë duke qëndruar besnik ndaj premtimeve të tyre.

Një muaj pas arritjes së marrëveshjes në mes të MAShT dhe Komunave, Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar disa nga komunat për të kuptuar se çfarë forma kanë gjetur për zëvendësimin e orëve.

Pothuajse të gjitha komunat kanë marrë vendim që ato të kompensohen ditëve të shtune dhe të zgjatet në fund vitit shkollor, përveç Prishtinës e cila ka vendosur që vendimi të realizohet përmes mbajtjes së orës së shtatë.

Komuna e parë që kishte marrë vendim për formën e kompensimit të orëve ishte Obliqi. Kjo komunë kishte marrë vendim me 19 prill që ato të kompensohen të shtuneve dhe poashtu në ditët e festave zyrtare.

Pas Obiliqit edhe Komuna e Prishtinës e ajo e Prizrenit kanë vendosur për formën e kompensimit.

Prishtina në veçanti prej të tjerave kishte marrë vendim që orët të zëvendësohen duke u mbajtur ora e shtatë, ndërsa Prizreni në bazë të vendimit të MAShT-it, pra të shtuneve dhe në fund të zgjatet vitit shkollor.

As rajoni i Dukagjinit nuk e ka lënë anash vendimin për zëvendësimin e orëve.

Edhe Peja dhe Deçani kanë marrë vendim që ato të kompensohen në fund të vitit shkollor, por se ato e kanë të vështirë t’i bindin mësimdhënësit.

Komunat e tjera që kanë vendosur është  Drenasi dhe Fushë Kosova, duke marrë parasysh vendimin e Ministrisë së Arsimit që ato të zëvendësohen ditëve të shtune.

Ndërsa, Komuna e Hanit të Elezit ka vendosur që atë ta bëjë përmes mbajtjes së mësimit në ditën e shtunë dhe ta shtyjë një javë vitin shkollor.

Derisa disa komuna kanë gjetur forma për zëvendësimin e orëve të grevës, disa të tjera e kanë pasur të vështirë që të marrin një vendim për shkak të mosdakordimit mes mësimdhënësve dhe SBAShK-ut.

Njëra ndër to është Komuna e Gjilanit, Podujevës, Rahovecit, Gjakovës e Vushtrrisë.

Gazeta Jeta në Kosovë poashtu ka kontaktuar edhe komunat e tjera por se ato nuk kanë qenë të qasshme.

Ndërsa, kryetari i kolegjiumit të drejtorëve komunalë të arsimit, Besim Avdimetaj, tha se nuk kanë ndonjë raport se në sa shkolla është mbajtur mësimi plotësues deri më tani.

“Unë nuk kam ndonjë raport në nivel komunal që tregojnë saktësisht se sa orë janë mbajtur dhe në cilat shkolla”, tha Avdimetaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kurse në lidhje me këtë çështje, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë, Rrahman Jasharaj, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se pavarësisht vendimeve të Drejtorive Komunale të Arsimit, mësimdhënësit janë besnik ndaj Sindikatës.

“Mësimdhënësit janë duke i qëndruar besnik zërit të tyre të shprehur nga përfaqësuesit e tyre në Këshillin Drejtues të SBASHK. Unë dhe kryesia jemi të obliguar të respektojmë zërin e anëtarësisë dhe këtë e kemi bërë dhe do ta bëjmë gjithmonë”, tha Jasharaj.

Qehaja: Mos zëvendësimi i orëve për shkak të qasjes arrogante të SBAShK-ut

Rinor Qehaja nga ‘Instituti EdGuard’ vlerëson se Sindikata e mësimdhënësve është treguar e ashpër ndaj opsioneve për kompensimin e orëve të grevës.

“Stërzgjatja e problemit të zëvendësimit të orëve tregon shumë për neglizhencën e palëve për të zgjidhur çështjen, në veçanti për një qasje shumë arrogante të SBASHK karshi opsioneve të ofruara dhe një qëllim jo të sinqertë për të tejkaluar problemin”, thotë Qehaja për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai shtoi se nëse zëvendësimi i orëve në të kaluarën nuk ka qenë asnjëherë problem si tani, atëherë kjo sipas tij shumë lehtë mund të perceptohet si diçka me konotacion politik.

“Zëvendësimi i orëve për këtë vit mësimor duket jo i arritshëm, me të vetmen shpresë që eventualisht janë zhvilluar denjësisht planet mësimore në fondin aktual të orëve. Situata si kjo na rikujton domosdoshmërinë e rishikimit të ligjit për greva, në veçanti për profesione, si kjo e mësimdhënësve, ashtu sikurse është e rregulluar në shumë vende perëndimore”, thotë eksperti i arsimit.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur më 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lërë në duar drejtorive komunale të Arsimit.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve – e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund t`i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Greva tre javëshe e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë janarit në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.