UN Chair for Kosovo-01

‘Marrëveshja Finale’ nuk garanton anëtarësim të Kosovës në OKB

Nocioni që Kosova do ta sigurojë ulësen në OKB në rast se arrihet një marrëveshje me Serbinë është i pasaktë, me pak shpjegime të ofruara se si të kapërcehen vetot e mundshme nga Rusia dhe Kina.

Që nga vera e vitit 2018, është krijuar supozimi se marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po fillon të marrë formë. Avancimi drejt kësaj marrëveshjeje po udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), si rezultat i dështimit të BE-së për të finalizuar një marrëveshje midis dy vendeve, ShBA-të tani janë duke u bërë presion Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje që do t`i jepte zgjidhje paqes së brishtë në mes dy vendeve.

Presidenti Trump ka bërë një veprim të befasishëm, duke ju dërguar letra personale presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, me kërkesën që të arrijnë një kompromis dhe mundësinë e një ftese të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë.

“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike do të ishte një kthim tragjik prapa, pasi një mundësi tjetër për një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk ka gjasa të ndodhë përsëri në një të ardhme të afërt”, i tha Trump presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në letrën e dërguar.

Qytetarëve të Kosovës po u proklamohet se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë një kompromis (p.sh. korrigjimi i kufirit), dhe në kthim, Kosova do të përfitojë njohje nga Serbia, si dhe anëtarësimin në OKB, duke i dhënë fund kësaj problematike një herë e përgjithmonë.

Ideja e ndryshimit të kufirit në shikim të parë duket e thjeshtë dhe lehtësisht e zbatueshme. Kosova do të hiqte dorë nga një pjesë e territorit të saj verior, i cili është kryesisht i populluar nga serbët, në këmbim të bashkimit të Luginës së Preshevës, e cila është kryesisht e populluar nga shqiptarët.

Për më tepër, po paraqitet një ndjesi e emergjencës: Se një marrëveshje duhet të arrihet përndryshe një katastrofë e madhe na pret në Kosovë.

Retorika e Thaçit potencon këtë ndjesi të emergjencës që shoqëron bisedimet përfundimtare.

“Nëse nuk arrijmë marrëveshjen përfundimtare këtë vit, ne do të hyjmë në një zonë të rrezikshme”, tha ai (Presidenti Hashim Thaçi) në muajin shkurt.

Megjithatë, e ashtuquajtura “marrëveshje” duket amorfe dhe nuk ka asgjë në letër deri më tani.

Fraza dhe terma të paqarta janë duke qarkulluar në ajër, duke hutuar mendjet e njerëzve dhe instaluar frikë dhe pasiguri mes tyre.

Ndërkohë, politika, media, shoqëria civile dhe qytetarët në përgjithësi po bëhen gjithnjë e më shumë të polarizuar dhe të zhurmshëm, duke shprehur qëndrime të forta për ose kundër një marrëveshjeje të mundshme që do të përfshinte ndryshimin e kufijve aktualë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi është fokusuar intensivisht në arritjen e një marrëveshje në mënyrë që ta kompletojë trashëgiminë e tij politike përderisa është ende në pushtet.

Thaçi, eksponenti më i madh i “korrigjimit të kufirit”, vazhdon të përdorë fraza tautologjike në mënyrë të vazhdueshme gjatë dy muajve të fundit. Dëgjimi i intervistave të Thaçit është sikur të dëgjosh një radio të prishur, pa argument, thjesht përsëritje të pafundme të sloganeve politike.

Ai mendon për arritjen e një marrëveshje – korrigjimin e kufirit, por kurrë për pasojat që mund të sjellë ajo.

Ideja e ndryshimit të kufirit është temë që nuk gëzon mbështetje në Kosovë. Një sondazh i fundit i botuar nga Instituti i Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) tregon se afërsisht 60 përqind e kosovarëve janë kundër ndryshimit të kufirit edhe nëse kjo do të thotë njohje nga Serbia dhe anëtarësim në OKB.

Anëtarësimi në OKB nuk është i garantuar

Edhe pse statuti i OKB-së tregon fare qartë se OKB është “e hapur për të gjitha shtetet paqedashëse”, janë shtetet anëtare të cilat vendosin nëse një shtet duhet të pranohet apo jo.

Hipotetikisht, nëse Kosova arrin marrëveshje me Serbinë, hapi i parë që Kosova do të ndërmarrë është të aplikojë për anëtarësim.

Hapi tjetër është shqyrtimi i kërkesës nga Këshilli i Sigurisë i OKB-së. Për të kaluar fazën e parë, Kosovës i duhen të paktën nëntë nga 15 vota.

Sfida më e madhe këtu do të ishte shmangia e vetos nga dy anëtarë të përhershëm të OKB-së, Kina dhe Federata Ruse.

Nëse Kosova arrin të marrë rekomandimin nga Këshilli i Sigurisë dhe vazhdon tutje në Asamblenë e Përgjithshme, Kosova do të ketë nevojë për dy të tretat e shumicës së kërkuar, ose 127 nga 193 shtetet anëtare për t`u pranuar përfundimisht.

Është e vërtetë se një marrëveshje e mirë përfundimtare me Serbinë do të pakësonte barrierat për Kosovën dhe do të ofronte mundësinë për të fituar më shumë njohje dhe legjitimitet shtetëror. Mirëpo, jo çdo marrëveshje domosdoshmërisht përkthehet në anëtarësim të Kosovës në OKB.

Saga e vazhdueshme e liberalizimit të vizave ka treguar se si problemet e brendshme mund të ndikojë negativisht në organizatat ndërkombëtare, madje edhe midis shteteve të ashtuquajtura miqësore. Prezantimi i arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë si një mjet automatik për anëtarësim në OKB është realisht mashtrues.

Afati kohor për të arritur një marrëveshje të tillë është po aq ambicioz. Ndërsa Greqia dhe Maqedonia e Veriut zgjidhën mosmarrëveshjen e tyre 27 vjeçare për emrin që daton nga antikiteti.

Situata e Kosovës dhe e Serbisë dallon në mënyrë substanciale. Dy dekada pas luftës, rreth 1,600.00 njerëz mbeten të zhdukur, me Serbinë që nuk ka kërkuar ndjesë dhe nuk ka treguar empati për tragjeditë që kanë ndodhur në luftën e Kosovës.

Situata gjeopolitike ka lëvizur ndjeshëm që nga lufta e Kosovës. SHBA-ja e vitit 1999 nuk është SHBA-ja e vitit 2019. Ndërkohë që SHBA-të mbesin një superfuqi, bota po lëviz ngadalë nga unipolariteti në multipolaritet.

Kombet që janë duke u fuqizuar nuk i përkasin Perëndimit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht vlerat demokratike liberale.

Kombet si Kina janë duke u rritur ushtarakisht dhe ekonomikisht me një shpejtësi të madhe, ngritje kjo e cila manifestohet me fuqi politike. Lufta e vazhdueshme tregtare midis SHBA-së dhe Kinës mund të përkeqësojë shanset e Kosovës për të fituar anëtarësimin në OKB, meqë Kina mund ta shfrytëzojë Kosovën si një shfaqje force ndaj rivalëve të tyre amerikanë. Ndonjëherë këto përplasje bëhen çështje e krenarisë kombëtare dhe nëse nuk ka një konsensus të qartë apo diçka që i ofrohet Kinës, ata mund të refuzojnë fare lehtë çdo mundësi të anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Për Rusinë, fati i Kosovës është në dukje një situatë e favorshme. Një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund t’i lejojë Presidentit Putin të përdorë veton si levë për të rihapur interesat tjera gjeopolitike të Moskës në Krime, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Nga ana tjetër, dështimi i arritjes së marrëveshjes do të thotë se Putin do të vazhdojë të mbajë një marrëdhënie të ngushtë me Serbinë, e cila vazhdimisht ka dëshmuar se mbetet miku më i mirë i Rusisë në Ballkan. Përveç lidhjeve kulturore, Putin shpeshherë ka vizituar Serbinë dhe e ka furnizuar atë me armatim ushtarak.

Edhe pse vazhdon të proklamohet se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë do të hapte rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në OKB, nuk ka sinjale nga Kina apo Rusia lidhur me këtë. Më e rëndësishmja, nuk ka alternativë të propozuar ose shpjegim se si të tejkalohet kjo sfidë.

Visar Xhambazi është hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike  (PIPS). Ai ka mbaruar studimet Master në studime ndërkombëtare në Old Dominion University në Virxhinia, Amerikë, me specializim në politikën e jashtme Amerikane dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

02 Mars 2019 - 14:21

Visar Xhambazi 02/03/2019 - 14:21
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend