Maqedonia Lyp Ekstradimin e të Arrestuarve nga Kosova

Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë tha se pret t’i bëjë një kërkesë Kosovës për dy ose tre ditë për esktradimin e dy shqiptarëve të kërkuar për përfshirje në vrasjet e pesë maqedonasve.

“Tani po presim për gjykatën në Shkup të na japë dokumentet e rastit”, tha ministria në një deklaratë.

“Do t’i përkthejmë dhe do t’ia dërgojmë autoriteteve në Kosovë bashkë me kërkesën për ekstradim”, thuhet në dtë.

Të dielën, policia në Kosovë ndaloi Alil Demirin dhe Afrim Ismailovicin, dy shqiptarët e fundit të kërkuar në gjyqin për vrasjet afër kryeqytetit maqedonas në prill të vitit 2012.

Gjykata në Prishtinë ka dhënë urdhër që të arrestuarit të mbahen 30 ditë në paraburgim.

Ata paditen nga prokuroria në Maqedoni si autorë të drejtpërdrejtë të vrasjes së shumëfishtë në rastin e njohur në vend si “Monstrumi”.

Ndërkohë, gjyqi u mbajt të martën në mungesë së të kërkuarit Afrim Ismailovic dhe Alil Demirit, që janë mes gjashtë shqiptarëve të akuzuar.

Seanca u mbajt në dyer të mbyllura, sepse gjykata dëgjoi bisedat telefonike mes të pandehurve që u sollën nga prokuroria.

Trupat e Filip Slavkovskit, Aleksandar Nakjevskit, Cvetanco Acevski dhe Kire Trickovskit, të gjithë të moshave mes 18 dhe 20-vjeçare, u gjetën më 12 prill të vitit të shkuar.

Trupat u gjetën të vendosur në rresht dhe dukej se ishin ekzekutuar. Trupi i 45-vjeçarit Borce Stevkovski u gjet një distancë të shkurtër larg nga të tjerët.

Prokuroria në Maqedoni ka ngritur akuza për terrorizëm kundër gjashtë personave të dyshuar se kanë organizuar dhe kryer vrasjet. Sipas akuzave, grupi donte të provokonte tensione etnike.

Gjyqi filloi në Shkup në dhjetor, ndërsa dy të dyshuarit e sapoarrestuar ishin në arrati. Të pandehurit e tjerë, Agim Ismailovic, Fejzi Aziri, Rami Sejdi dhe Haki Aziri, kanë deklaruar se janë të pafajshëm.

Të katërt u ndaluan kur policia arrestoi 20 myslimanë të dyshuar radikalë në një operacion, në maj të vitit të kaluar, në disa fshatra rreth kryeqytetit.

Edhe pse gjyqi në Shkup po i afrohet fundit, burime nga gjykata penale në Shkup thonë se nëse dy të dyshuarit e arrestuar së fundi, ekstradohen në Maqedoni, ekziston mundësia që procedurat të fillojnë edhe një herë.