Malishevë - Në Zonën e Rriqrave

Udhëheqësit lokalë të Malishevës po këshillojnë qytetarët e zonës se si të vishen për t’iu kundërvënë epidemisë së etheve hemorragjike, e njohur si krime kongo, që bartet nëpërmjet rriqrave. 

Këshillat që shpërndahen si broshura nëpër zonë sugjerojnë për banorët që dalin jashtë shtëpisë dhe në veçanti ata që punojnë tokën që të veshin pantallona të gjata dhe t’i fusin nën çorapë, të mbathin çizme si dhe të veshin bluza ose këmisha me mëngë të gjata që mbulojnë pjesët e trupit. 

Përveç kujdesit me veshjen banorët këshillohen që të kontrollojnë trupin e tyre tri herë në ditë për të mësuar nëse eventualisht janë prekur nga rriqrat.

“I veshim çizmet e çorapet, mundohemi të mbulohemi më mirë…edhe pse më mirë nganjëherë me veshë tesha te shkurtra se po i shohim më lehtë rriqrat”, thotë Valon Morina nga Astrazupi i Malishevës. 

“I veshim çizmet e çorapet, mundohemi të mbulohemi më mirë…edhe pse më mirë nganjëherë me veshë tesha te shkurtra se po i shohim më lehtë rriqrat,Valon Morina

Skënder Hoti, drejtor për shëndetësi në Malishevë, thotë se qytetarët po e neglizhojnë sëmundjen që vjen nga pickimi i rriqrave. 

Sipas tij banorët nuk po respektojnë udhëzimet dhe moskujdesi po pasohet me infektim. “Nëse çdo 3 orë banorët kontrollohen, edhe nëse rriqra është helmuese nuk do të vie deri tek infeksioni i gjakut” , thotë Hoti. 

Ai shton nuk ka vend për panik dhe se qytetarët duke respektuar udhëzimet e komunës mund të dalin të punojnë arat e tyre. 

Por, njerëzit në Malishevë kanë frikë të punojnë dhe të dalin në fushë që të ruajnë bagëtinë.

Barinjtë të cilët përballën çdo ditë me rrezikun nga pickimi i rriqrave me ethe hemorragjike, ankohen se komuna nuk ka ndërmarrë aq sa duhet për të parandaluar këtë epidemi.

“Dalin këta të Komunës me makinë, kinse po e stërpikim po kurrgjë s’bëjnë, vetëm afër rrugës spërkatin”, thotë Samir Mazreku nga Malisheva. 

“Dalin këta të Komunës me makinë, kinse po e stërpikim po kurrgjë s’bëjnë, vetëm afër rrugës spërkatin, Samir Mazreku

Komuna e Malishevës këtë vit ndau 60 mijë euro për spërkatje të zonës për të zhdukur problemin me rriqrat. Edhe Ministria e Shëndetësisë ndihmoi me 154 mijë euro. 

Vetë Isni Kilaj, kryetar i Malishevës, të premten në një diskutim të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës pranoi se spërkatjet e terrenit nuk po dalin të suksesshme në luftimin e rriqrave. Kilaj kërkoi që të bëhet strategjia nga niveli qendror për luftimin e kësaj gjendjeje.

“Nivelet lokale nuk mund të krijojnë këso strategjie”, tha ai.

Ferid Agani, ministër i shëndetësisë i pranishëm në këtë diskutim, deklaroi se autoritetet qendrore po punojnë në gjetjen e mënyrën për parandalimin e kësaj epidemie dhe çrrënjosjen e saj.  “…Mendoj se jemi në rrugë të mirë, ndonëse problemi është shumë kompleks”

“Nivelet lokale nuk mund të krijojnë këso strategjie” Isni Kilaj

Autoritetet në qendër kanë krijuar një këshill ndërministror i cili ka filluar punën më 29 korrik të këtij viti dhe do të angazhohet që të punojë në parandalimin e kësaj sëmundje gjatë vitit 2014.

Shuma e paramenduar që do të shpenzohet për funksionimin e këtij këshilli është rreth 30 mijë euro. Këshilli do të përbehet nga autoritetet shëndetësore në qendër si dhe nga përfaqësues të ministrisë së financave, punëve të brendshme, bujqësisë, forcës së sigurisë si dhe ministrisë së administrimit të pushtetit lokal. 

Përveë Malishevës, si zona të prekura nga rriqrat llogariten edhe Rahoveci, Rahoveci, Klina, Drenasi, Skenderaj, Peja, dhe Prizreni.

Por Malisheva është prekur më së shumti. Prej nëntë qytetarëve që kanë vdekur këtë vit nga ethet hemorragjike, 5 prej tyre janë nga komuna e Malishevës. 

Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë këtë vit e kanë vizituar mbi 2 mijë veta ku 82 prej tyre janë dërguar në QKU në Prishtinë. 

Vendet më të prekura në këtë Komunë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë,  janë qyteza e Malishevës me 160 të pickuar, Drenoci me 108, Banja me 83, Carralluka me 83,  Dragobili me 66 si dhe Astrazupi me 52.

Pickimi i rriqrave daton që nga viti 1954

Problemi me pickimin e rriqrave në Kosovë ishte shfaqur për herë të parë në vitin 1954 në Nishor të Komunës së Suharekës kur kishin vdekur 8 persona në një familje. 

Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike nuk ka të dhëna zyrtare se sa raste ka pasur prej vitit 1954 e deri më 1995.

“…Ka pasur vdekje edhe gjate periudhës ndërmjet 1954 e1995, por që nuk janë regjistruar zyrtarisht”, thotë Dedushaj epidemiolog në IKSHP.  

“Ka pasur vdekje edhe gjate periudhës ndërmjet 1954 e1995, por që nuk janë regjistruar zyrtarisht, Dedushaj

Ndërkaq prej vitit 1995 e deri më 2013 janë regjistruar 228 raste të të sëmurëve me ethe hemorragjike ndërsa kanë vdekur 57 persona. 

Komunat që përgjatë kësaj periudhe kohore janë prekur më së shumti nga pickimi i rriqrave janë Rahoveci, Malisheva, Klina, Drenasi, si dhe Skenderaj.

Epidemiologu Dedushaj shpjegon se rriqrat shfaqën më së shumti në tokat e lëna djerrinë. “Pas luftës tokat e kooperativave bujqësore kanë mbetur djerrinë dhe ajo tokë është krijuar si zonë e përshtatshme për rriqrat sepse rriqra nuk qëndron në toka të punuara”, thotë ai.

Sipas tij, rriqrat shfaqën në këtë zonë për shkak të klimës së butë së butë në Malishevë, Rahovec, dhe në Suharekë. “Rriqrat nuk e durojnë nxehtësinë e madhe, dhe kjo është edhe dëshmi tjetër se pse zakonisht rastet e vdekjeve dhe të infektuarve ndodhin më së shumti gjatë muajit maj dhe qershor, ndërsa arsye tjetër është lërja e tokave djerrinë”, thotë ai. 

Një tjetër epidemiolog Naser Ramadani thotë se banorët duhet të vetëdijesohen dhe të  punojnë token në mënyrë që të largojnë rriqrat nga zona. “..Nëse punohet toka nuk do të ketë pickime nga rriqrat”, thotë Ramadani.