Lunacek Lavdëron Dialogun, Kërkon Luftimin e Korrupsionit

Deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrice Lunacek, ka prezantuar në Prishtinë pikat kryesore të raportit rreth tetë faqesh që Komisioni për Çështje të Jashtme i Komisionit Evropian i ka dërguar Parlamentit dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, në të cilin Kosovës i kërkohet luftimi i korrupsionit, më shumë mbrojtje dhe kujdes për të drejtat e njeriut dhe minoriteve, zhvillim ekonomik dhe arsimim, në veçanti të grave.

Raportuesja për Kosovën, Lunacek, ka përmendur si sukses të arriturat në dialogun Kosovë-Serbi. Ajo vlerësuar dialogun mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daciq, derisa takimin mes dy presidentëve e ka cilësuar të një “simbolike” të veçantë.

“Nuk mendoj që as unë, dhe as ju, muaj më parë e keni imagjinuar se presidentja juaj Atifete Jahjaga dhe presidenti serb Tomislav Nikoliq do të takohen të dy në Bruksel, në një vend neutral. Por, ata u takuan dhe i shtrënguan duart. Mendoj që nuk pritej që të kishte progres të madh në diskutim, por simbolika e ngjarjes së takimit të dy presidentëve të dyja vendeve të pavarura është diçka që ju nuk bënë ta nënvlerësoni”, tha Lunacek, para gazetarëve në Prishtinë.

Lunacek tha se shpreson që në takimin e ardhshëm Thaçi-Daçiq do të arrihet një marrëveshje lidhur me strukturat paralele në veri.

Deputetja evropiane ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet t’ua zgjasë dorën serbëve të veriut, sepse, sipas saj, Zyra Administrative nuk është e mjaftueshme. Ndërkohë, që “presion” do të ketë edhe mbi Serbinë. 
 
“Ka vende në Bashkimin Evropian që ia kanë thënë edhe Serbisë që pa shpërbërjen e strukturave paralele nga Kosova, sidomos ato të sigurisë, nuk ka asnjë mundësi që të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, ka thënë Lunacek.

Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Lunacek është takuar me presidenten Jahjaga, kryeministrin Thaçi, ministren e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ajo tha se në këto takime, ua ka bërë me dije qe reforma zgjedhore duhet të procedohet.

Duke folur për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), të cilën Kosova synon ta nënshkruajë me BE-në, Lunacek tha se është shumë e rëndësishme që tanimë Komisioni Evropian ka dhënë dritën e gjelbër se Kosova mund të arrijë MSA-në edhe pa pranimin e shtetësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare.

Ajo tha se në raport iu është kërkuar përsëri këtyre pesë vendeve që të njohin Kosovën, edhe pse sipas saj, kjo do të jetë e vështirë, veçanërisht nga Spanja.

Ajo ka përmendur si pikë kryesore në këtë raport, shkallën e korrupsionit në vend. “Duhet të bëhet e qartë se as në nivelin e lartë, as nëpër ministritë, as nëse bëni kontrata publike, as nëse keni nevojë për doktor, nuk është e nevojshme t’i jepni ryshfet dikujt”, tha Lunacek.

Në aspektin e zhvillimit ekonomik, ajo ka përmendur fokusimin në prodhimin vendor, derisa ka thënë se duhet të punohet edhe në çështjet e arsimimit, veçanërisht të gruas, ashtu që përfaqësimi i saj në vendimmarrje të jetë në nivel.

Në kuadër të të drejtave të njeriut, në raport është nënvizuar edhe incidenti i 14 dhjetorit të vitit të kaluar, kur u lansua një numër i revistës Kosovo 2.0, që për temë kishte seksin dhe komunitetin LGBT. Me këtë rast, ajo ka vlerësuar reagimin e Avokatit të Popullit të Kosovës.

Ajo tha se zyra e BE-së në Kosovë, së bashku me OJQ-të dhe Qeverinë e Kosovës do të lansojnë një projekt i cili për qëllim ka trajnimin dhe informimin rreth çështjeve të komunitetit LGBT ((Lesbian, Homoseksual, Biseksual dhe  Trans-seksual).

Eurodeputetja Lunacek ka sqaruar se raporti do të votohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasbourg, më 12 ose 13 mars.