Lulzim Peci Caktohet “Ambasador” në Beograd

(E plotësuar) Për këtë propozim, ministri Hoxhaj e ka informuar sot edhe presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, e cila pritet të dekretojë formalisht Lulzim Pecin në këtë detyrë.

Lulzim Peci, deri më tani, ka qenë ambasador i Kosovës në Suedi. Ndërsa në Beograd, “ambasada” e Kosovës zyrtarisht do të quhet Zyra Ndërlidhëse e Kosovës, dhe fillimisht do të vendoset në objektin e BE-së në kryeqytetin serb.

“Emërimi i ambasadorëve të rinj dhe caktimi i ambasadorëve të deritashëm në misione në vende të ndryshme, janë lëvizje normale të ambasadorëve, në përputhje të plotë me aktet normative të Republikës së Kosovës dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare diplomatike. Këto lëvizje janë hapa të rëndësishëm në kuadër të aktiviteteve të politikës së jashtme të Kosovës, me qëllim të dinamizimit të diplomacisë kosovare dhe fuqizimit të vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i MPJ-së, Artan Behrami.

Pajtimi për hapjen e “zyrave ndërlidhëse” ishte arritur në takimin e shefave të dy qeverive, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian Catherine Ashton, më 4 dhjetor 2012, në Bruksel.

Si pjesë e rolit lehtësues të BE-së, Delegacioni i BE-së në Beograd dhe Zyra e BE-së në Prishtinë do të sigurojë Zyrat Ndërlidhëse për oficerët ndërlidhës, thuhej në komunikatën e lëshuar pas takimit, nga Zyra e ndërmjetësueses Catherine Ashton.

“Çështja e hapjes së Zyrave Ndërlidhëse dhe emërimit të zyrtarëve ndërlidhës ka qenë pjesë e agjendës së dakorduar ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Normalisht, kjo ka qenë e përkrahur edhe nga shtetet anëtare të BE-së”, ka thënë më herët për Gazetën Jeta në Kosovë, shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku.

“Si çështje është diskutuar edhe në takimin e parë, mirëpo marrëveshja dhe pëlqimi për zbatimin e saj në praktikë është arritur në takimin e tretë ndërmjet dy kryeministrave me ndërmjetësimin e Ashtonit”, ka saktësuar Çollaku, i cili e ka shoqëruar Thaçin në dialogun politik.

“Emërimi i shefit të zyrës është dakorduar të bëhet deri nga fundi i muajit dhjetor, dhe ne jemi në fazën e marrjes së këtij vendimi. Ndërsa, zyrat pritet të jenë funksionale besoj nga pjesa e dytë e muajit janar 2013”.

Por, Beogradi nuk e ka caktuar ende “zyrtarin e saj ndërlidhës” në Kosovë. Si kandidat për këtë pozitë është përmendur Oliver Ivanoviq, ish-sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Zyra Serbe për Kosovën dhe Metohinë” në Qeverinë e Serbisë nuk ka kthyer përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë se kur pritet të emërohet përfaqësuesi i Serbisë në Kosovë. Por, BIRN-i ka mësuar se ai do të vendoset fizikisht në zyrën e Bashkimit Europian në Prishtinë dhe të shërbejë si ndihmës në ekipin dialogues serb.

Sipas Çollakut, ndonëse në fazën e parë zyrat do të instalohen në ndërtesat e delegacioneve përkatëse të BE-së, më vonë “sigurisht se do të vendosen në objekte te veçanta”.

Derisa nga pala kosovare, përfaqësuesi i Kosovës në Beograd quhet ambasador, dhe hapja e “Zyrës Ndërlidhëse” është komentuar si njohje e Kosovës nga Serbia, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i ka quajtur interpretimet kosovare të këtij shkëmbimi si qesharake. “Beogradi dhe Prishtina do të shkëmbejnë zyra ndërlidhëse që nuk gëzojnë status diplomatik”, ka deklaruar Daçiq, për gazetarët.

Ndërkohë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, thotë se përfaqësuesi i ardhshëm kosovar në Beograd do të ketë obligime të njëjta sikur përfaqësuesit “tjerë të korit diplomatik të Kosovës në botë” e që nënkupton, tha ai, “ndërlidhjen në çështjen e dialogut politik, diplomatik dhe tregtar”.

“Fakti se në Beograd gjenden edhe disa ambasada rajonale të shteteve që nuk kanë pranuar Kosovën, do të krijojë qasje të re në informim të drejtpërdrejtë me këto shtete”, i ka thënë ai, Gazetës Jeta në Kosovë.

Edhe Bekim Çollaku nga Zyra e Kryeministrit thekson se këto zyra “lirisht mund të konsiderohen si bërthamat e para të funksionimit të ambasadave të ardhshme në dy shtetet respektive”.

“Kjo ka qenë një marrëveshje e vështirë për Serbinë për ta pranuar duke marrë parasysh rrethanat politike dhe Kushtetutën e Serbisë”, ka shtuar ai.

Ish-diplomati amerikan, Daniel Server, e ka quajtur shkëmbimin e zyrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të pazakonshëm, por pozitiv.

“Kosova duhet të dërgojë ‘patriotët’ e saj në Beograd, sikur që bënë Amerikanët gjatë Luftës së Ftohtë të cilët mbajtën ambasadën e tyre në Moskë”, i ka thënë gazetës, Daniel Server, profesor në universitetin prestigjioz të Washingtonit Johns Hopkins dhe ish-udhëheqës i Institutit të Paqes, një diplomat me përvojë të gjatë në Ballkan.

“Kam kuptuar se zyrat do të jenë Brenda zyrave të BE-së në dy kryeqytetet përkatëse. Kjo për aq sa e di është e pazakonshme, por gjithashtu pozitive: do t’i japë BE-së mundësi për kuptim më të mirë të çështjeve dhe do të ndihmojë në vendosjen e marrëdhënieve bilaterale në një kontekst të BE-së, ku në fund të fundit të dy vendet kanë qëllim të mbërrijnë”, i tha Server Gazetës Jeta në Kosovë, në një bisedë muajin e kaluar.
 
Ai shtoi se e vlerëson hapjen e këtyre zyrave në Beograd dhe Prishtinë si një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur.  “Zyrat do ta përmirësojnë kuptimin e politikës në kryeqytetet e njëri-tjetrit, do t’i japin një kuptim më të mirë së bashku BE-së dhe gjithashtu do të sigurojnë, shpresoj unë, shërbime për qytetarët”.

“Kjo është goxha shumë pjesë e normalizimit”, tha Server.