Luksi i Qeverisë me ‘Ligjet’ e UNMIK-ut

Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, institucionet e Kosovës kishin punuar shumë në zëvendësimin e rregulloreve UNMIK-ut me ligje e akte nën-ligjore. Por, tash janë bërë gati 10 vjet që është në fuqi një Udhëzim Administrativ i bazuar në një rregullore e UNMIK-ut të vitit 2001. Duke e shfrytëzuar rregulloren e UNMIK-ut, institucionet e Kosovës vazhdojnë të blejnë telefona dhe gjëra tjera të luksit sa herë që të bëhet ndërrimi i qeverive. Këto blerje të luksit janë në kundërshtim me qëllimin e Ligjit të Prokurimin Publik, i cili kërkon që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efikase, transparente si dhe të përdoren në mënyrën më ekonomike. Institucionet e Kosovës, në të kaluarën dhe tash vazhdojnë të blejnë telefon të fjalës së fundit të teknologjisë, përkundër që në treg ka shumë telefon më të lirë që e kryejnë funksionin e njëjtë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar në vazhdimësi për blerjet e telefonave nga zyrtarët e Qeverisë. Qeveria është aryetu se blerjet e tilla janë në përputhje me në një rregullore të nxjerrë në kohën e Institucioneve të përkohshme e të UNMIK-ut para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ky Udhëzim Adminsitrativ i bazuar në rregullore të UNMIK-ut ishte nxjerrë me 12 shkurtit të 2008, vetëm 5 ditë para shpalljes së pavarësisë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se të gjitha institucionet këto blerje i bazojnë në Udhëzimin Administrativ Nr. 04/2008 për përdorimin e telefonave mobil dhe fiks.

Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Zyra e Kryeministrit. Në mars të këtij viti, ZKM i ka thënë Gazetës JnK se këto blerje bëhen në bazë të këtij udhëzimi.

“Në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2008, për Përdorimin  e Telefonave Fiks dhe Mobil në Qeverinë e Kosovës bëhen blerjet e telefonave mobil”, thuhet në përgjigjet e ZKM-së për Gazetën JNK në mars të këtij viti.

Në këtë udhëzim administrativ janë paraparë pozitat që kanë të drejt të blejnë telefona me pare të shtetit.

“Të drejtë për pajisje me aparat telefonik të dorës (mobil) dhe SIM kartelë kanë: kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë, sekretari i Përhershëm i Zyrës së Kryeministrit dhe Shefi i Kabinetit të Kryeministrit”, thuhet në nenin 8 të Udhëzimit Administrativ i bazuar në rregulloren e UNMIK-ut 2001/19.

Ky Udhëzim Administrativ ishte thirrur në një vendim të qeverisë Thaçi (05/3, te datës 22 janar 2008), por i njëjti flet për mbushje dhe jo për telefona mobil.

Ministria e Financave thotë se janë në proces të shfuqizimit të këtij udhëzimi administrativ.

“Ministria e Financave është në fazën finale të finalizimit të Projekt Udhëzimit Administrativ për shpenzimet e telefonisë fikse dhe mobile në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i cili pritet që shumë shpejt të miratohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, kishte thënë ZKM në mars të vitit 2017.

Mirëpo këtë nuk e kishte konfirmuar Ministria e Financave. Ata i kishin thënë Gazetës JnK se nuk janë duke punuar në asnjë projekt udhëzim për shpenzimet e telefonisë fikse dhe mobile, siç kishte thënë ZKM-ja.

“Nuk jemi duke përgatitur Udhëzim për Blerje të telefonave mobil”, ishin përgjigjur nga zyra për informim e Ministrisë së Financave.

Por, në përgjigjet e dhëna në mes të muajit tetor, Ministria e Financave thotë se tashmë e kanë hartuar një udhëzim administrativ, i cili është ende në formë të draftit.

“Në mandatin e kaluar qeverisës ne e kemi draftuar Udhëzimin Administrativ për këtë çështje, por ky Udhëzim nuk është miratuar nga Qeveria”, ka thënë Muharrem Shahini, zëdhënës i ministrisë së Financave.

Nga hulumtimet e bëra të Gazetës JnK del se ministritë, agjencitë e pavarura dhe ndërmarrjet publike blejnë telefona të shtrenjtë për udhëheqësit e këtyre institucioneve. Specifikacionet teknike që kërkohen nga këto institucionet i paraprijnë shpenzimeve të shtrenjta.

Zyra e Kryeministrit është institucioni i fundit që e ka shfrytëzuar këtë udhëzim administrativ të bazuar në rregullore të UNMIK-ut.

Kjo zyre i ka blerë 3 “Iphone 7” dhe 11 “Samsung A5” të vitit 2017. Këto blerje luksoze i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 6 mijë e 42 euro. Edhe në muajin prill, kjo zyre kishte blerë një “Iphone 7” në vlerë prej 980 euro.

Në këto blerje të luksit, Gazeta Jnk ka gjetur se nuk është marrë parasysh fare qëllimi i Ligjit të LPP-së gjatë ushtrimit të aktiviteteve të prokurimit publik nga disa autoritete kontraktues.

Qëllimi i  LPP-së, në mes tjerash është që të siguroj që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efikase.

“Qëllimi i këtij ligji është të siguroj mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike…” thuhet në nenin 1 të LPP-së.

Me ndryshim plotësimin e Ligjit për Prokurim Publik, autoritetet kontraktuese duhet të  përdorin procedurë të hapur edhe për vlerat e vogla apo koutimet e çmimeve nga 1 mijë deri në 10 mijë euro gjë që nuk ishte më parë. Përmes tenderëve të vegjël institucionet e nivelit qendror kanë shpenzuar mjete të mëdha të parave publike për blerje të telefonave të mençur, orëve të dorës, “çadra integruese”  dhurata e dekorata e deri tek vera e rakia për festa të fund vitit duke shpenzuar kështu mijëra euro.

Ministria për Administrimin e Pushtetin Lokal (MAPL), zëvendës ministrit të saj Gjergj Dedaj i bleu Samsung S6, ndërsa buxhetin e varfër të Kosovës nuk e kurseu as Ministria e Integrimit Europian (MIE) e cila shpenzoi 850 euro për telefon mobil.

Telefon të mençur të modelit “Iphone” në vlerë prej 830 eurove bleu Avokati i Popullit; Komuna e Mitrovicës së Veriut shpenzoi mbi 630 euro për telefon apo  9 mijë e 500 euro për 15 sosh. Në po të njëjtën komunë por në këtë rast nga Gjykata Themelore është blerë një telefon në vlerë prej 995 euro.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike Postare (ARKEP) shpenzoi 2 mijë e 802 euro për 5 telefona mobil apo 560 euro për një të tillë. Trendi i blerjes së telefonave mobil të fjalës së fundit vazhdoi edhe në vitin 2017. Kësaj radhe edhe nga zyra e kreut të Qeverisë së vendit shpenzohen 890 euro për “Iphone”. Gjithashtu Komisioni për Miniera dhe Minerale (KPMM) ndau 2 mijë e 400 euro për blerjen e 3 telefonave mobilë.