Luksi me Paret e Imëta të Ambasadave

Mbajtja e parasë së imët nga Misionet Diplomatike rregullohet me udhëzim administrativ.

“Tejkalimi i limiteve të caktuara për paranë e imët– UA  nr.03/2012  për  Shpenzimet  Operacionale  të  MDK-së  neni  14  autorizon MDK-të të mbajnë para të imët në vlerë deri në 500€, të cilat i raporton përmes raportit mujor”, thuhet në raportin e auditorit.

Kjo ishte tejkaluar deri në katër herë nga misionet diplomatike. Auditori ka gjetur se Ambasada  në  Bernë dhe  ajo  në Romë kishte  mbushur arkën e parave të imëta deri në 2,400 euro brenda muajit.

“Gjatë vitit 2016, Misioni Diplomatik i Kosovës në Bernë kishte shpenzuar nga arka 23,013 euro, përderisa Ambasada në Romë kishte shpenzuar 11,208€. Tejkalimi  i  limiteve  të  përcaktuara,  paraqet  pagesa  të  parregullta  të  cilat  e dëmtojnë  buxhetin  e  MDK- ve, si  dhe numri  i madh i  pagesave mund t’i shmangen kontrolleve për aprovimin e tyre”, thuhet në raport.

Auditori thotë se është përgjegjësi e ministrit që të sigurojë kontrolle në menaxhimin e parasë së imët nga Misionet Diplomatike të Kosovës.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj për Ministrinë e Punëve të Jashtme ka konkluduar se brenda MPJ-së ka një numër të madh të dobësive të qeverisjes.

“Ekziston një numër i dobësive të qeverisjes brenda MPJ-së veçanërisht në lidhje me moszbatimin e rekomandimeve nga viti paraprak, kujdesit jo të mjaftueshëm ndaj procesit të vetë-vlerësimit, anashkalimit të procesit të menaxhimit të rrezikut, mungesës së strategjisë, si dhe mungesës së komitetit të auditimit duke pamundësuar rritjen e efikasitetit të kontrolleve të brendshme”, thuhet në raportin e auditorit.

Në raport thuhet se MPJ-ja nuk e ka funksional sistemin e menaxhimit të rrezikut.

“Kjo kishte ndodhur për shkak se MPJ ende nuk kishte iniciuar ndonjë proces formal për hartimin e regjistrit të rreziqeve. Për më tepër, stafi ende nuk e kishte kuptuar rëndësinë e zbatimin të kësaj kërkese ligjore”, thuhet më tutje në raportin e auditorit.

Sipas ligjeve në fuqi, një zyrtar nuk mund të mbahet ushtrues detyre për më shumë se 3 muaj.

“Gjatë auditimit kemi vërejtur se një  pozitë menaxhuese mbahej me UD prej muajit korrik 2015. Sekretari i përgjithshëm kishte dërguar kërkesë për lejimin buxhetit për këtë pozitë, mirëpo kërkesa ishte refuzuar nga MF”, thuhet në raport.

Auditori ka rekomanduar Ministrinë e Punëve të Jashtme që të negociojë me Ministrinë e Financave dhe të shikojë mundësitë që të ndahet buxhet për paga konform numrit të aprovuar të punëtorëve, në mënyrë që të krijohet mundësia për hapjen e procedurave të rekrutimit.

Auditori gjithashtu ka gjetur se MPJ përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi kishte subvencionuar një grup gazetarësh në vlerë 2,070€, për të promovuar sportin kosovar nëpër Europë, por që ky grup nuk i kishte raportuar fare MPJ-së mbi impelemntimin e projektit.

“Në pajtim me marrëveshjen përfituesi duhej të raportojë në MPJ lidhur me implementimin e projektit brenda periudhës tremujore nga data e pagesës. Megjithatë, edhe pse kishte kaluar afati kohor i paraparë me marrëveshje, përfituesi ende nuk kishte ofruar dëshmi (raport financiar) lidhur me implementimin e projektit. Lidhur me këtë MPJ nuk kishte marrë masa siç parashihet me marrëveshje”, thuhet në raport.

KALLXO.com më herët shkroi se ZKA-ja kishte gjetur që MPJ-ja kishte shpenzuar mbi 14 mijë euro për të paguar qiranë e një banese në Bernë të Zvicrës, por që askush nuk kishte qëndruar aty.

Sekretari i përgjithshëm i MPJ-së, përmes një shkrese drejtuar ZKA-së, është pajtuar me të gjeturat e kësaj të fundit.

Me të gjeturat e raportit të auditorit është pajtuar Ministria e Punëve të Jashtme, duke premtuar se do të hartojë planë për zbatimin e rekomandimeve të dhëna.