Bujanoci. Foto: Nikola Laziq

Lugina, futbolli dhe fajësimi i arbitrit të huaj

Elbasan (Shqipëri), Tetor 2015: Dy kundërsulme të shpejta të futbollistëve serbë, Aleksandar Kollarov dhe Adem Lajiq, kurorëzohen me dy gola në minutat shtesë, në “Arenën” e qytetit të Shqipërisë së Mesme. Në tribuna mbretëron një heshtje varri e përcjellë me fytyra të përlotura të simpatizuesve të bërë qullë nga shiu i rrëmbyeshëm i asaj nate ku i ftohti depërtonte deri në palcë. Përveç dymbëdhjetëmijëshit që po vuanin brenda stadiumit, me zemra të thyera kishin ngelur miliona shqiptarë që  po e përjetonin humbjen përmes ekranit. Ndërkohë, futbollistët serbë dhe opinioni i tyre po festonin sikur të kishin fituar Kupën e Botës….

Kaliningrad (Rusi ), Qershor 2018: Granit Xhaka po “bombardonte” rrjetën kundërshtare, ndërsa krejt në fund Xherdan Shaqiri po ia kalonte topin “mes këmbëve” portierit serb. Nga stadiumi i këtij qyteti rus të shtrirë përgjatë Baltikut “fluturonin” shqiponjat dhe sikur dëshironin të përqafonin çdo shqiptar anekënd globit. Humbjen, opinioni serb, në mungesë të sportivitetit dhe politizimit të zakonshëm të çdo gjëje, po e trajtonte me termin tashmë të banalizuar “Provokacija”… Madje, kësaj here, përveç shqiptarëve fajtorët u “kërkuan” edhe te gjermanët, duke njollosur arbitrin e ndeshjes me etiketime të ndryshme e krahasuar edhe me ata që dënohen nga Tribunali i Hagës.

Në shikim të parë, ky tekst duket të jetë i zhanrit sportiv por brendia e tij ka karakterin e plotë të një analize politike. Megjithatë, meqë i përket disa zhvillimeve që po ndodhin derisa po ecën  Kampionati Botëror në Futboll, e shoh të udhës që disa shembuj t’i ilustroj mu me zhargone të këtij sporti.

Vikendi i kaluar u karakterizua me takimin e radhës midis presidentëve Thaçi-Vuçiq, e që nga shumëkush u vlerësua si uvertyrë drejt një finaleje e cila do duhej përmbyllur me një “marrëveshje obligative”.

Si qytetar i Luginës, përfshirë edhe pjesën dërmuese të bashkëkombasve që jetojnë në këtë rajon, e shohim veten si peng të raporteve të pazgjidhura midis Prishtinës dhe Beogradit. Andaj, 20 vjetët e fundit me vesh e mendje, me apo pa dashje, jemi koncentruar apo edhe u jemi imponuar zhvillimeve në relacione të këtilla.

Para më tepër se një dekade, derisa po zhvilloheshin bisedimet e Vjenës, një diplomat i nivelit të lartë në Kosovë më pat siguruar informacione relevante, të përcjella me fakte që përkonin me idetë e këmbimit të territoreve Kosovë-Serbi. Duke u bazuar në dëshmitë që ai posedonte por edhe duke analizuar rrethanat tjera, atëbotë pata publikuar një shkrim të titulluar “Hekurudha-kufiri i ri shqiptaro-serb”. Për njohësit e gjeografisë jashtë Luginës, dihet se hekurudha përshkon një gjatësi tridhjetë kilometërshe nga vendbanimi i parë shqiptar i këtij rajoni e deri në kufi me Maqedoninë e që është vazhdimësi e vendbanimeve tjera shqiptare.

Si rezultat i kësaj ndarjeje, 90 përqind e vendbanimeve shqiptare do t’i takonin Kosovës, përfshirë edhe qytetet e Bujanocit dhe Preshevës, kurse pjesa tjetër, vet hekurudha si dhe autostrada që janë pjesë e “Korridorit 10” do të mbetnin në Serbi.

Ky skenar do të ishte një “fitore e Pirros” për shqiptarët, por do të ishte shumë më i favorshëm se ajo për të cilën flitet sot.

Atëherë, edhepse para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pozita e shqiptarëve ishte shumë më e volitshme se sa sot. Ndërsa, e pranuam ne apo jo, tani, pozita e Serbisë karshi rrethanave ndërkombëtare është shumë më e fuqishme se sa dhjetë vjet më parë.

Për dallim nga shkrimi im me këtë tematikë, të publikuar para një dekade, sot, për t’iu qasur këtij shtjellimi më inspiroi shumë analiza e Shaip Kamberit, kryetarit të Bujanocit.

Duke e njohur Shaipin për një kohë të gjatë, e di se nuk i mungon aspak intuita e njohjes së situatave kur janë në pyetje rrjedhat në rajon. Të them të drejtën u frikësova nga qasja e tij  edhepse e kuptova që përmbajtja ishte me shumë të vërteta.

Në një analizë të tillë, z.Kamberi nuk kishte shkuar deri në fund, por u la të kuptohet se pala kosovare është fajtore që asnjëherë nuk e ka pa të udhës të insistojë në parimin e reciprocitetit midis serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginë, të paktën në njërën prej formave.

Bile bile, edhe Tirana zyrtare duhet të ishte shumë më e zhurmshme në këtë drejtim.

Sido që të jetë, nuk e di pse shqiptarët tërë këtë fobi për vet-iniciativat? Po edhe nëse bisedohet për raportet e përgjithshme shqiptaro-serbe në Ballkan s’ka pse frikësohemi, kur të gjitha faktet, qoftë historike, gjeografike e politike janë në anën tonë. Shumë banale dhe qesharake më duken deklaratat e politikanëve shqiptarë se çfarëdo ndryshimi i kufijve do të sjellë efekte domino në rajon. Kjo i bie që shqiptarët kanë mbetur “gardianë” të Ballkanit dhe mbajnë mbi supe edhe brengat e Republika Srpska-s, Vojvodinës, Sanxhakut apo kujtdo tjetër. Sa e pakuptimtë, apo jo?

Rreshtimi në pozicionet mbrojtëse gjithmonë ka qenë i rrezikshëm. Na kujtohet se mbrojtja e Autonomisë në vitet e 90-ta nuk na solli dobi, madje pak vite më vonë na u imponua që me armë të mbrojmë pragun e shtëpisë nga dhuna e një regjimi të egër.

Për ta ilustruar pak me futboll, pasi thamë se gjithçka po bëhet në margjinat e tij, po marrim dy shembuj.

Ata trajnerë që pozicionojnë ekipin e tyre në defanzivë, sipas taktikës “me rëndësi mos të marrim gol”, në fund gjithmonë pësojnë, ngase lojtarëve dikur u bie koncentrimi nga sulmet e parreshtura të kundërshtarit dhe kështu humbet ndeshja.

Në anën tjetër, trajneri që e përgatit ekipin e tij për ofensivë, në shumicën e rasteve del fitues. Edhepse, ndoshta si pasojë e pozicionimit skuadra e tij pëson në fillim të lojës dy gola, deri në fund lojtarët e tij janë në gjendje t’i shënojnë kundërshtarit plot katër herë. Madje këtë stil e pëlqen edhe publiku.

Kur janë në pyetje platformat dhe elaboratet kombëtare, gjithmonë fqinjët ishin para nesh. Të paktën, unë nuk e mbaj në mend se kur herën e fundit shqiptarët kanë hartuar një dokument mbarëkombëtar.

Madje, edhe sot, nga Beogradi në një ditë të vetme lansohen nga 3-4 propozime për Kosovën dhe shqiptarët.

Edhe “kosovarizimi” i Preshevës dhe mbetja në Serbi e Bujanocit dhe Medvegjës i kanë rrënjët në Beograd.

Brengosës është që edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për herë të parë, pas takimit të fundit në Bruksel u dëgjua fjala konsensus,

Është e qartë, se si Thaçi ashtu edhe Vuçiq janë para presionit të madh, ngase dalëngadalë do t’i afrohen fazës së shpalljes së vetes sa më fitimtarë e klasifikimeve sa më pak tradhtar. E kur në valle hyn konsensusi, nuk dihet kah shkon peshorja më tepër.

Dëshira e bashkëkombasve, përfshirë edhe luginasit, do të ishte të përfitojmë më tepër, të jemi të barabartë apo të paktën mos të dëmtohemi.

Nuk e di a mund ta krahasojmë fundin e këtij shkrimi  me ato dy ndeshje futbolli se kush kënd e mundi?

Shqiptarët e fituan këtë të fundit, por mos të harrojmë se ajo u bë nën petkun e Kombëtares së Zvicrës, pa mohuar këtu atdhedashurinë e shfaqur të Xhakës dhe Shaqirit.

Ndërsa, ishin serbët ata që në mes Shqipërisë na prishën festën e kualifikimit të hershëm në “Euro 2016”.

Në vitin 1999 bota demokratike ishte në anën e shqiptarëve, ishte në anën e së drejtës dhe po na mbronte nga shfarosja. Njëzet vjet më vonë, a jemi në gjendje të veprojmë edhe vet, jo të luftojmë, por të paktën të inicojmë diçka, të jemi të përgjegjshëm dhe të pjekur bile në krijimin e baraspeshave ndaj fqinjëve tanë?

Apo do të “infektohemi” me sindromin e fajësimit të arbitrit të huaj…

 

Autori është gazetar nga Bujanoci

Mendimet e shprehura në pjesën e komenteve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.