Lista e Zezë
Më 7 mars, fluturova nga Kosova sipas procedurave normale të aviacionit dhe në kushte të mira klimatike. E çuditshmja e këtij fluturimi ishte se unë po largohesha nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës vetëm 30 minuta pasi që kisha zbarkuar në të. E ajo që është brengosëse është se unë po deportohesha në Stamboll, i cili më ishte caktuar si destinacion i përkohshëm, në të cilin do të mbahesha i ngujuar në një dhomë derisa të paguaja biletën për të ikur drejt Pakistanit.
Në Prishtinë arrita nga Londra, ku kisha jetuar për gjashtë vjet. Duke qenë se viza e Mbretërisë së Bashkuar më kishte skaduar, vendosa të ndaloja në Prishtinë ku atëbotë më punonte e dashura dhe ku do të bëja punë praktike para se të kthehesha në Pakistan. Asokohe Kosova nuk kishte regjim vizash; vendi kishte plane që të fillojë me zbatimin e një regjimi të tillë nga korriku, por zyrtarisht thuhej se askush nuk ka nevojë për vizë përderisa të jetë në gjendje të paraqesë një justifikim të mirë për vizitën. Mbajtja e një pasaporte pakistaneze do të thotë mbajtje e pasaportës me reputacionin e pestë më të keq në botë, e cila në listë gjendet pak vende para Afganistanit, Irakut dhe Palestinës dhe nja pesë vende mbas Etiopisë dhe vetë Kosovës, sipas Indeksit të Kufizimeve me Viza të Henley Global. Meqenëse isha mësuar të kem pengesa burokratike në udhëtimet e mia, kisha bindjen (naive) se Kosova do të ofronte ndonjë zgjidhje më mëshiruese për vende politikat e së cilave dëbojnë njerëzit nga vendi i tyre. Mendova se Kosova do të bashkëndjente me mua, për shkak të poshtërimeve dhe problemeve që i përjetojmë gjatë kërkimit të realizimit të së drejtës sonë për lëvizje të lirë, qoftë edhe përkohësisht.
“Kisha bindjen (naive) se Kosova do të ofronte ndonjë zgjidhje më mëshiruese”
Edhe me këtë në mendje, unë u tregova i kujdesshëm dhe mora me vete një ftesë nga Kosovo 2.0, web-faqja dhe revista për të cilën kisha menduar të punoj; një letër nga e dashura ime italiane, në banesën e së cilës do të qëndroja; pasqyrat e llogarive të mia bankare; si dhe një letër nga ministria e brendshme britanike, në të cilën kjo e fundit shpjegonte se gjashtë vitet e fundit kisha jetuar në mënyrë legale në MB. Mendoja, do i marr me vete për çdo rast.
Por, nuk arrita fare deri në atë pikë. U prezantova para zyrtarit të kontrollit kufitar. E vendosa pasaportën time në sportel dhe u përpoqa që ngjyrën turpëruese të gjelbër të saj ta kompensoj me një buzëqeshje – mbase një buzëqeshje të një turisti entuziast, por në çdo rast një buzëqeshje që pasqyronte me sinqeritetin më të madh kënaqësinë që isha aty. Pothuajse në të njëjtin çast, sikur po të ishte një akt i ushtruar, u udhëzova që të dal nga radha e krijuar para sportelit. Dy policë më morën dhe më përcollën në një dhomë tjetër.
“Unë u tregova i kujdesshëm dhe mora me vete një ftesë nga Kosovo 2.0, web-faqja dhe revista për të cilën kisha menduar të punoj,
Shpejt u bë e qartë se asgjë nuk do të konsiderohej “bazë e arsyeshme” për vizitën time. Pasi që ma bënë një kontroll mjaft rigoroz trupor, çfarëdo përpjekje për t’i paraqitur dokumentet që kisha përgatitur e me të cilat arsyetohej qëllimi i vizitës sime refuzohej nga pala tjetër e cila të jepte përshtypjen se ishte tejet e mërzitur nga sjelljet e tilla. Ftesa nga Kosovo 2.0 u konsiderua “jozyrtare”. Personi që e ka nënshkruar atë letër fare nuk u kontaktua për verifikim. Megjithëkëtë, kohë për fotografim pati mjaft. Policia më fotografoi dhe mi mori shenjat e gishtërinjve. Mua nuk mu lejua që ta kontaktoj askënd apo madje edhe ta informoj të dashurën time për telashet me të cilat po përballeshin. U sajuan disa dokumente të cilat më detyruan t’i nënshkruaj me shpejtësi. Mu tha që ta marr bagazhin tim nga shiriti bartës i aeroportit.
Ndërkohë, një zotëri i ri me një zë tejet mekanik mu afrua dhe ma shpjegoi se aviokompania priste që unë të paguaj për deportimin tim. Megjithëse ndihesha i mundur dhe konfuz, mora ta nxjerr portofolin, por e kuptova se xhepat i kisha bosh. Isha i brengosur me prospektin e mbetjes pa asnjë kacidhe në një situatë si kjo, andaj i pyeta rojat e sigurimit nëse mund të shkoj e ta kërkoj portofolin në zyrën ku ma bënë kontrollin trupor. Më thanë se së pari unë duhej të largohesha nga vendi. Në shpresë se do të mund ta gjeja portofolin në bagazhin tim, mora t’i hapë çantat e mia. Policët i kapën armët.
“Vëllezërit dhe motrat” e mia
Gjatë rinisë sime në Pakistan gjatë viteve të 90-ta, e kisha të pamundur që të mos bashkëndiej për problemet e “vëllezërve dhe motrave” tona myslimane në Bosnjë e Kosovë. Sikur shumica e pakistanezëve, unë jam rritur si mysliman, andaj edhe i shihnim luftërat që zhvilloheshin në këto vise si lufta tona. Mediat në Pakistan raportonin pa ndërprerje për persekutimet e shqiptarëve të Kosovës, ndërsa popullata pa rreshtur fliste për atë që po ngjante popullatës “sonë”. Kur u shpall pavarësia e Kosovës, kishte konsensus të përgjithshëm që ajo të përkrahet në mënyrë të pakushtëzuar.
“U përpoqa që ngjyrën turpëruese të gjelbër të saj ta kompensoj me një buzëqeshje
Më vonë njohja e Kosovës u vu në pikëpyetje. Përkundër shpresave tona, shteti i Pakistanit vonoi njohjen deri në vitin 2012, pasi që kjo konsiderohej fitore simbolike për separatistët në Balokistan, krahinën më të shtypur dhe eksploatuar të Pakistanit. Rrjedhimisht, gjithmonë ka ekzistuar një solidaritet abstrakt mes vendeve tona të mbjellura me plumba. Së paku unë kështu e kisha imagjinuar.
Mua kurrë nuk mu dha ndonjë sqarim adekuat për mënyrën se si ngjarjet u zhvilluan atë mëngjes në aeroport. Kur e dashura ime u konfrontua me Ministrinë e Punëve të Jashtme lidhur me rastin tim, asaj i thanë se ka tendencë që shtetasit e vendeve në zhvillim, siç është Pakistani, të kthehen në kufi. Kur Kosovo 2.0 e ngriti këtë çështje me ministrinë, u sajuan disa arsyetime burokratike dhe asaj iu tha se unë është dashur të paraqes dëshmi nga autoritetet relevante pakistaneze se nuk kam dosje penale – fakt ky të cilin asnjëherë askush nuk e ka përmendur më parë.
Kërkesa e ndërlidhur me dosjen penale i dha tërë këtij tregimi një aspekt Kafkian: unë do të mund të hyja në Kosovë nëse do t’i paraqisje dëshmitë për dosje të pastër penale, por unë nuk mund të merrja dëshmi të tilla nga Pakistani, pasi që nuk kisha banuar në Pakistan për rreth pesë vite. Ironia qëndron në faktin se dokumenti me të cilin është dashur ta pastroj emrin tim nga çfarëdo devijimi penal është marrë në mënyrë joligjore dhe duke shfrytëzuar lidhje burokratike dhe duke korruptuar nën tavolinë zyrtarët qeveritarë.
“Më thanë se së pari unë duhej të largohesha nga vendi.
Ishte kjo mënyra se si arrita të kthehem prapë në këtë vend: duke e shkelur ligjin, duke i shfrytëzuar lidhjet e mia dhe duke dalë nga tërë ky zhvillim pa ferrë në këmbë. Për motivet më të çiltra të mundshme, mua më desh të hyj në vend përmes makinacioneve kriminale.
Nga ardhja e serishme deri tek dëbimi nga banesa:
Kur Ministria e Punëve të Jashtme përfundimisht ma dha dritën e gjelbër për të hyrë në vend, unë i dhashë edhe një goditje të fundit llogarisë sime bankare dhe nxora biletën për Prishtinë.
U ktheva në Kosovë dy javë më pas, vetëm ca muaj para hyrjes në fuqi të regjimit të vizave, me të cilin hyrja në vend u kufizohej qytetarëve të 87 shteteve të botës, përfshirë Pakistanin. Në Kosovë të gjitha procedurat u zhvilluan me lehtësi, përveç faktit se kur ma dorëzuan pasaportën, dy burra pakistanezë që kishin udhëtuar së bashku me mua u deportuan sikur unë pak kohë më parë.
Pasi u vendosa në banesën e marrë me qira nga e dashura ime në Prishtinë, e lash një takim me pronarin e banesës për t’iu falënderuar për letrat që ua kishte shkruar autoriteteve kosovare. Fakti që ai miratoi qëndrimin tim në pronën e tij, më siguroi se gëzoja përkrahje tek njerëzit e vendit. Kjo mund të ketë pasur ndikim tek vendimi përfundimtar i autoriteteve për të ma lejuar hyrjen në vend.
Megjithatë, caktimi i takimit u dëshmua të ketë qenë i panevojshëm. Një ditë teksa u kthyem nga pazari e gjetëm atë brenda në banesën tonë. Vizita e tij e paparalajmëruar më befasoi, por u qetësova kur e kuptova se kishte ardhur vetëm për të kontrolluar radiatorët. Patëm një bisedë të shkurtër e miqësore, gjatë së cilës ia rikujtova se e dashura ime së shpejti do të kthehej në Itali dhe se unë do ta përmbushja kontratën në emër të saj – gjë për të cilën ata të dy ishin marrë vesh paraprakisht. Më tha se nuk ka asnjë arsye për brengë në këtë kuptim.
Pas largimit të të dashurës sime disa ditë më vonë, takimet e papritura me pronarin e banesës u bënë çdo herë e më të shpeshta, e edhe të bezdisshme, sepse po ngjanin brenda banesës sime në kohën kur më së paku i prisja. Ai filloi të bëhet më spekulativ lidhur me disa aspekte personale të jetës sime. Një ditë, teksa kalonte nga tema në temë, u bë e qartë se dëshironte të dijë nga cili vend vija. I thashë që isha nga Pakistani. Zbulimi i kësaj informate thuajse nxiti tek ai një refleks të pakënaqësisë. Ai tregoi se kishte bindjen që isha italian, sikur e dashura ime.
Pas kësaj, situata u përkeqësua. Në drejtim timin vinin ankesa të shpeshta, kryesisht lidhur me faktin se pronari kurrë nuk i kishte pranuar kushtet të cilat e dashura ime i kishte vënë në kontratën e qirasë – realisht për faktin se unë do të qëndroja në banesë i vetëm gjatë dy javëve të fundit të qirasë.
Disa ditë para ditës kur duhej të dilja nga banesa, pronari erdhi në banesë për t’ia treguar atë një qiramarrësi potencial. Kjo dukej gjë e arsyeshme, derisa nuk ndodhi që të kërkojë nga unë që të dal nga banesa disa ditë para skadimit të kontratës. Kjo kërkesë ishte motivuar nga dëshira e qiramarrësit potencial që të hyjë në banesë para skadimit të kontratës ekzistuese të qirasë. I thashë qiradhënësit se kjo ishte e papërshtatshme dhe e papranueshme, pasi që qiraja ishte paguar e plotë. Pas insistimit tim se këtë kërkesë nuk mund t’ia plotësoja, ai lansoi në drejtimin tim një listë të gjatë të ankesave të çuditshme lidhur me gjendjen e banesës, duke më akuzuar, mes tjerash, se isha duke e shfrytëzuar atë si po të ishte “bordel”. Ai këmbëngulte se nuk besonte se unë do ta pastroja. Unë arrita ta bind që të më japë kohë deri pasditen vijuese.
Të nesërmen në mëngjes, pronari hyri në banesë pa leje, më informoi se planet kishin ndryshuar dhe bukvalisht më nxori jashtë. E mëngjesi ishte me shi.
Racizëm oportun
Do të ishte e lehtë që këto ngjarje t’ia mveshim racizmit. Një mënyrë më e mirë e klasifikimit të këtyre zhvillimeve është që ato t’i quajmë racizëm oportun me motive ekonomike. Nuk ma merr mendja se po të kisha qenë italian pronari do të sillej ndryshe apo do ta mbante besën, të cilën shqiptarët e kanë traditë.
Trajtimi im në Kosovë, qoftë me deportimin qoftë me dëbimin nga banesa, janë simptomatike për transformimin traumatik nëpër të cilin Kosova po kalon. Zhvillimi dhe modernizimi rezultojnë me ikjen nga tradita dhe vlerat dhe afrimin me një kulturë të motivuar nga ekonomia e egër.
“Do të ishte e lehtë që këto ngjarje t’ia mveshim racizmit.
Regjimi i porsavendosur i vizave në Kosovë është viktimë tragjike e këtyre zhvillimeve, madje edhe nëse justifikimi duhet i arsyeshëm. “Duke vendosur regjimin e vizave, Kosova është duke e përmbushur një obligim të vetin në kuptim të integrimeve europiane, në veçanti në kuptim të liberalizimit të vizave”, kishte thënë në janar për gazetën Epoka e Re zëvendësministri i Punëve të Jashtme, z. Ibrahim Gashi. “Përveç kësaj, regjimi i vizave përbën një simbolikë tjetër, ngase me këtë vendim Kosova vërteton shtetësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe kufijtë e vet”, shtoi ai. “Andaj, kësisoj Kosova paraqitet si faktor në komunitetin e shteteve, në kuptim të respektimit të parimit të reciprocitetit”. Por, regjimi i vizave për 87 shtete është tejet strikt dhe i pavolitshëm. Përkrahur nga një mori dokumentesh, për nxjerrjen e së cilave mund të nevojiten javë të tëra, kërkesat për vizë duhet të bëhen personalisht në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Stamboll. Pas pyetjeve të parashtruara nga Gazeta Jeta në Kosovë, ministria nuk u përgjigj se saktësisht sa persona e kanë përmbyllur procedurën e aplikimit me sukses, por e pranoi se “numri i personave që ka arritur të plotësojë kriteret për vizë ishte mjaft i vogël.”
Ironia e dhimbshme qëndron në faktin se vetë kosovarët e kanë tepër të kufizuar lirinë e lëvizjes, duke qenë se atyre u nevojiten viza për të udhëtuar në shumë vende për shkak të “kërcënimit” të imagjinuar që ata përbëjnë për komunitetin ndërkombëtar. Tani, qeveria e këtij vendi i trajton shtetasit e vendeve në zhvillim në po të njëjtën mënyrë, nëse jo edhe më keq. Ngjashëm me shumë nisma qeveritare në Kosovë, kjo është produkt i qëllimit të panegociueshëm kombëtar për anëtarësim në BE.
Më kujtohet diçka që pronari i banesës më tha në momentin kur ai dhe bashkëshortja e tij po i gjuanin gjësendet e mia në rrugë. Unë përpiqesha t’i ndaloj, por ata e kishin ndarë mendjen për atë që do të bënin.
Megjithatë, në një moment të caktuar, ai ndaloi dhe më dha një kërkimfalje gjysmake. “Më fal,” më tha, duke treguar se bashkëndjente me mua. “Unë vërtet do doja që të mos jem i detyruar që të ndërmarr këtë hap. Më vjen keq për ty”. Nuk e di se çka priste që t’i them. Fundja, e vetmja gjë që do të mund t’i thosha “vëllait dhe motrës” sime me këtë rast është: “Atëherë mos ma bëni këtë.”
Farhad Mirza është shkrimtar, gazetar dhe viktimë e shumë politikave të imigracionit. Aktualisht, ai jeton në Pakistan. Artikulli fillimisht u botua të premten në simotrën Prishtina Insight në anglisht e cila ka dalë në treg me dizajn të ri.
Shtojcë – Regjimi i ri i vizave:
Në muajin korrik Kosova ka vendosur regjimin e vizave për disa shtetas të huaj.
Përse nevojitet një regjim i tillë? Shumica e shteteve kanë një lloj regjimi të vizave. Në aspektin praktik, ai përbën një hap të rëndësishëm për Kosovën në përpjekjen e kësaj të fundit për të siguruar udhëtim pa viza në hapësirën e Shengenit.
Kujt i nevojitet vizë tani? Shtetasve të 87 vendeve, kryesisht nga shtetet në zhvillim, Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia.
Kujt nuk i nevojitet viza? Shtetasve të shumicës së vendeve në zhvillim, përfshirë SHBA-të, shtetet e Bashkimit Europian, Kanadasë dhe Japonisë. Shtetasit e këtyre vendeve nuk kanë nevojë për viza të veçanta për qëndrim deri 90 ditë. Diplomatët, personeli ushtarak ndërkombëtar, dhe bartësit e dokumenteve të udhëtimit të OKB-së gjithashtu janë të përjashtuar nga regjimi i vizave. Çdokush që posedon vizë të Shengenit me më shumë hyrje mund të qëndrojë në Kosovë pa vizë deri në 15 ditë.
Sa njerëz preken nga ky regjim? Në vitin 2012, Policia Kufitare e Kosovës ka regjistruar 6,047 hyrje të personave që tani duhet të kenë vizë për të hyrë në vend. Nga janari deri në maj të vitit 2013, numri i personave të tillë ishte 1,042. Shumica prej tyre vinin nga Rusia, Ukraina, Kina, Moldavia, India dhe Gjeorgjia.
Ku lëshohen vizat? Aplikuesit duhet t’i paraqesin personalisht kërkesat e tyre në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Stamboll, pas aranzhimit të një takimi përmes emailit.
Çka nevojitet? Parashtruesit e kërkesës duhet të kenë pasaportë që nuk skadon për së paku tre muaj nga data e fundit e qëndrimit të kërkuar në Kosovë, një fotografi, dëshmi të arsyes së vizitës së tyre në Kosovë, rezervimin e biletës, dëshmi për kushtet e banimit, pasqyrën bankare për së paku tre muajt e fundit, sigurimin shëndetësor dhe pagesën për vizë.
Sa kohë nevojitet? Ministria e Punëve të Jashtme thotë se koha e procedimit të lëndëve zakonisht zgjatë mes një dhe pesëmbëdhjetë ditë, por mund të merr edhe më shumë kohë nëse kërkohen hetime të mëtejme të rastit.