Lirohet rryma falë dështimeve të KEK-ut dhe KOSTT-it në realizim të investimeve

Tarifat e energjisë elektrike do të ulen këtë vit. Ky është propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për shqyrtimin tarifor për vitin 2018, që po bëhet me disa muaj vonesë. Buxheti total i sektorit të energjisë për vitin 2018 do të jetë 224 milionë euro, apo një ulje prej 10 milionë euro krahasuar më vitin e kaluar. Çmimi i energjisë elektrike do të ulej edhe më shumë, por vendimi i ZRrE-së për rritjen e humbjeve të faturuara kanë ndikuar që kjo ulje e çmimit të energjisë të jetë më e vogël.

Kjo ulje e buxhetit në përqindje i bie ulje prej 4%, por kjo nuk do të thotë që për aq do të ulen tarifat e energjisë elektrike. Duhet të ketë një vendim të ri të bordit të ZRrE-së për të përcaktuar nëse kjo ulje do t’i atribuohet në mënyrë të barabartë të gjitha kategorive të konsumatorëve, apo bizneset do të kenë ulje më të mëdha krahasuar me amvisërinë. Në të kaluarën, ulja më e madhe është bërë tek bizneset, pasi ato paguanin çmime më të larta se sa amvisëritë për energjinë e njëjtë, raporton KALLXO.com.

Kjo ulje e buxhetit të sektorit të energjisë në masë të madhe po bëhet për shkak të pazotësisë së KEK-ut dhe KOSTT-it për të realizuar investimet e lejuara të ZRrE-së. Të dy këto ndërmarrje nuk i kanë kryer disa investime përkundër që kostot e këtyre investimeve kanë qenë të përfshira në faturat e energjisë.

Konsumatorët do të kompensohen gjatë periudhës së dytë rregullative

Ekzistojnë një numër projektesh kapitale të cilat ishin përfshirë në planin e aprovuar të investimeve për periudhën e parë rregullative 2012-2018, por të cilat nuk janë realizuar.

“Në këto raste, ZRRE-ja aplikon përshtatjen e ‘rikthimit’ të zhvlerësimit të lejuar dhe kthimit të lejuar që lidhet me këto projekte të cilat kanë qenë të përfshira në të Hyrat maksimale të lejuara (MAR) të Periudhën Rregullative 1”, thuhet në Raportin Konsultativ për të Hyrat e Lejuara Maksimale për periudhën rregullative 2018 – 2022.

ZRrE-ja ka njoftuar se konsumatorët do të kompensohen për këto përshtatje gjatë periudhës së dytë rregullative, pra në vitet pasuese. KEK-u dhe KOSTT nuk i kanë realizuar projektet të cilat janë lejuar nga ZRrE, rrjedhimisht i kanë marrë paratë nga qytetarët përmes faturave mirëpo nuk i kanë shpenzuar për qëllimin e duhur.

Mos realizimi i projekteve e pengon KOSTT-in që të përfitoj nga propozimi i projekteve të investimeve ku kostot e tyre janë të përfshira në MAR, por të cilat në të vërtetë nuk i ka implementuar.

Sipas raportit përshtatjet e Periudhës së Parë Rregullative (PRR1) janë të kalkuluara mbi bazën e aseteve të cilat përfshijnë grantet dhe ato të cilat nuk përfshijnë grantet.

“Ashtu si në përshtatjet tjera, kalkulimet janë bërë duke marr parasysh vlerën kohore të parasë”, vazhdon raporti.

Vlera e përshtatjeve të (PRR1) është në zbritje prej 5,61 milionë euro, raporton KALLXO.com.

Të njëjtin problem e kishte edhe Korporata Energjetike e Kosovës pas përfundimit të periudhës rregullative shumëvjeçare 2013-2016. Me rastin e derregullimit të çmimeve të KEK-ut, ZRrE-ja ka bërë përshtatjet për mosrealizimin e investimeve të lejuara.

Kjo përshtatje e KEK-ut është reflektuar në zbritjen e të hyrave të KOSTT-it, të cilat i janë atribuar mbulimit të humbjeve të parapara në vlerë prej 10.7 milionë euro apo në sasi të energjisë prej 302 GËh. Pra, KEK-u në vend të parave është obliguar t’i jep energji elektrike KOSTT-it.

“Duke qenë se jo e gjithë sasia e paraparë i është ofruar KOSTT-it nga KEK-u, atëherë ajo ka pasur implikime edhe në kostot e KOSTT-it”, theksohet në raport.

Prandaj, ZRrE ka aplikuar këtë përshtatje/kompensim për KOSTT-in, vlera e të cilit pas aplikimit të normës së interesit është 6.82 milion euro.

Ndryshimet e propozuara

Të hyrat e lejuara maksimale për periudhën e dytë rregullative të paraqitura do të përshtaten për të reflektuar përshtatjet e vitit 2017 dhe përshtatjet e periudhës së parë rregullative që kanë të bëjnë me investimet kapitale.

Me qëllim që përshtatjet të mos kenë ndikim në likuiditetin financiar të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Operatorit të Tregut (OT), vlera e këtyre përshtatjeve është shpërndarë në tërë periudhën rregullative 2018-2022.

Bazuar në kostot operative dhe kapitale është dhënë propozimi për të hyrat e lejuara maksimale (MAR) të KOSTT-it (përfshirë OST/OT).

Sipas raportit, për qëllime të përcaktimit të tarifave të transmetimit, këto kosto duhet të ndahen në mes të tri funksioneve të KOSTT-it, në ato të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Operatorit të Sistemit (OS) dhe Operatorit të Tregut (OT).

Është propozuar gjithashtu që shpenzimet kapitale gjatë katër viteve të ardhshme janë alokuar sipas funksionit bazuar në natyrën e projekteve në fjalë.

“Kthimi i lejuar dhe zhvlerësimi sipas funksioneve për PRR2 është llogaritur duke përdorur BARR që ka rezultuar. ËACC-u i njëjtë është aplikuar për të gjitha funksionet”, thuhet më tej në raport.

Sipas raportit kostot e humbjeve dhe shërbimet ndihmëse do të alokohen tek funksioni i OST-së, i cili e ka përgjegjësinë për blerjen e shërbimeve të sistemit.

Kurse të hyrat jo-tarifore propozohet që të alokohen tek OST si operator i aseteve që përdoren për të siguruar shërbimet e transitit dhe shërbime tjera të palëve të treta.

“Kostot e Fondit për burimet e ripërtritshme që menaxhohen ne Operatori i Tregut do të trajtohen gjatë përshtatjeve të rregullta vjetore”, është propozuar në raport.

Dhe në fund te propozimet thuhet që të hyrat e mbetura nga KEK që kanë të bëjnë me azhurnimet e CAPEX-it të janë shpërndarë në 5 vite me qëllim të ruajtjes së likuiditetit financiar të kompanive.

Telashe me realizim të investimeve kishte edhe KEDS-i. ZRRE-ja ka gjetur se 1.62 milionë euro nuk janë shpenzuar përkundër që u janë lejuar nga ana e ZRrE-së. Çmimi i energjisë elektrike do të ulej edhe më shumë, por vendimi i ZRrE-së për rritjen e humbjeve të faturuara kanë ndikuar që kjo ulje e çmimit të energjisë të jetë më e vogël.