Ligji per sponsorizimin në sport e kulturë, në mes të kritikave dhe lëvdatave

Amandamentimi i Ligjit për Sponzorizim në fushën e Sportit, Kulturës dhe Rinisë po shihet si i favorshëm nga qeveria ndërsa i padobishëm nga ekspertë të ekonomisë.

Të enjten e 27 qershorit, në Kuvendin e Kosovës është miratuar Amandamenti i deputetit Bekim Haxhiu, për harmonizimin e Ligjit për Tatimin e të Hyrave në Korporata me Ligjin për Sponsorizim në fushën e Sportit, Kulturës dhe Rinisë.

Në Amandamentin e deputetit Haxhiu shkruan që ‘’Kontributet e dhëna nga tatimpaguesit në formë të donacionit dhe sponsorizimeve për qëllime humanitare, shëndetësore, edukativo-arsimore, fetare, shkencore, kulturore, mbrojtje të ambientit dhe për qëllime sportive sipas këtij ligji konsiderohen si kontribute të dhëna për interes publik dhe lejohen si shpenzime deri në maksimumin prej 10% të të ardhurave të tatueshme të llogaritura përpara se të jetë zbritur ky kontribut”.

Amandamenti i Haxhiut u miratua në Kuvend me 79 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK)  e përkrahën këtë projektligj, duke shprehur falënderim për deputetët të cilët e votuan atë. KOK shkruante se ‘besojnë që ky Ligj është më i mirë për sportin dhe me këtë do t’iu hapen edhe më shumë rrugë sukseseve të shumta vendore e ndërkombëtare’.

Samir Hoxha nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në një përgjigje për KALLXO.com, thotë se Amandamenti për sportin do të ketë efekt në rritjen e sponsorizimeve nga ana e sektorit privat. Sipas tij, kjo do të ndikojë në rritjen e aktiviteteve sportive, masivizimin e sportit dhe sport më cilësorë.

“Poashtu sporti është edhe ambasador i shtetit tonë dhe me sport cilesorë ne kemi arritur të antarësohemi në shumë organizata të njohura të sportit e që kjo ka ndikuar direkt edhe në zhvillimet e politikës së jashtme të shtetit tonë”, ka thënë Hoxha.

Edhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, e kishte përkrahur miratimin e lëtij ligji. Ai kishte shkruar se presioni që ishte ushtruar rezultoi me votim mbipartiak në organin më të lartë të Republikës.

“Sot komuniteti i sportit i mori dy lajme të mira. Së pari, me shpresë u hoq edhe pengesa e fundit që sportistët e të gjitha niveleve trajnerët, punonjësit, klubet dhe federatat sportive ta gëzojnë të drejtën që ligji ua ka akorduar që para dy vite e gjysmë”, kishte shkruar Fetahu.

Në anën tjetër, kishte edhe kundërshtues të Amandamentit të Bekim Haxhiut.

Njohësi i ekonomisë, Hekuran Murati në një përgjigje për KALLXO.com, thotë se Amandamenti i deputetit Haxhiu është i pafavorshëm sepse zvogëlon hapësirën financuese për sponzorim, duke zgjedhur që në vend të përqindjes së të ardhurave, hapësira të llogaritet si përqindje e tatimit të kompanive.

“Si rezultat, hapësira maksimale e lejuar me këtë Amandament është vetëm sa 1/3 e hapësirës sa ishte në të kaluarën. Problem tjetër është edhe trajtimi i pabarabartë që u është bërë sportit dhe kulturës. Përderisa për sport bizneset lejohen të sponzorizojnë deri në 30% të tatimit në fitim, për kulturë kjo shifër është vetëm 20%.

Sipas Muratit, nuk është e sqaruar se cili tavan vlen dhe kështu bizneset do të detyrohen të zgjedhin në mes të njërës ose tjetrës.

Samir Hoxha i MKRS-së, nuk mendon se Amandamenti do të mund të përdoret nga bizneset për shpërlarje parash. Ai thotë se Kosova i ka mekanizmat relevant për luftimin e dukurive negative, përfshi këtu edhe shpërlarjen e parave si vepër e dënueshme me ligj.

“Amandamenti ne fjalë nuk besoj se do të mund të përdoret pasi që perveç komisionit të MKRS-së i cili shqyrton interesin publik të sponsorizimeve, ATK do të ketë mundësinë e kontrollimit të detajuar të sponsorizimeve, ku perfshihen edhe transaksionet bankare dhe mbikwqyrjen e veprimtarive të palëve të pwrfshira në sponsorizim. Po ashtu mekanizmat tjerw të themeluar nga shteti i Kosoves në kuadwr të detyrave zyrtare kanë për obligim që të mbikeqyrin çfarëdo aktiviteti që dyshohet për shpërlarje të parave apo për transaksione të dyshimta”, thotë Hoxha në përgjigjen e tij.

Gjithashtu edhe Murati e përjashton mundësinë e shpërlarjes së parave nga bizneset, por thotë se përsëri abuzime do të ketë.

“Për shpërlarje parash nuk ka mundësi, sepse po bëhet fjalë për para të cilat janë deklaruar si tatim, pra kanë burim ligjor. Mirëpo abuzime do të ketë sa të duash”, vlerëson Murati.

Ai thotë se praktika e zakonshme e rregullimit nëpër botë është sikurse ka qenë në ligjin e mëparshëm. Sipas tij, çdo sponzorim të u njihet bizneseve si shpenzim për arsye tatimore.

“Dhe në rastin tonë, për çdo 10 euro biznesi që ka dhënë si sponzor, 9 euro kanë qenë të biznesit dhe 1 euro ka qenë e shtetit nga tatimi. Tani me Amandamentin e ri, të tëra 10 eurot do të jenë nga shteti. Me fjalë tjera, Kuvendi e ka ulur normën e tatimit në korporata efektivisht në 7% dhe pjesën tjetër prej 3% po ua len në diskrecion bizneseve që të japin si sponzorim”, thotë ai.

Sipas Muratit, heqja e dorë e shtetit nga 30% e tatimit që mbledh, nënkupton që shteti u fal bizneseve para për marketing. Ai thotë se bizneset do të investojnë ku kanë kthimin më të madh, që do të thotë se nuk do të mbulohen të gjitha fushat e sportit njësoj dhe në fund sponzorizimet mund të përfundojnë prapë në xhepin e pronarit të biznesit.