FOTO: Atdhe Mulla

Liga e futbollit për femra në Kosovë: Më e re se shteti, por me probleme më të vjetra

Futbolli i femrave ka kaluar nëpër një periudhë shumë të gjatë që nga sezoni i parë i Ligës  së Kosovës për Femra 10 vjet më parë, por ende ka sfida që duhen kaluar që nga: mungesa e financimit, infrastruktura e deri tek paragjykimet shoqërore.

Jashtë fshatit Shkabaj, një distancë 15-minutëshe me veturë nga qendra e Prishtinës, afër Qendrës së Panairit, është e vendosur një fushë futbolli. Përmes fijeve të barit, mund të shihen gurë të vegjël dhe lëvozhga të hedhura në fushë, natyrisht nëse ka fare bar aty. Disa pjesë të fushës duken vetëm si lecka të papastra të cilat, dikur ishin bari.

Për shkak të gungave në fushë, topi kthehet në mënyrë të paparashikueshme ndërsa vajzat e KFF Kosova (P) nxehen për ndeshjen e tyre kundër KFF Llapi. “Është fushë  jo e mirë, por të paktën kemi një fushë,” thotë trajneri Ilir Sopi.

Mirënjohja e Sopit për ekipin e tij që ka një fushë në dispozicion, është e nënkuptueshme. Jo shumë kohë më parë KFF Malisheva, i cili këtë vit përfundoi i treti në Ligën e Futbollit për Femra, ishin vetëm ca bredharakë. ‘Gjithmonë duke luajtur si mysafirë’ apo siç ka dëshirë ta thotë trajneri i tyre, Valmir Krasniqi, “Nuk kemi pasur stadiumin tonë. Tash, kohëve të fundit, e kemi ndërtuar stadiumin tonë pasi tani kemi nën kontroll financat tona”, thotë ai.

Foto: Matthijs Keim

Dallimi infrastrukturor sipas standardeve që kërkohen nxjerr diçka nga një fushë e lojës e cila nuk meriton të luhet. Këtë sezon, Iliri dhe vajzat e tij u përballën me KFF Mitrovica në finalen e kupës së femrave, një ndeshje e luajtur në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

“Qysh me u përgatitë për atë ndeshje në një fushë të këtillë”, thotë trajneri, duke e fokusuar shikimin në bar. ” Ajo fushë është shumë më e mirë se kjo.”

Mitrovica fitoi ndeshjen me rezultat 7 me 1.

FOTO: Atdhe Mulla

Nuk ka të bëjë kjo vetëm me infrastrukturën, qasja shoqërore jo gjithmonë e ka ndihmuar futbollin e femrave në Kosovë. Trajneri i Mitrovicës, Seid Onbashi pranon se madje edhe ai kishte disa paragjykime të caktuara rreth futbollit të femrave në fillim të karrierës së tij.

“Në fillim, kisha një ndjenjë të pazakontë për të stërvitur femrat,” thotë ai. “Nuk e dija se femrat luanin futboll këtu në Kosovë!”

Tani, nëntë vjet më vonë, trajneri i sheh gjërat plotësisht ndryshe. “Femrat e pëlqejnë futbollin më shumë se kolegët e tyre meshkuj”, thotë ai.

Megjithatë, vajzat e reja që duan të fillojnë të luajnë futboll në Kosovë ende përballen me shumë paragjykime. Qëndresa tani është kapiten i KFF Malisheva, por në fillimet e karrierës së saj ajo ka qenë dëshmitare e trysnisë nga bashkëmoshatarët e saj.

“Rrethi im shoqëror nuk reagoi shumë mirë,” kujton Qëndresa. “Nuk u pëlqente ta shihnin një vajzë që luante futboll, por mbështetja morale e familjes sime më solli këtu  ku unë jam sot.” Përvojat e Qëndresës janë shumë të jashtëzakonshme. Pothuajse secila prej këtyre lojtareve i shpalosën për Prishtina Insight tregimet për miqtë e tyre të cilët u kanë thënë këtyre vajzave se ajo që po bënin ato nuk është normale, apo se futbolli nuk është për femrat.

Paragjykimet bëhen akoma edhepse dy futbolliste nga Kosova kanë arritur të renditen në krye të futbollit botëror për femra. Në vitin 2010, Fatmire Alushi u rendit si lojtarja e tretë femër më i mira në botë, fitoi Kupën e Botës në vitin 2007 me Gjermaninë dhe ishte Kampion Evropian në vitet 2009 dhe 2013. Kosovare Asllani u bë kohët e fundit një nga futbollistët e parë femra që u nderua me një statujë për kontributin e saj në ekipin kombëtar suedez.

Statuja e futbollistes Kosovare Asllani në Suedi
FOTO: Kosovare Asllani

Por pavarësisht suksesit të Kosovares dhe Fatmires, vajzat e reja që duan të luajnë futboll në Kosovë, zakonisht e përshkruajnë Ronaldon, Messin ose Neymarin si idhujt e tyre. Afërdita Fazlija, trajnere e ekipit kombëtar të femrave të Kosovës nuk habitet aspak. “Ata shfaqen më shumë në televizion kështu që është logjike që ata të jenë model për to.”

Megjithatë, trajneri kryesor e sheh një rol të cilin Kosovarja dhe Fatmirja do të mund ta luanin në Kosovë. “Do të ishte mirë nëse ato [lojtarët e Aferdites] mund t’i takonin ose të diskutonin me ta. Kjo do të përforconte edhe më tej mendimin e tyre që ato të mund të arrinin potencialin e tyre”.

Trajneri beson se suksesi i futbollistëve femra mund të rezultojë me efekt edhe përtej fushës. “Mendoj se mund të shërbejë si një bazë për të forcuar pozitën e grave në shoqërinë kosovare”, thotë ajo.

FOTO: Matthijs Keim

Nuk është vetëm paragjykimi se futbolli nuk është për femra, edhe shuma e parave të investuara në sport e thotë të njëjtën gjë, po ashtu.

Financimi i futbollit për femra mbështetet në organet ndërkombëtare të futbollit, Federatën e Futbollit të Kosovës, komunat dhe tek njerëzit e vullnetit të mirë. “Ne jemi gjysmë të varur nga ato që na japin njerëzit me zemër të pastër”, thotë Sopi për Prishtina Insight, teksa psherëtinë thellë.

Mirëpo njerëzit zemërmirë janë të rrallë. Projektligji për Sponsorizim dhe Donacione në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është mbajtur për vite në sirtar dhe akoma nuk është miratuar nga Kuvendi, që do të thotë se nuk ka përfitime financiare për kompanitë për të investuar në sportin vendor. Në momentin kur ky ligj do të miratohet nga Kuvendi, donatorët ose sponsorët do të kishin lehtësira nga shteti për taksat e tyre, fakt ky që do të ndikonte të investohej më shumë në sport.

Kur është fjala për financimin nga federatat, financimi ka peshë dukshëm më të madhe për sportin e meshkujve. Nga pakoja e të drejtave televizive, në vitin 2017, nga Federata e Futbollit të Kosovës, FFK, prej shumës totale prej 250,000 eurosh, vetëm 6,000 euro janë dhënë për futbollin e femrave.

Dallimi që bën Federata sa i përket përkrahjes financiare, e nevrikosë shumë Valmir Krasniqin, trajnerin e KFF Malisheva. “Hendeku është i madh. Meshkujt marrin 40,000 euro ndërsa ne marrim 4,000 euro. Le të jetë, të paktën, 50 me 50”, thotë ai.

Me pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA në vitin 2016, janë vënë më shumë të holla në dispozicion. “Vitin e kaluar kemi marrë 6,000 euro nga UEFA,” thotë Valmiri për Prishtina Insight. “Me këto para, kemi paguar për veshmbathjet sportive, ushqimin dhe gjyqtarët”.

Por edhe edhe financimi nga UEFA-s për futbollin, favorizon më shumë futbollin e meshkujve. Ndërsa klubet e meshkujve të Kosovës kanë marrë shuma gjashtëshifrore për pjesëmarrjen e tyre në garat e UEFA-së në vitin 2017, KFF Hajvalia mori më pak se 12,000 euro për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve për Femra.

Megjithatë, edhe përkundër buxheteve të vogla, përfaqësuesi i fundit i Kosovës në Ligën e Kampionëve, KFF Mitrovica, filloi punësimet me kontrata profesionale këtë vit, duke u bërë klubi i parë i futbollit për femra në Kosovë që e ka bërë një gjë të tillë. “Ne donim të shtynim kufijtë dhe t’i linim vajzat të angazhohen në ekipin tonë,” thotë Seidi.

Kontrata i obligon lojtaret që të jenë pjesë e klubit nga Mitrovica për tre vjet.

Kontratat shërbejnë edhe për një qëllim tjetër. “Unë besoj se paraja është një motivim i mirë,” elaboron Seidi. “Ekipi im paguhet shumë mirë dhe besoj se edhe nëse ekipet e tjera e bëjnë këtë, cilësia do të rritet. Ka vajza kanë luajtur futboll si profesioniste për më shumë se pesë vjet, mirëpo nuk paguhen as një qindarkë të vetme. Sigurisht, ato dëshpërohen dhe si rezultat i këtij dëshprimi, ato ndryshojnë profesionin.”

Një rritje e cilësisë për ekipet në të gjithë ligën do të ndihmonte në përmirësimin e konkurrencës. Këtë vit KFF Mitrovica fitoi ligën, duke shënuar 263 gola në 24 ndeshje dhe duke pranuar vetëm pesë. Në anën tjetër të tabelës, pra në fund të saj, Drenica nuk arriti të fitonte asnjë ndeshje dhe pranoi 157 gola.

Qëndresa po shpreson gjithashtu për një standard më të lartë të konkurrencës. “Nëse luajmë kundër Drenicës, Jakovës apo Ulpianës është sikur të luajmë kundër skuadrave të nivelit të dytë,” thotë ajo. “Ne i mposhtim ato me pesë ose gjashtë gola.

Trajnerja e kombëtares, Afërdita, gjithashtu ka shqetësime rreth ligës vendase. “Sigurisht që në një ligë që nuk ka konkurrencë, zhvillimi shkon shumë më ngadalë,” thotë ajo për Prishtina Insight.

Në muajin prill, Kosova ka luajtur dy ndeshje miqësore kundër Maqedonisë së Veriut, me një ekip prej 14 futbollistësh nga Liga Kosovare e futbollit për femra dhe nëntë futbolliste nga jashtë. “Vajzat që luajnë jashtë vendit dhe luajnë në ligat më konkurruese janë taktikisht dhe kushtimisht më të mira se vajzat që luajnë në Kosovë”, thotë Afërdita. “Mirëpo, nuk ka ndonjë dallim sa i përket aftësive teknike”.

Ashtu sikurse homologët e tyre meshkuj, ekipi kombëtar i femrave po përpiqet të kualifikohet për kampionatin evropian, i cili do të mbahet në vitin 2021 në Angli. “Meqë është kualifikimi ynë i parë, një sukses në mesin e tabelës do të ishte shumë realist,” pranon Afërdita.

Mungesa e stresit në Ligën e Futbollit për Femra bëhet edhe për shkak të tërheqjes nga liga e dy herë kampionit KFF Hajvalia, pasi që shpenzimet e mëdha dhe mungesa e një fushe e kanë bërë situatën e tyre financiarisht të paqëndrueshme.

FOTO: Atdhe Mulla

Afërdita e përshkruan situatën e Hajvalisë si diçka të veçantë. “Klubi u themelua pasi FC Prishtina vendosi të tërhiqej nga futbolli i femrave, por me vështirësitë financiare që klubet duhet të përballen, shqetësimi im është se klubet do të pësojnë të njëjtin fat dhe të shpërbëhen”.

Liga e Futbollit për Femra ka qenë dëshmitare e shumë ndryshimeve në klube. Përveç Hajvalisë, edhe KFF 13 Qershori nga Suhareka gjithashtu u shua, duke i dhënë mundësinë KFF Feronikeli nga Drenasi dhe KFF Jakova të zënë vendet e tyre. Kjo u jep hapësirë lojtarëve të sillen vërdallë. “Ne nuk shohim një rënie tek futbollistët në Kosovë,” thotë Afërdita. “Përkundrazi ne shohim një rotacion të klubeve ndërmjet komunave të ndryshme”.

FOTO: Atdhe Mulla

Mungesa e konkurrencës vendore i bën ndeshjet evropiane një sfidë. KFF Mitrovica debutoi në raundin kualifikues të Ligës së Kampionëve për sezonin 2018/19, skuadra e Seidit pësoi humbje 6 me 1, 4 me 0 dhe përsëri 6-1 kundër kundërshtarëve nga Hungaria, Republika Çeke dhe Turqia.

“Ne kemi vetëm një lojë të vështirë në ligën tonë”, shpjegon Seidi. “Andaj, kurdo që luajmë në Ligën e Kampionëve është më vështirë për ne”.

Mungesa e konkurrencës në ligën vendore nuk është vetëm një problem në Kosovë, është pamje e ngjashme në të gjithë Ballkanin; një ose dy ekipe dominojnë ligën vendase, por nuk arrijnë të bëjnë përshtypje në Ligën e Kampionëve. Një zgjidhje e mundshme mund të jetë një garë e përbashkët, por Afërdita nuk mendon se një perspektivë e tillë mund të realizohet.

FOTO: Atdhe Mulla

“Nuk e shoh që një gjë e tillë mund të ndodh shpejt për arsyen e thjeshtë sepse 90 për qind e futbollit të femrave është futboll amator”, shpjegon ajo. “Përveç kësaj, në të gjithë Ballkanin, infrastruktura nuk është mjaft e mirë për një projekt të tillë”.

Një tjetër dobësi e infrastrukturës së keqe është mungesa e tifozerisë. Përderisa në Spanjë dhe Francë, futbolli i femrave mund të tërheqë më shumë se 30.000 spektatorë, femrat në Kosovë shpesh luajnë përballë një grusht simpatizantësh.

Mirëpo Aërdita, beson se ka potencial në këto tifozeri rekorde të vendosur në Evropë dhe vë re  një rritje të interesimit për të qenë pjesë e tifozerisë në ndeshje të futbollit. “Por mungesa e infrastrukturës e bën të pamundur një rritje të tifozerisë në fushë” thotë ajo.

FOTO: Atdhe Mulla

Me të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohet futbolli i femrave në Kosovë, është e lehtë të parashikosh një të ardhme jo të mirë, megjithatë, të gjithë trajnerët, lojtarët dhe të tjerët, të përfshirë në këtë sport, mbesin optimistë.

“Nëse vajzat do të merrnin të njëjtin financim me të holla sikurse meshkujt, futbolli i femrave do të përmirësohej dukshëm,” thotë Iliri.

Kolegu i tij, Valmiri, pajtohet me të. “Kohët e fundit, femrat nën moshën 17 vjeçare, U17,  garuan në një turne në Estoni dhe fituan. Një prej vajzave nga ekipi im ishte lojtarja më e mirë në këtë turne, edhe pse kishte lojtare nga klubet më të mira në të gjithë Evropën”.

Teksa largohet, Valmiri kthen kokën dhe me një buzëqeshje thotë “Mos harroni se Kosova është një vend talentesh!”