Libri i të Përndjekurit nga Kosova Turbullon Dashurinë për Enverin

Prezantimi i librit “Kosova dhe Enver Hoxha” më 13 tetor, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, i cili paraqet dokumente historike të kohës së regjimit komunist në Shqipëri me Kosovën në fokus, nuk kaloi pa replika dhe kundërshti.

Pavarësisht natyrës së tij dokumentuese, pati pjesëmarrës që gjatë prezantimit vunë në dyshim krimet e regjimit të Enver Hoxhës – një dëshmi se miti i diktatorit u ka mbijetuar kohëve e fakteve dhe vazhdon të jetë i gjallë.

Vetë libri i autorit Esat Myftari nga Peja, diplomat karriere i Shqipërisë dhe studiues politolog, paraqet për herë të parë dokumente zyrtare të viteve 1968 dhe 1981, në të cilat pasqyrohet roli i Hoxhës dhe qeverisë komuniste të Shqipërisë në sabotimin e çështjes kosovare gjatë establishmentit jugosllav.

“Kosova dhe Enver Hoxha” përfaqëson një punë kërkimore në arkivat e kohës së diktaturës shqiptare, dhe rendit një sërë komunikimesh diplomatike, deklarata dhe letërkëmbime të brendshme të vendimmarrjes komuniste në Shqipëri.

Një sërë librash për regjimin enverist janë publikuar në Shqipëri dhe në vende të tjera, por ky material është i pari që ka një fokus të posaçëm mbi këtë temë.

Alfred Serreqi, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë në qeverinë e parë demokratike pas rënies së komunizmit, nga viti 1992 deri në 1996, i cili e kishte lexuar librin, e quajti atë një material objektiv, pa vrojtime personale të autorit.

“Është një libër studimor… që është kryer me kritere të vërteta shkencore. Kjo është arsyeja që libri është çliruar nga subjektivizmi e nga qëndrimi politik”, tha Serreqi. “E cilësoj si një libër që synon të destruktojë mitet, dhe miti kryesor është miti i Enver Hoxhës”, theksoi ai.

Esat Myftari, autor i librit “Kosova dhe Enver Hoxha” | Foto: KALLXO.com

parathënien e librit, Myftari shpjegon se ka hulumtuar raportime të diplomatëve shqiptarë në Beograd, Vjenë, Ankara, Stamboll e Paris, si dhe ka dokumentuar veprimtarinë e nacionalistëve nga Kosova.

Por, disa nga elementët pikantë që përmban ky material, sipas Myftarit, ekspozojnë sabotimin sistematik që i bëhet çështjes së shqiptarëve të Kosovës në tërësi, dhe posaçërisht njohjes së saj si republikë nga Enver Hoxha.

Madje, dokumentet dhe faktet e publikuara, pasqyrojnë edhe përndjekjen nga qeveria komuniste e Shqipërisë të veprimtarëve nacionalistë nga Kosova, në një kohë që brenda qeverisë jugosllave kishte diskutime – reale apo thjesht formale – për mundësinë e shpalljes së Kosovës republikë.

“Demonstratat e ’68-s dhe diskutimet u banë për Kosovën republikë, ky ishte boshti i kërkesës, dhe të thuash ti [Enver Hoxha] si i pari i kombit shqiptar se ‘po e bëtë ju Kosovën republikë, me të gjitha mjetet Shqipëria do t’ju luftojë’, unë nuk mundem me i dhanë dum tjetër veçse kjo është një tradhti kombëtare, sepse ai e ka ditë se një refuzim i tillë ia konsolidonte pushtetin atij [vetë]. Dhe fundit i fundit, Enveri nuk e ka ba as për Shqipërinë, e ka ba për të siguru pushtetin e vet”, thotë Myftari.

Një ndër dobësitë e pavarësisë së Kosovës, në krahasim me vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, është se ndërsa ato u ndanë nga trungu jugosllav duke pasur statusin e republikës, Kosova konsiderohej si krahinë e Serbisë.

Sipas dokumenteve të publikuara në librin e Esat Myftarit, një pjesë e kësaj përgjegjësie duhet t’i faturohet Enver Hoxhës.

Alfred Serreqi, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë | Foto KALLXO.com
Alfred Serreqi, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë | Foto KALLXO.com

Por edhe pse përmbajtja e librit ende nuk ishte e njohur për shumicën e të pranishmëve në prezantimin e tij, mospajtimet lidhur me krimet e Hoxhës, dolën në pah mes përplasjeve në sallën e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

Një nga të pranishmit në aktivitet, Rudi Berisha, rreth të 30-ave, shfaqi dyshime nëse regjimi i Enver Hoxhës, ishte përgjegjës për krimet që i ngarkoheshin dhe nëse viktimat e tij ishin vërtet të pafajshme.

“Shpesh kemi dëgjuar që Enver Hoxha ka burgosë e ka ekzekutu. Shumë pak kemi dëgjuar se çfarë aktakuzash kanë pasur këta të burgosur. Është mirë me na shpjegu të burgosurit e me na sjellë fakte pse janë burgosë këta nga diktatori Enver Hoxha”, tha Berisha.

Autori i librit, i cili vuajti 10 vjet në burgjet e Enver Hoxhës në Shqipëri, nuk i priti mirë këto dyshime.

“Shiko ti djalë, ne këtu jemi në përgjithësi të moshuar [dhe] të gjithë në një mënyrë ose tjetër jemi munduar për… kombin shqiptar. Nuk e kuptoj në atë moshë të re me ba pyetjen ‘pse s’po tregoni pse ju ka burgosë’. E tmerrshme. E tmerrshme. Unë për shembull, jam dënu për agjitacion e propagandë”, tha Myftari.

Dyshimet për krimet e Hoxhës u pritën me të qeshura dhe me komente humoristike në sallë.

Një nga të pranishmit, Uk Bashota, nuk e fshehu ironinë kur recitoi një vjershë të kohës së komunizmit në Shqipëri, gjatë romancës së këtij regjimi me komunistët kinezë:

“Fol Enver le të tundet deti

Krejt shqiptarët i ki me veti

Enver Hoxha, Mao Ce Duni

Janë si buka edhe gruni

Sikur malet legjendare

Rroftë miqësia kino-shqiptare”

Ndërsa pjesëmarrës të tjerë u revoltuan nga mbështetja për Enver Hoxhën.

“Unë banoj në Shqipëri, jam rrit aty dhe si e njoh unë Enver Hoxhën, nuk ka njeri që e njeh. Faktet tona i dimë ne, kështu që ju, vetëm teorikisht e njihni Enver Hoxhën”, një tjetër i ftuar tha i revoltuar.

Megjithatë, këto reagime nuk i fashitën dyshimet për rolin e Hoxhës në çështjen kosovare.

“Kam dëgjuar Enver Hoxhën, në bazë të atyre debateve dhe fjalimeve që i ka pasë, kur ka folë koxha shumë për Kosovën; ka folë për Kaçanikun, ka këndu kangë për Kaçanikun. Nuk po dal me mbrojt Enver Hoxhën, por po dal që… ju me ma zbulu të vërtetën. Ato fjalime që ka mbajt për Kosovën, a kanë qenë fjalime false, a nuk kanë qenë të vërteta, a s’ka pasë Enver Hoxha mënyrë emocionale për Kosovën”, tha Berisha.

Rudi Berisha, skeptik i krimeve të Enver Hoxhës | Foto: KALLXO.com

Këto dyshime e detyruan autorin e librit të shpjegojë se pavarësisht përdorimit të nacionalizmit shqiptar si vegël propagande nga regjimi i Hoxhës, e vërteta pas maskës së diktatorit ishte shumë më e errët.

“Një manipulator i tillë komunist siç ishte Enveri, t’i quante nacionalistët si anti-shqiptarë, kjo është e pakonceptueshme. Unë jam i trishtum në një aspekt tjetër, që edhe në institucionet e Kosovës… gjej njerëz që vazhdojnë me jetu me mitologjinë e tij”, tha Myftari.

Esat Myftari, punoi një vit si gazetar në të përditshmen e Kosovës, Rilindja, deri në vitin 1963, kur u arratis në Shqipëri, ku shërbeu si arsimtar për disa vite në Shëngjin. Në vitin 1976 ai u dënua me 10 vjet burg për agjitacion dhe propagandë.

Janë të shumta rastet e shqiptarëve të Kosovës, të cilët pasi u arratisën drejt Shqipërisë për të shijuar lirinë e një shteti shqiptar, atje i priste përndjekja brutale e regjimit enverist.

Por, pavarësisht krimeve të dokumentuara të Enver Hoxhës dhe dhjetëra mijë viktimave të regjimit komunist në Shqipëri, miti i një prej diktatorëve më të ashpër të periudhës së Luftës së Ftohtë, vazhdon t’i mbijetojë kohëve.

Rudi Berisha nuk është i vetëm në pëlqimin apo dyshimet e tij mbi rolin e diktatorit shqiptar. Sidomos në Kosovë, kujtimi i diktatorit të Shqipërisë fqinje vazhdon të mbahet lart me fanatizëm nga simpatizantë e ithtarë të tij.

Në të shkuarën përplasje të ashpra mes simpatizantëve të Hoxhës dhe kritikëve të tij janë pasqyruar më parë edhe në Emisionin Jeta në Kosovë.

“E adhuroj pse asht Enver Hoxha i qartë, i pastër, i drejtë; e ka majt Shqiprien sa o kanë gjallë, sikur një zog i pastër, kurrfarë problemi s’ka ndodh… tash në këtë kohën e sotme ka shumë ndryshime. Enver Hoxha kur ka qenë, ka qenë Shqipëria një grusht i kthjellët sikur uji i detit”, thoshte Sadije Bytyçi, atëherë simpatizante e diktatorit komunist.

Dashuria për Enver Hoxhën në Kosovë është më e institucionalizuar në Ferizaj, ku ndodhen zyrat e Frontit Popullor për Kultivimin e Veprës së Shokut Enver Hoxha. Deri më sot, Fronti ka lëshuar rreth 5000 libreza anëtarësimi dhe të paktën 300 prej tyre pretendohet se disponohen nga anëtarë aktivë.

Enveristët Kosovarë Mbajnë Lart ‘Zjarrin e Revolucionit’

Esat Myftari thotë se tifozllëku për Hoxhën në Kosovë, shpjegohet kryesisht nga mungesa e përvojës personale.

“Ajo që i bashkon të gjithë këta njerëz pavarësisht nga mosha, është ngaqë nuk kanë përvojë të drejtpërdrejtë personale, pra nuk e kanë përjetuar atë regjim. Në veprat e Enver Hoxhës kurrkund nuk do gjeni asnjë sharje për Kosovën, por gjithmonë lavdërime dhe një dashuni krejt false. Prandaj ta gjykosh Enverin vetëm nga ato që ka lanë trashëgimi nga shkrimet e tija të redaktume, ndoshta edhe të antidaktume, siç thonë biografistët e tij, është një gabim elementar”, thotë Myftari.

Autori thotë se ka edhe mbështetës të tjerë të enverizmit, të cilët nuk vuajnë nga injoranca.

“Ka një kategori tjetër në Kosovë që kanë gëzuar privilegjet e atij regjimi në Kosovë dhe që duke e mbrojtur, për shembull… edhe Fadilin [Hoxhën] edhe Enverin ose regjimin komunist në përgjithësi si sistem, duan ta mbrojnë dhe justifikojnë vetveten”, thotë Myftari.

Linda Gusia, sociologe dhe ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, thotë se mungesa e diskutimit të hollësishëm të fakteve për opinionin publik, si në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, ka lejuar që të mbijetojnë paqartësi dhe dyshime për Enver Hoxhën.

“Edhe në Shqipni mungon ballafaqimi me të kalumen, dhe kryesisht ka ndodhur në përjetime të rrafshit personal. Shqipnia mbetet një ndër vendet e pakta ish-socialiste që nuk i kanë hapur dosjet, që nuk është përballur në mënyrë institucionale me çfarë ka ndodhur”, thotë Gusia.

Linda Gusia, sociologe, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës | Foto: KALLXO.com
Linda Gusia, sociologe, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Gusia vë në dukje se në Kosovë janë dëgjuar shumë pak rrëfimet mbi krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe si rrjedhojë miti i tij ka mbijetuar.

“Për një periudhë shumë të gjatë është ndërtu një lloj miti i shtetit të fortë që ka ekzistu gjatë kohës së Enverit, dhe mendoj se një nga arsyet përse në Kosovë romantizohet e glorifikohet periudha e Enverizimit ka të bëjë pikërisht me brishtësinë e shteteve aktuale, përkatësisht Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Gusia.

“Dhe mendoj që kjo është edhe një tendencë e kthimit në një periudhë, kur diku në historinë e afërt kemi pasur një lloj shteti që ka funksionu”.

Gusia thotë se mes dashurisë për enverizmin dalin në pah edhe prirje patriarkale të shqiptarëve të Kosovës.

“Autoriteti i një burri të fortë shtetnor që di me thënë ‘jo’, di me u përla me të gjithë dhe me mbrojt integritetin dhe sovranitetin. Mendoj se ky është një element tjetër i përfytyrimeve sesi ka qenë koha e Enverizmit; kjo tendenca me na pëlqy autoriteti, dikush që na tregon çka me bo, një figurë e ashpër e babës e cila e udhëheq shtetin, është një mënyrë patriarkale sesi e mendojmë shtetin”, shpjegon ajo.

Ndërkohë që libri i Myftarit sapo ka dalë në shitje, dhe efekti i tij për perceptimin e Enver Hoxhës në Kosovë mbetet për t’u parë, vetë botimi i tij është një tregim brenda tregimit.

Myftari thotë se në mungesë të mbështetjes financiare për librin, në një hakmarrje të fatit, përdori para nga dëmshpërblimi i burgut në komunizëm për ta botuar atë.

“Kur i hyra kësaj pune që kishte shpenzime të mëdha… ndërsa unë me një pension modest, m’u premtua mbështetje nga një biznesmen i joni në Amerikë dhe në ditët e fundit u tërhoq, dhe një tjetër në Shqipëri. Dhe u gjenda para dilemës me e botu a mos me e botu librin, dhe u detyrova ta botoja edhe me paret e dëmshpërblimit të burgut.”

 

Gjatë Regjimit Enverist

U ndalua liria e shprehjes, e organizimit dhe besimit fetar.

U ndalua prona private.

U ndalua letërsia, filmi, muzika e huaj dhe çdo formë e artit dhe kulturës moderne.

Shqiptarët vuajtën edhe nga varfëria ekstreme.

Sipas shoqatave të të përndjekurve në Shqipëri, mbi 6,000 persona u ekzekutuan gjatë regjimit komunist.

Sipas shifrave zyrtare, mbi 34 mijë u burgosën dhe gati 60 mijë u internuan.