Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Liberalizimi i vizave: Krahasimi mes rastit të Kosovës dhe Ukrainës

Një krahasim mes zhvillimit social, politik dhe ekonomik të Ukrainës dhe Kosovës nxjerr në pah politikat asimetrike të BE-së për liberalizimin e vizave.

“Është koha për të votuar për ratifikimin e marrëveshjes. Kjo do ta lirojë rrugën e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës”, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, në mars të vitit 2018. Tri javë më vonë, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen e kërkuar nga Mogherini, por deri më sot, kosovarët vazhdojnë të privohen nga lëvizja pa viza në zonën Schengen.

Procesi i liberalizimit të vizave ka qenë i gjatë. Procesi filloi në fillim të vitit 2012, kur Komisioni Europian dorëzoi udhërrëfyesin e vizave tek zyrtarëve të Kosovës. Që atëherë, ka pasur katër raporte vjeçare për progresin e Kosovës deri në përfundimin e udhërrëfyesit në vitin 2016, kur Komiteti i Parlamentit Europian, Liritë Civile, Drejtësia dhe Çështjet e Brendshme, LIBE, rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë, komiteti LIBE votoi kundër fillimit të negociatave përderisa Kosova të përfundojë dy kriteret e mbetura: ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit kufitar me Malin e Zi dhe përmirësimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

21 Marsi shënon një vit që kur Kosova ratifikoi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, e cila u arrit me mund të madh si rezultat i polemikave politike dhe mungesës së mbështetjes publike për marrëveshjen. Megjithatë, regjimi i vizave vazhdon të mbetet.

Në vitin 2016, BE rekomandoi liberalizimin e vizave për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, vende këto të cilat nuk kanë kontroll të plotë të kufijve të tyre nacional dhe vuajnë nga një sundim i brishtë i ligjit. Përkundër kësaj, ukrainasit dhe gjeorgjianët tani po shijojnë avantazhet e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

Pasi Kosova ratifikoi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, Komisioni Europian dha dritën e gjelbër për një votim të dytë më 18 korrik 2018. Në gusht, komiteti LIBE votoi në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe në shtator Parlamenti Evropian u dakordua që të hapin bisedimet për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Sidoqoftë, procesi maratonik shtatëvjeçar mbetet ende i papërfunduar. Këshilli i BE-së, i përbërë nga ministrat e brendshëm të shteteve anëtare, duhet të miratojë ndryshimin me shumicë të kualifikuar, një sistem i zakonshëm votimi në Këshill.

Nëse e krahasojmë rastin e Kosovës me atë të Ukrainës, ka dëshmi të qarta se procesi i liberalizimit të vizave është një shembull se si BE përdor politika asimetrike. Për të pasqyruar këtë pretendim, Ukraina renditet më ulët se Kosova në shumicën, nëse jo të gjitha “indekset” ndërkombëtare, sisteme të rangimit të cilat përfshijnë mendime ekspertësh, raporte dhe sondazhe të ndryshme për të nxjerrë konkluzione mbi përparimin e shteteve në fushat e zhvillimit social, politik dhe ekonomik.

Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Indeksi i Perceptimit Ndërkombëtar të Transparencës për Korrupsion rendit Kosovën në vendin e 85 dhe Ukrainën në vendin e 130 në ranglistën e 180 vendeve të korrupsionit të perceptuar të sektorit publik. Për më tepër, Indeksi Global për Lirinë e Shtypit rendit Kosovën në pozitën e 78, ndërsa Ukrainën në vendin e 101, në vlerësimin e tyre për lirinë e mediave.

Gjithashtu, raporti i Bankës Botërore “Doing Business” e rendit Kosovën dukshëm më lartë se Ukraina. Në listën prej 190 shtetesh, Kosova renditet në vendin e 44, ndërsa Ukraina në 71, në vlerësimin e përparimit të vendeve për qasje në tregun e punës.

Sa i përket aspektit të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP) për kokë banori, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, Kosova renditet në pozitën e 98 me 4.5 mijë dollarë për kokë banori ndërsa Ukraina zë vendin e 114, me 3.13, një tregues i dobishëm për të krahasuar popullatën e Ukrainës me 45 milion njerëz dhe Kosovës me më pak se dy milion.

Ajo që e dallon rastin e Kosovës me atë të Ukrainës dhe Gjeorgjisë është prania e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, i cili vepronte me fuqi ekzekutive prej vitit 2008 deri 2018. Përgjatë kësaj periudhe kohore, EULEX pati të drejta ekzekutive për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar rastet në mënyrë të pavarur nga autoritetet e Kosovës dhe nuk ishin përgjegjës të japin llogari ndaj qeverisë së Kosovës apo popullit të saj.

EULEX-i vendosi një kombinim të personelit civil dhe policor me qëllim të instalimit të kulturës së sundimit të ligjit, përmirësimit të negociatave me Serbinë dhe forcimit të institucioneve vendore. Vendosja e këtij misioni e bëri Kosovën përfituesen më të madhe për kokë banori të ndihmës financiare të BE-së në botë si dhe praninë e personelit më të madh të menaxhimit të krizave civile.

Në vitin 2012, Gjykata Evropiane e Audituesve raportoi se EULEX-i nuk ka qenë mjaft efektiv në misionin e saj. Sipas raportit, vendet anëtare të BE-së dërguan një personel të pamjaftueshëm dhe të pakualifikuar në EULEX. Misioni u trondit dy herë: skandali i parë shpërtheu në vitin 2014 kur prokurori i EULEX, Mariah Bamieh, akuzoi një nga gjyqtarët për marrje të ryshfetit. Tre vjet më vonë, Malcolm Simmons, kryetari i EULEX-it, dha dorëheqje dhe lëshoi ​​një varg akuzash kundër organizatës. EULEX më pas zbuloi se vetë Simmons ishte subjekt i disa hetimeve për keqpërdorime të rënda.

Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Thënë shkurt, misioni më i shtrenjtë i BE-së ka dështuar në qëllimin e saj. Ironikisht, misioni përgjegjës për luftën kundër korrupsionit përjetoi skandale të brendshme të korrupsionit. Investime e mëdha, progresi i vogël dhe korrupsioni dëmtuan seriozisht reputacionin e BE-së në Kosovë.

Sot, korrupsioni dhe krimi i organizuar mbetet i lartë në Kosovë. Në fakt, sipas raportit vjetor të Komisionit Evropian për politikën e zgjerimit të BE-së, që nga viti 2008, ka pasur një rritje të korrupsionit në Kosovë.

Gjyqësori i Kosovës vazhdon të vuajë nga mungesa e efikasitetit, mungesa e transparencës dhe ndërhyrjes politike. Dështimi më i madh i EULEX-it është neglizhenca dhe paaftësia e saj lidhur me krimet më serioze në Kosovë.

EULEX nuk duhet të fajësohet për nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë; megjithatë, EULEX nuk tregoi sukses në arritjen e objektivave parësore të misionit të saj, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, përfshirë dy kriteret e fundit kyçe; ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe përmirësimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova gjithashtu qëndron më mirë se Ukraina në nivelet e perceptimit të korrupsionit, lirinë e shtypit, GDP për kokë banori dhe raportin e të bërit biznes.

Pavarësisht kësaj, shumë shtete, madje edhe shtetet ashtuquajtura mike të Kosovës po tregohen skeptikë për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. Disa prej tyre besojnë që një gjë e tillë do të prodhonte një valë emigrantësh të Kosovës në BE.

Megjithatë, frika se kosovarët mund të ‘pushtojnë’ Evropën në mënyrë të paligjshme dhe të prodhojnë destabilitet nuk qëndron, të paktën duke marrë pasur parasysh statistikat e lartpërmendura. Edhe në skenarin më të keq, nëse të gjithë kosovarët migrojnë në BE, kjo është vetëm katër përqind e popullsisë së përgjithshme të Ukrainës.

Kosova ka shumë probleme socio-politike, politikanë të korruptuar, sundim të brishtë të ligjit dhe një ekonomi të paqëndrueshme. Megjithatë, Kosova qëndron më mirë se Ukraina në pothuajse të gjitha indekset, sipas të dhënave ndërkombëtare. Kosovarët kanë bërë shumë kompromise gjatë viteve të fundit, kompromise si miratimi i Gjykatës Speciale dhe miratimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, të cilat kanë qenë jashtëzakonisht vështirë të kalohen në Kuvend për shkak të mospopullaritetit të tyre.

Liberalizimi i vizave nuk do të thotë integrim evropian, edhe pse politikanët Kosovarë përpiqen ta shesin si një gjë të tillë. Liberalizimi i vizave është thjesht lëvizja e lirë dhe benefitet që vijnë me të. Populli i Kosovës po dënohet dhe trajtohet ndryshe nga shtetet tjera dhe kjo gjë duhet të ndryshojë.

BE është në mënyrë direkte përgjegjëse për mungesën e përparimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, sepse ka investuar shuma të mëdha parash në fushën e sundimit të ligjit, pa rezultate substanciale. Deklarimet se Kosova duhet të luftojë më shumë korrupsionin në mënyrë që të gëzojë lirinë e lëvizjes në BE është hipokrizi dhe vetëm nxjerrë në pah dështimin e BE-së në Kosovë.

 Visar Xhambazi është hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS). Ai ka mbaruar studimet Master në Studime Ndërkombëtare në Old Dominion University në Virxhinia, Amerikë, me specializim në politikën e jashtme Amerikane dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.