Ngrohtorja ekzistuese, e vjetëruar e Gjakovës pret të zëvendësohet | Foto: Jeta në Kosovë

Lëngimi Njëvjeçar i Gjakovës për Ngrohtoren e Re

Derisa Emisioni Jeta në Kosovë kishte filluar hulumtimet për problemet që kishte komuna e Gjakovës lidhur me shpronësimin e një parcele për ngrohtoren e re të qytetit, më 8 qershor qeveria mori vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik.

Ngrohtorja e re e Gjakovës përfaqëson zbatimin e një projekti që parashikohet të realizohet përmes një granti të BE-së prej 12 milionë eurosh për efiçiencën e energjisë.

Projekti për ngrohtoren është parashikuar të funksionojë me biomasë, duke përdorur mbeturinat bujqësore dhe drusore si lëndë djegëse.

Parashikohet që ndërtimi i ngrohtores do t’i ndikojë rreth 100 mijë banorë të Gjakovës që aktualisht po shërbehen me sistem të ngrohjes që është 40 vjet i vjetër dhe joefikas.

Duke marrë parasysh që kosovarët i kalojnë 6 muaj në sezon të ftohtë, kjo do të thotë që shpenzimet që i bën qytetari i zakonshëm në rrymë për ta nxehur banesën apo shtëpinë do të përgjysmohen.

Por edhe pse ky grant ishte vënë në dispozicion prej një viti nga Bashkimi Evropian, një parcelë prej 2.3 hektarësh u bë pengesë për realizimin e projektit, duke i shtyrë procedurat në harkun e një viti.

Në një intervistë për emisionin Jeta në Kosovë, Janez Kopac, shefi i Komunitetit për Energji të BE-së, lëshoi alarmin se mosmarrja e një vendimi administrativ po rrezikonte një projekt kaq të madh.

“Është një ngrohje distrikti me biomasë në Gjakovë. Gjëja e vetme që nevojitet e që është në pritje që një vit është një transfer i disa tokave ku kjo pajisje e ngrohjes së distriktit mund të ndërtohet nga pronësia shtetërore”, tha Kopac.

Janez Kopac, shef i Komunitetit për Energji të BE-së | Foto: Jeta në Kosovë
Janez Kopac, shef i Komunitetit për Energji të BE-së | Foto: Jeta në Kosovë

“Është për momentin në pronësi të shtetit dhe duhet të kaloj në pronësi të komunës dhe nuk e di pse kjo nuk po mund të ndodhë por do të thoja që është skandal që ky grant kaq i madh dhe ky projekt kaq i mirë mund të zhduket për një barrierë të pakuptueshme administrative”, tha Kopac.

Gazeta Jeta në Kosovë konfirmoi se trualli i nevojshëm për ngrohtoren e re nuk është pronë private, por pronë shoqërore nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Disa javë pas deklaratës së Kopac dhe rreth një vit që nga vënia në dispozicion e fondit të BE-së, qeveria mori më në fund vendim për ‘shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit’.

Por, Komuna e Gjakovës kishte po një vit që i kërkonte qeverisë së Kosovës nisjen e procedurave për kalimin e pronave të ish-ndërmarrjes shoqërore ‘Ereniku’, nga menaxhimi i AKP-së në pronësi të komunës për nevojat e ndërtimit të ngrohtores së re të qytetit.

Komuna e Gjakovës ka ende 4,600 ha tokë bujqësore të pa-privatizuara, ndërsa komunikimi i pafrytshëm me qeverinë mori një vit të tërë për të zgjidhur çështjen e 2.3 hektarëve që rrezikojnë një grant prej 12 milionë eurosh nga fondet e Bashkimit Evropian.

Projekti për ngrohtoren e re është një prej projekteve më të mëdha që kanë ndodhur në Gjakovë gjatë dekadave të fundit dhe financimi për të cilin është fituar ekskluzivisht nga komuna, pa ndihmën e institucioneve qeveritare.

Në kuadër të kërkesave për zbatimin e këtij projekti ka qenë edhe kërkesa e komunës për ndarje të parcelës, e cila zhvilloi një maratonë të gjatë udhëtimi në sirtarë të ndryshëm të ministrive.

Në parcelën që rrezikon 12 milionë euro të BE-së, sot kullotin lopët | Foto: Jeta në Kosovë
Në parcelën që rrezikon 12 milionë euro të BE-së, sot kullotin lopët | Foto: Jeta në Kosovë

Gjakova në rrjetën e burokracisë qeveritare

Odiseada e 2.3 hektarëve që rrezikuan 12 milionë euro, u zhvillua nëpër shkresa zyrtare, dosje ligjore, procedura të ngecura shtetërore dhe rrugëtime – shpesh të panevojshme – nëpër një sërë institucionesh të qeverisjes qendrore.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, i shkroi Kryeministrit Isa Mustafa, kryeparlamentarit Kadri Veseli, ministrit të Mjedisit Ferid Agani, ministrit të Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, ministrit të Financave Abdullah Hoti dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami.

“Nga kërkesa e kësaj komune në qershor të vitit 2015 drejtuar kabinetit të Kryeministrit kemi marrë një përgjigje të shkurtër se nuk ka kohë për një takim të tillë, takimi nuk është realizua, kërkesat tona kanë qenë të precizuara në letër”, tha Kusari Lila për Gazetën JNK.

Ndërsa është e paqartë përse kërkesa për një procedurë teknike për 2.3 hektarë duhej të kalonte fillimisht nga Kryeministri, kryetarja shpjegoi se në mungesë të një përgjigjeje pozitive, komuna vendosi të provojë një tjetër institucion.

Ajo tregoi se një shkresë iu drejtua ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, duke kërkuar marrje të vendimit për transferim, “gjegjësisht për proces të shpronësimit të parcelave siç ka bërë edhe më herët Ministria e Mjedisit, duke mos marrë përgjigje me shkrim”.

Një muaj më pas iu drejtua një letër ministrit të Financave, Avdullah Hoti, duke i kërkuar atij që të prezantonte në qeveri kërkesën për shpronësim bashkë me fillimin e procedurës për vlerësim financiar.

“As nga ky ministër nuk kemi pasur përgjigje [dhe] i kemi nisur letrën tjetër ministrit Agani bashkë me propozim-vendimin për qeveri për procedurë të marrjes së vendimit”, tha kryetarja e Gjakovës, duke shpjeguar se për herë të dytë nuk morën përgjigje nga Agani.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila | Foto: Jeta në Kosovë
Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila | Foto: Jeta në Kosovë

Ky ishte vetëm fillimi i kësaj aventure burokratike. Komunës iu desh t’i shkruante të paktën tre herë Ministrisë së Mjedisit ndërsa korrespondenca kaloi disa herë nga Ministria e Financave në atë të Mjedisit, derisa u kuptua që vlerësimi financiar nga financat, në fakt, ishte një hap që do të merrej shumë më vonë, pasi të ishin kryer më parë një sërë procedurash të tjera.

Kusari pretendon se pavarësisht faktit që përgjigjet zyrtare kanë munguar, prapa kësaj është zhvilluar një lojë ping pongu ndërinstitucional.

“Shkresa përsëritet prapë më 17 maj të këtij viti, i drejtohet përveç ministrit, po ashtu edhe divizionit teknik financiar në kuadër të Ministrisë së Mjedisit”, tha Kusari Lila.

Pas gjithë kësaj aventure institucionale, Ministria e Integrimeve inicoi një takim me Komunën e Gjakovës dhe institucioneve të tjera relevante – Ministrinë e Mjedisit, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe Komisionin Evropian – për të parë se ku kishte ngecur procesi.

Në këtë takim, përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit u zotua që kërkesa për shpronësim të ngrihej në datën 23 maj në mbledhjen e radhës së qeverisë.

Por, më 1 qershor, kur Jeta në Kosovë intervistoi kryetaren Kusari Lila, në mbledhjen e qeverisë të mbajtur po atë ditë nuk ishte futur në rend dite propozimi paraprak për shpronësimin e 2.3 hektarëve.

Qeveria vendos dhe ministria përgjigjet

Më 8 qershor qeveria mori vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të 2.3 hektarëve për ngrohtoren re të Gjakovës.

Një ditë më parë, më 7 qershor, Jeta në Kosovë i kishte dërguar disa pyetje për zvarritjen e procedurave të këtij projekti kabinetit qeveritar dhe këshilltarëve të Kryeministrit.

Qeveria caktoi Servet Spahiun, drejtor i departamentit të shpronësimit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të ngritura.

Caktimi i një zyrtari teknik nga qeveria, ndonëse hapi rrugën për shpjegime teknike-procedurale, nuk mundësoi përgjigje që lidheshin me përgjegjësinë politike dhe institucionale të qeverisjes qendrore ndaj zvarritjes së procesit të shpronësimit, duke qenë se diçka e tillë pritej nga zyrtarë të kabinetit të Kryeministrit.

Spahiu tha se departamenti që ai drejton e ka marrë kërkesën e parë vetëm gjashtë muaj më parë dhe se ajo nuk ishte vetëm për ngrohtoren por për disa projekte dhe prona të ndryshme.

Servet Spahiun, drejtor i departamentit të shpronësimit në Ministrinë e Mjedisit | Foto: Jeta në Kosovë
Servet Spahiu, drejtor i departamentit të shpronësimit në Ministrinë e Mjedisit | Foto: Jeta në Kosovë

“Kërkesa e parë ka ardhur më 26 janar në 2016 në departamentin për shpronësim… edhe pse ajo kërkesë nuk ka qenë klasike për shpronësim po ka qenë kërkesë për transferim e cila është shoqëruar për katër projekte”, tha Spahiu.

Drejtori i shpronësimeve thotë se kërkesa kishte mbërritur nga zyra e Kryeministrit dhe sekretari i ministrisë.

“Pas shqyrtimit ne kemi dhënë vërejtjet dhe sugjerimet tona se në çfarë forme duhet të shkohet, çfarë duhet të plotësojë si dokumentacion teknik dhe kërkesat të cilat duhet të plotësohen që të futen në shpronësim”, shpjegoi Spahiu.

Ai tha se pas këtij komunikimi me Komunën e Gjakovës, më 25 prill kishte ardhur kërkesa e parë për shpronësim, e ndarë vetëm për projektin e ngrohtores së re.

Në garë kundër kohës

Por, kjo çështje nuk përfundon me kaq dhe nuk ka një afat të saktë se kur mund të përfundojë procesi i shpronësimit nga ana e qeverisjes qendrore.

Një sërë procedurash, vendimesh si dhe përfshirja e disa institucioneve duhet të ndodhë që shpronësimi të konsiderohet i kryer.

Drejtori i departamentit të shpronësimeve tha se pas vendimit të parë që ka marrë qeveria, procedura do të vazhdohet duke mbajtur një dëgjim publik në Gjakovë me palët e interesit, brenda fundit të qershorit apo fillimit të korrikut.

Pas dëgjimit publik, në radhë vjen vendimi i dytë paraprak nga qeveria e Kosovës, pasi kjo kërkesë përgatitet nga drejtoria e departamentit të shpronësimit në Ministrinë e Mjedisit.

Pas vendimit të dytë paraprak, procedura vazhdon me kërkesën në zyrën për vlerësim në Ministri të Financave, ku kjo ministri bën vlerësimin e pronës, çka i hap rrugën një vendimi përfundimtar

“Kjo procedurë zgjat rreth katër muaj nëse gjithçka shkon mirë dhe nuk ka probleme”, përfundoi Spahiu.

Ndërkaq, Komuna e Gjakovës ka pohuar se kërkon ta shpejtojë procesin sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që projekti i ngrohtores së re të arrijë të bëhet funksional brenda dy viteve.

Megjithatë, mbetet e paqartë se përse zyrave të ndryshme të qeverisë iu desh një kohë kaq e gjatë për ta adresuar çështjen në departamentin e duhur apo për t’i shpjeguar komunës se ku duhej ta drejtonte kërkesën e saj.

Nga ana tjetër, është edhe më e paqartë në rastin e Komunës së Gjakovës, posaçërisht për zyrën e saj juridike, sesi praktikisht në harkun e një viti, nuk qe në gjendje ta kuptonte se ku dhe në cilën formë duhej të drejtohej kërkesa për shpronësim.

Në çdo rast, sa kohë që çështja e kalimit të 2.3 hektarëve në pronësinë e komunës të zgjidhet përfundimisht, granti prej 12 milionë eurosh i Bashkimit Evropian vijon të jetë në pikëpyetje.

 

Për Ngrohtoren e re të Gjakovës

Investimi prej 12 milionë eurosh në Gjakovë, është një mision sfidues për komunën.

Amir Shala, drejtor i ngrohtores ekzistuese të Gjakovës | Foto: Jeta në Kosovë
Amir Shala, drejtor i ngrohtores ekzistuese të Gjakovës | Foto: Jeta në Kosovë

Që në fillim, ai kërkon fuqi të përshtatshme punëtore dhe angazhim të fermerëve për shitjen e mbetjeve bujqësore.

Diçka e tillë përkthehet në vende të reja pune, ndërsa prodhimi paralel i energjisë elektrike nga ky impiant i ri paraqet përparësi të shtuara, duke marrë parasysh edhe efiçiencën e teknologjisë së parashikuar deri në nivelin 97 për qind.

Amir Shala, drejtori i ngrohtores ekzistuese, e cila pritet të zëvendësohet me impiantin e ri, përmendi një sërë përfitimesh të projektit të ri të ngrohjes në Gjakovë.

“Përmirësimi i ngrohjes, ulja e shpenzimeve, përmirësimi [ulja] në ndotjen e mjedisit, në prodhimin e energjisë elektrike në 1.5 megavat, rritjen e performancës së Kosovës në energjinë efiçiente”, përmend Shala disa prej përfitimeve kryesore në sferën e energjisë dhe mjedisit.

Gjithashtu, ai thotë se projekti i ri do të nxisë krijimin e vendeve të reja të punës të cilat lidhen me procesin e ndërtimit, ndërsa të gjithë fermerët që do të merren me pastrimin e pyjeve dhe të mbetjeve bujqësore, si rrjedhojë do të angazhohen edhe jashtë sezonit të mbjelljeve.

“Ato mbetje të cilat janë djegur tradicionalisht nëpër ara, ato mund të digjen në bojlerët tanë”, theksoi Shala.

Qytetarët e Gjakovës janë në pritje edhe të disa vendimeve të tjera nga qeveria për ‘Zonën e Lirë Ekonomike’ dhe ‘Zonën Industriale’, si dhe veprimeve konkrete për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës.

Sipas komunës, këto kërkesa që tash e sa kohë i janë dërguar qeverisë, por nga ana e saj ende nuk janë marrë veprime konkrete për zgjidhjen e këtyre çështjeve.