Foto: Ilustrim

Lëmshi i Tenderit për Thëngjill Vonon Ngrohjen në Shkolla

Komuna e Lipjanit këtë vit ende nuk është furnizuar me thëngjill për t’i ngrohur shkollat dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Tepricat e qymyrit për ngrohje janë përdorur gjatë ditëve të ftohta të muajit tetor e nëntor.

“Për momentin nuk kanë problem me ngrohje pasi janë duke i përdorur tepricat e thëngjillit nga viti i kaluar”, i ka thënë Gazetës JnK, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.

Vonesat e furnizimit të shkollave dhe ambulancave me qymyr janë shkaktuar për shkak të zvarritjeve të tenderit që ishte hapur vetëm në muajin korrik. Tenderin për furnizim me qymyr ka shkuar dy herë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Herën e parë, Gjykata e Tenderëve kishte konstatuar se kishte shkelje të Ligjit të Prokurimit, ndërsa herën e dytë i ka dhënë të drejtë Lipjanit duke e lejuar Komunën e Lipjanit për të nënshkruar kontratën.

Komuna e Lipjanit është ankuar se vonesa për të hapur tenderin për furnizim me thëngjill, vjen si pasojë e një udhëzim administrativ të Agjencisë Qendrore të Prokurimit AQP që ua ka ndaluar komunave blerjen e thëngjillit, produktet për ngrohje, etj. Ky aktivitet, sipas komunës, fillimisht ishte paraparë të kryhet nga AQP-ja.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se AQP-ja ka dështuar në blerjen e këtij produkti dhe e ka njoftuar komunën që vetë komuna ta fillojë këtë aktivitet të prokurimit.

“AQP, ka nxjerrë një udhëzim administrativ me të cilin komunave ua ka ndalu për një kohë të gjatë blerjen e thëngjillit, derivateve të naftës, produkteve për ngrohje dhe një varg artikujsh të tjerë dhe kjo na ka majtë peng për 6 muaj se nuk na kanë dhanë të drejtën me lidh kontratë me asnjë operator sepse AQP do t’i zgjedh operatorët për furnizim”, tha Ahmeti.

Sipas tij, kjo pengesë ka ndikuar që puna të mos kryhet me kohë.

“Në momentin e fundit kur ata kanë dështu na kanë dërgu shkresën që tash merruni ju komunat. Dhe normalisht që kjo na ka marrë kohë dhe na ka pengu, sepse kjo punë është dashtë me u përfundu verës sikurse çdo vit tjetër”, tha ai.

Muharrem Shahini, zëdhënës i Ministrisë së Financave, ka thënë për Gazetën JNK, se AQP ka zbatuar vendimin e qeverisë që prokurimet qendrore të mos zhvillohen në formën fizike/tradicionale prej 1 prillit 2016, por vetëm në formë elektronike apo e-prokurimit.

“Bazuar në këtë vendim, AQP ka kërkuar që të rishqyrtohet ky vendim dhe të lejohet që AQP të vazhdojë me procedura të prokurimit edhe në formën fizike, sepse nuk ka trajnime të mjaftueshme për operatoret ekonomikë (OE) dhe autoritetet kontraktuese (AK), po ashtu platforma ka pasur probleme teknike në funksionimin e saj”, tha Shahini.

Më tutje njoftoi se Qeveria e Kosovës më datën 5 prill 2017 e ka autorizuar Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) që të vlerësojë dhe vendosë për nivelin e platformës- përkatësisht moduleve të platformës së prokurimit elektronik dhe si rrjedhojë KRPP-ja ka lejuar AQP-në që të vazhdojë me procedura të prokurimit edhe në formën fizike edhe në formën elektronike apo e-prokurimit me mundësi që operatori ekonomik të përzgjedhë formën e dorëzimit te ofertave.

Ai ka pranuar se si pasojë e këtyre akteve ka pasur vonesa me furnizim.

“AQP duke marrë për bazë vonesat që janë shkaktuar si pasojë e këtyre akteve, ka lejuar autoritetet kontraktuese që të zhvillojnë vetë disa nga procedurat e prokurimit vetëm për vitin fiskal 2017 duke përfshirë edhe furnizim me thëngjill, gjithmonë duke ndjekur te gjitha procedurat e parapara me Ligjin mbi Prokurimin Publik”, theksoi Shahini.

AQP-ja i ka lejuar Komunës së Lipjanit të vazhdojë procedurat e tenderimit vetëm për vitin aktual, pra vitin fiskal 2017.

Komuna e Lipjanit në korrik 2017 ka hapur tenderin për furnizim me thëngjill, por ende nuk është furnizuar për shkak të ankesave dhe ngecjes së kontratës në OSHP.

Njoftimi për dhënie të kontratës është shpallur më 28 gusht 2017 dhe për kontratë ishte rekomanduar “Gresa Commerce” me vlerën 44 mijë e 548 euro.

Operatori ekonomik “AOME”- pjesëmarrës në ofertë, me pretendim se oferta e tij kishte qenë më e lira ishte ankuar pranë autoritetit kontraktues dhe kishte marrë përgjigje negative me ç ‘rast kishte vazhduar ankimin pranë OSHP-së. Përveç pretendimeve të tij ai ishte ankuar se operatori ekonomik fitues në ofertën financiare kishte gabim aritmetik.

OSHP-ja sipas vendimit nr.314/17 kishte marrë vendim që tenderi të shkojë në rivlerësim duke u bazuar në raportin e ekspertizës së operatorit ekonomik fitues se kishte gabime aritmetike për njësi më shumë se që e lejon ligji- mbi 2% në njërin prej pozicioneve, si dhe kishte vlerësuar se kompanisë ankuese “AOME” i mungonte dëshmia mbi projektet e realizuara për tre vjet, ashtu siç kërkohej në dosjen e tenderit.

Komuna e Lipjanit pas rivlerësimit kishte shpallur prapë fituese kompaninë NTP “Gresa Commerce” me rregullimin e gabimit aritmetik për njësi në pozicionin e kërkuar dhe pasi kompania e kishte pranuar gabimin. Në njoftimin për dhënien e kontratës tani figuron vlera e përgjithshme prej 44 mijë e 260 eurove, më e ulët për 288 euro.

Kompania “AOME” edhe pas rivlerësimit serish u ankua në Gjykatën e Tenderëve, me pretendimet e ngjashme si herën e parë se ishin bërë shkelje ligjore. Eksperti shqyrtues, pas shqyrtimit të pretendimeve të kompanisë “AOME” kishte konstatuar se gabimet aritmetikore kanë qenë 0.72% në totalin e vlerës dhe nuk e tejkalonin vlerën prej 2% të lejuar ligjërisht.

Në seancën e mbajtur me 1 nëntor 2017 pranë OSHP-së, përfaqësuesi i kompanisë “AOME” Hasim Makolli, ka kërkuar që të pranohet si e bazuar ankesa e tij dhe lënda të shkojë në rivlerësim.

“Ne nuk pajtohemi me mendimin e ekspertit për herën e dytë, pasi kjo ka llogaritur se nuk ka kaluar 2% të totalit, kurse vendimi i parë gjen se ka gabuar ‘Gresa’ më shumë se 2%”, thoshte Makolli.

Përfaqësuesi i Komunës së Lipjani Daut Reçica tha se pasi që lënda është kthyer në rivlerësim, ne kemi gjetur një gabim prej 346 eurove dhe është 0.73% e vlerës totale, pra brenda vlerës së lejuar ligjore.

Ndërsa, më 7 nëntor OSHP-ja, në vendimin e publikuar e ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “AOME” Sh.P.K, por duke vërtetuar njoftimin për dhënie të kontratës nga Komuna e Lipjanit.

Në vendim thuhet se autoriteti kontraktues në afat prej 10 ditësh duhet ta informojë me shkrim panelin shqyrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.

Ndërkaq, meqenëse ankesa e kompanisë “AOME”, është aprovuar si pjesërisht e bazuar, i kthehet tarifa e ankesës në shumën e deponuar me rastin e parashtrimit të ankesës.