LDK: Marrëveshja për Presidenten Duhet të Implementohet

Kryesia e LDK-së ka shqyrtuar, në një mbledhje të mërkurën, situatën e krijuar pas interpretimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese të propozim-neneve për reformën kushtetuese.

Në një deklaratë për shtyp, kjo parti konsideron se marrëveshja politike e nënshkruar nga kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa; ai i AKR-së, Behgjet Pacolli, e dëshmuar nga ambasadori i SHBA-së, Christopher Dell, dhe e pranuar si e tillë nga presidentja Atifete Jahjaga, gjatë negociatave dhe në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës, nuk ka të bëjë me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Marrëveshja politike, fjalë për  fjalë, është shndërruar në një rezolutë të Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të asaj rezolute është votuar presidentja dhe janë krijuar komisionet për reformën kushtetuese dhe zgjedhore”, thekson partia më e madhe opozitare.

Lidhja Demokratike shpreh vendosshmërinë dhe përkushtimin e saj për përmbushjen e marrëveshjes politike. LDK vlerëson se marrëveshja duhet të implementohet në tërësi, duke përfshirë edhe afatet kohore të përcaktuara nga Kuvendi i Kosovës.

LDK kërkon nga palët nënshkruese, Thaçi, Pacolli, Jahjaga dhe përfaqësuesi i Qeverisë së SHBA-së, si inicuese dhe ndërmjetësuese, që ta respektojnë marrëveshjen në tërësi, në mënyrë “që të mund të çohen përpara reformat dhe që vendi të ketë presidentin që do të dalë nga vullneti dhe nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve të Kosovës”.

Lidhja Demokratike thekson se respektimi i marrëveshjeve politike është normë elementare për funksionimin e jetës politike demokratike dhe të institucioneve të një vendi dhe se mosrespektimi i marrëveshjes në fjalë bën të pamundur që të arrihen marrëveshje të tjera.