LDK e VV refuzojnë 'dorën e zgjatur' të Listës Serbe për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj

Partitë politike më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të cilat e fituan mandatin në Kuvendin e Kosovës,  pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën në vitin 2017, në vazhdimësi kanë kundërshtuar ashpër Qeverinë në krye me Ramush Haradinaj, si dhe kanë paralajmëruar mocion mosbesimi për rrëzimin e saj.

Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një  seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 9 shtator 2017, me 61 vota. minimumi që i duhet një qeverie për ta marrv besimin e deputetëve.

https://kallxo.com/kalon-ne-kuvend-qeveria-haradinaj/?fbclid=IwAR0WCkYJjAt6U66Vu5VQkz-rSPmiAh9LmmDsA981WeE4BG5e-jvMp98w3Dw

Miratimi i ekzekutivit aktual kosovar, u mundësua falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, megjithëse kjo e fundit tashmë ka dhënë dorëheqje nga funksionet e saj në institucionet e Kosovës.

Rrjedhimisht, kjo bëri qe koalicioni qeverisës që përbëhet nga PDK-AAK-NISMA, i njohur si PAN, të mos i ketë votat duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.

Por shumë gjëra ndryshuan kur Partia Socialdemokrate (PSD), e cila me 12 deputetë të cilët u shkëputën nga Lëvizja Vetëvendosje dhe e formuan grupin e tyre parlamentar, ‘ia bën votat qeverisë’ për kalimin e disa ligjeve, duke ‘e kushtëzuar’ në marrjen  e disa vendimeve, që sipas tyre janë në interes të vendit dhe qytetarëve të Kosovës.

Kushti ‘fantazmë’ i PSD-së për Qeverinë Haradinaj

Në anën tjetër, LDK-ja dhe LVV-ja janë deklaruar se nuk i kanë numrat për t’ia arritur qëllimit të tyre që përmes një mocioni të mosbesimit ta heqin kryeministrin Ramush Haradinaj nga pushteti.

Ndërkaq, edhe PSD-ja thotë se do t’i bashkohet kauzës kundër qeverisjes aktuale.

Këtë javë, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Igor Simiq, ka thënë se ky grup prej 10 deputetësh është i gatshëm për ta votuar një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, nëse subjektet politike shqiptare i sigurojnë 51 votat tjera të nevojshme për mocion.

Ai në një deklaratë për televizionin serb Pink ka thënë se deputetët e Listës Serbe do të kthehen në Kuvend “atëherë kur opozita të sigurojë votat e nevojshme për ndryshimin e qeverisë”.

Por a do t’i pranonin votat e deputetëve të Listës Serbe, ligjvënësit opozitar, për ta ‘mposhtur’ Haradinajn, pasi të njëjtat ishin siguruar për ta formuar qeverinë aktuale të Kosovës?

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj ka deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë, se nuk e kanë në agjendë bashkëpunimin me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë.

“Qeveria e Kosovës është duke qeverisur aq keq, saqë sa më shpejt duhet të rrëzohet dhe kjo duhet të ndodhë me një bashkëpunim të brendshëm mes partive politike shqiptare, më pas ta arrijmë numrin e nevojshëm që ta rrëzojmë, ose të bindet kjo qeveri, në mënyrë që më pas të shpërndahet parlamenti dhe të shkojmë në zgjedhje. LDK nuk i ka në agjendë konsultat dhe takimet me Listën Serbe për t’u marrë me këtë çështje”, theksoi deputeti.

Sipas Selmanajt, kërkesa për zgjedhje nuk është vetëm çështje ‘numrash’.

“Është fakt që ne [LDK] me LVV-në nuk i kemi numrat, por kjo çështje nuk mund të simplifikohet. Nuk është krejtësisht punë matematike, është çështje  e interesit shtetëror dhe kombëtar të Kosovës”, shtoi ai për Gazetën JnK.

LDK vlerëson se vendimi për udhëheqjen e re të shtetit, duhet t’i takojë qytetarëve përmes votës së lirë.

“Kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më tutje kështu, sepse jo vetëm nepotizmi në institucionet publike, jo vetëm abuzimin i parasë publike, por tashmë edhe me qëndrimin për territorin e Kosovës dhe raportin tonë me ndërkombëtarët, gjithçka kanë vënë në pikëpyetje”, përfundoi deputeti opozitar.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje mohon në mënyrë kategorike bashkëpunimin e mundshëm me deputetët e Listës Serbe, për ta rrëzuar koalicionin qeverisës.

Deputeti i LVV-së Rexhep Selimi, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se, pushteti dëshiron ‘ta shfajësojë veten’ në raport me Listën Serbe, duke tentuar ta përdorë opozitën dhe kërkesën për zgjedhje.

“Unë po e kuptoj shumë mirë lojën e pushtetit, që me e çu vendin në zgjedhje edhe përmes Listës Serbe, duke u munduar ta shfajësojnë vetën për atë që kanë bërë në ditën e formimit, kur qeverinë e kanë formuar përmes Listës Serbe. Kjo qeveri është formuar me koalicionin PAN dhe me Listën Serbe. Pa Listën Serbe kjo qeveri nuk do të mund të formohej. Është një investim shumë i madh i pushtetit për të na barazuar ne në raport me Listën Serbe”, vlerëson Selimi.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk barazohet kurrë me Listën Serbe dhe koalicionin PAN.

“Ky koalicion ka bërë Qeverinë me Listën Serbe, me bekimin e Vuçiqit [presidentit serb Aleksandar Vuçiq] dhe këtë barrë, këtë faj nuk do të mund t’ia heqë askush”, thotë Selimi për Gazetën JnK-në.

Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

“Qëndrimi ynë është që ne në zgjedhje do të shkojmë, Qeveria e Kosovës do të bie. Ajo do të bie sepse duan qytetarët e Kosovës, e jo pse dëshiron Serbia. Në zgjedhje do të shkojmë jo kur do Vuçiqi dhe Serbia, por kur duan qytetarët e Kosovës dhe kur ka nevojë vendi. E tash Kosova, qytetarët e Kosovës kanë nevojë të zgjedhin. Ne as nuk ua kërkojmë ndihmën Listës Serbe dhe as nuk mbështetemi në kontributin e tyre. Kaq”, ka përfunduar deputeti opozitar.

Në anën tjetër, edhe Partia Socialdemokrate (PSD), thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka përkrahje nga ky subjekt politik, lidhur me qëndrimin e  saj në pushtet.

“Ne jo vetëm që jemi ende i vetmi grup parlamentar opozitar që i ka dorëzuar zyrtarisht nënshkrimet për mocion për rrëzimin e Qeverisë, por edhe do të votojmë për rrëzimin e kësaj qeverie, që në momentin e parë që sigurohen votat në Kuvendin e Republikës, pa votat përcaktuese të Listës Serbe/Beogradit”, thuhet në përgjigjen e PSD-së për Gazetën Jeta në Kosovë, përmes postës elektronike.

Shprehja e shumëpërfolur në Kosovë për ‘rrëzimin e Qeverisë’, është lakuar edhe brenda vetë koalicionit qeverisës, për shkak të vendimit të ekzekutivit kosovar për vënien e taksës doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, në nëntor të vitit 2018.

Kryeministri nuk po lëshon pe nga vendimi, kurse partnerët e tij në koalicion siç është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kërkuar pezullimin e taksës.

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se të gjitha qeveritë mund të bien kur janë në pyetje raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trekëndëshi i ‘thumbimeve’ politike

Vendimi i Qeverisë për t’i vënë tarifë prej 10 për qind e më pas edhe 100 për qind këtyre produkteve, ka bërë që partnerët strategjik të Kosovës, t’i bëjnë presion kryeministrit Haradinaj që ta pezullojë atë vendim.

Madje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë paralajmëruar ndryshim të raporteve me Kosovën, nëse nuk merren për bazë “këshillat” e tyre.

Për shkak të taksës, edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar, pasi shteti serb ka bojkotuar procesin në shenjë revolte.

Përkundër këtyre zhvillimeve, në Kuvendin e Kosovës është miratuar platforma për bisedimeve me Serbinë, si dokument zyrtar i Delegacionit Shtetëror të Kosovës, i cili udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti.

https://kallxo.com/platforma-e-kosoves-zemeron-serbine/