Ky ishte Vokrri me këmishë

Fadil Vokrrin do ta mbaj mend veç me pantollona e këmishë, përderisa shumë të tjerë kanë kujtime prej kohës kur ai ishte 9-shi i Prishtinës apo 10-shi i Partizanit. Asnjëherë nuk e kam parë me top, përveç në videot e pakta që ekzistojnë në internet.

Prandaj, sot, do ta rrëfej njohjen time për Vokrrin me këmishë.

Si gazetar më ka ra rasti ta takoj/intervistoj disa herë, ama vetëm për çështje politike, meqë atij iu desh ta bëjë punën që nuk i takonte, e që vështirë se dikush tjetër do bënte më mirë se ai.

Mbaj mend një deklaratë të Vokrrit gjatë realizimit të filmit dokumentar “InDirekt” që e kishim përgatitur bashkë më kolegun gazetar Darko Shper nga Serbia. Pjesë e këtij dokumentari ishin sportistët e mëdhenj të kohës së ish-Jugosllavisë për të cilët asnjëherë s’kishin ekzistuar stereotipet për kombet e njëri tjetrit, stereotipe që vazhdojnë edhe sot.

Vokrri ishte ylli i klubit bardhezi të kryeqytetit serb, Partizanit, bash në kohën kur në Kosovë gjërat nuk po shkonin mirë.

Kryengritja popullore e viteve të 90-ta që kishte filluar me minatorët e Trepçës, kishte bërë bujë të madhe, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Regjimi i atëhershëm, ia kishte kërkuar një favor Vokrrit, për të cilin Vokrri kishte folur veç në 2017, 28 vjet më vonë.

“Mua më kanë ftuar edhe televizionet e atëhershme që kanë qenë 100% në funksion të regjimit që të bëj apel si një person publik te minatorët që të dalin nga zgafella, por unë asnjëherë nuk e kam pranu atë”, kishte thënë Vokrri në intervistën e tij për dokumentarin “InDirekt”.

Megjithatë, ai ishte krenar për diçka shumë fisnike gjatë kohës sa kishte qenë pjesë e Partizanit.

“Ndihem krenar që e kam përfaqësu kombin tim dhe Kosovën time atje”, kishte deklaruar Vokrri.

Vokrri për mua mbetet njeriu më modest që kam intervistuar.

Ai ka respektuar të tjerët më shumë se sa e kanë merituar. Rrallë herë ia thoshte të tjerëve atë që duhej thënë për ta apo zhvillimet sportive e politike. Ai ishte njeriu kryesor në rrugëtimin politik për anëtarësim në UEFA e FIFA dhe ia arriti këtë synim. Ani pse shumë tentuan të lartësohen me të, ai kurrë nuk e tha këtë.

Mbaj mend shumë mirë majin e vitit 2016 kur Kosova fillimisht u bë anëtare e UEFA-së e pastaj e FIFA-së.

Të gjithë besonim paraprakisht në një rezultat pozitiv, mirëpo në njëfarë forme, tinëz të tjerëve kishim frikë të madhe në zemërgjerësinë e përfaqësuesve të federatave tjera europiane.

As ministri i sportit, as presidenti i KOK-ut po as edhe një përfaqësues i lartë shtetëror nuk kishte marrë mundin të thërrasë një konferencë për media para anëtarësimit, të flasin për pritshmërinë, për rrezikun apo çkado tjetër. Për lobim mos të flasim. Kishin shijen e hidhur të festimeve të parakohshme në rastin e UNESCO-s. Fadili udhëtoi gjithmonë i vetëm, mirëpo në fotografi nuk munguan ata që nuk do duhej të ishin.

Modesti shtatshkurtër, me një frëngjishte të bukur për vesh, e realizoi ëndrrën e të gjithë neve, për të cilën asnjëherë nuk u përpoqëm sa duhet. Ai arriti ta bëjë lloçin e Kosovës me flamur në UEFA e FIFA. Mundin e bërë nga Vokrri e kam kuptuar veç pas anëtarësimit. Për këtë i kërkoj falje sot.

Suksesi i tij për anëtarësim në këto dy shtëpi të futbollit erdhi pas dështimit të politikës dhe politikanëve për ta anëtarësuar Kosovën në UNESCO, duke mos i bindur as shtetet që e kanë njohur Kosovën. Vokrri e bëri të kundërtën.

Vokrri asnjëherë nuk kërkoi shumë, përveç një stadiumi, të cilin askush nuk ia dha. Sot, kur ai vdiq dhe ne flasim se Stadiumi Nacional apo ai i Prishtinës duhet të ketë emrin e tij.

9-shi shtatshkurtër, e donte stadiumin edhe kur ishte gjallë. Për të kurrë s’ka pasur rëndësi emri që do të mbante ai stadium.

Atij iu kishte thënë miqësisht nga zyrtarë të UEFA-së që rrezikojnë të përjashtohen pak muaj pasi që ishin pranuar. Krejt kjo për shkak të mos gatishmërisë së institucioneve tona për infrastrukturën sportive. Ne nuk u përjashtuam edhe pse ende jemi zero me infrastrukturë. Kjo besoj që është veç meritë e tij, që kurrë se përmendi.

Vokrri që do duhej të ishte vetëm shef organizate, në të vërtetë kishte qenë më shumë se kaq.

Në këtë shkrim, nuk mundem pa e përmendur edhe hipokrizinë e politikanëve tanë, të cilët asnjëherë nuk punuan për përmirësimin e infrastrukturës sportive. Të gjithë ata, të cilët 9-shi kishte vendosur t’i kursente në heshtje, ngushëlluan për vdekjen e tij, publikuan fotografi, kupa, rezultate e kujtime me Vokrrin e të Vokrrit.

Modesti vdiq pa stadium, ndërkohë politikanët që nuk arritën t’i bëjnë bashkë disa miliona euro për ndërtimin e një stadiumi, arritën t’i falin 53 milionë për 18 ditë.

Modesti nuk pranoi t’i mallkonte sa ishte gjallë. E meqë këtë s’mund ta bëjë më asnjëherë, ju vazhdoni e thurni elozhe për të, përgatiteni ceremoninë e varrimit të tij, e quajeni mit, e thoni çka të doni. Shfrytëzojeni figurën e tij, se të tillë jeni, shfrytëzues.

9-shit me këmishë nuk mund t’ia falim që ishte aq modest me ata që nuk do duhej të ishte. Ai nuk u bë mit sot, modesti ishte bërë mit brenda nesh edhe para se të vdiste, e këtë pak njerëz e arrijnë.