Kuvendi Voton Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe

Lëvizja Vetëvendosje dhe disa deputetë tjerë të veçantë tentuan të shtynin pa sukses votimin për rezolutën që i jep mbështetje marrëveshjes ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, të arritur të premten në Bruksel.

Subjekti opozitar tha se marrëveshja bëhej për hir të karrierës politike personale të shefit të qeverisë dhe ndërhyn në kushtetutën dhe ligjet e vendit. “Hashim Thaçi është kulmi i korrupsionit”, tha deputeti Glauk Konjufca i Vetëvendosjes. 

Deputeti Sabri Hamiti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) tha se me marrëveshje as nuk është krijuar autonomi për serbët e as nuk është njohur Kosova nga Serbia, por se është krijuar asimetri pushteti.

“Unë kërkoj që të mos votojmë sot, por ta studiojmë materialin pasi as nuk jemi në prush e as nuk është luftë”, tha Hamiti.

Deputetët e Vetëvendosjes ngritën parulla në Parlament kundër marrëveshjes si dhe në kohën kur Thaçi po përgatitej të mbante fjalim përmbyllës të diskutimit ia lëshuan zërin e bisedës së tij të njohur si “Pronto” me shefin e grupit parlamentar Adem Grabovci, të incizuar nga EULEX-i derisa ky i fundit gjendej nën hetime.

Thaçi nuk mundi ta mbajë këtë fjalim as pas kthimit nga një ndërprerje e shkurtë e seancës.

Më herët gjatë seancës ai tha se me marrëveshjen e së premtes kishin fituar të gjithë. 

Kuvendi i tensionuar me deputetët e Vetëvendosjes që kërkonin nga kryetari Jakup Krasniqi të shtynte seancën si dhe të mos votonte, me votat e 89 deputetëve, e aprovoi marrëveshjen mëngjesin e hershëm të së hënës.

Marrëveshja krijon bashkësinë e komunave serbe të Kosovës me kometenca të plota për sektorë si ekonomia e planifikimi urban, shëndetësia e edukimi, pastj me kompetenca të përzgjedhjes së drejtuesve policorë për rajonin e veriut, për gjyqtarët etj., si dhe fut brenda kornizës së institucioneve të Kosovës strukturat ekzistuese të sigurisë të serbëve të vendit.