Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Kuvendi synon t’ia ndalojë qeverisë shpenzimet ‘pa kriter’ të parave rezervë

Edhe pse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideroi seancë “pa lidhje‘  debatin parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara dhe kërkoi mbylljen e saj, debati vazhdoi deri në shterim.

Partitë në pushtet dhe ato opozitare shpërfaqën kundërshtimet dhe mospajtimet e tyre për shpenzimin e parasë publike nga rezerva e buxhetit të shtetit.

Megjithatë, dy pikat e rezolutës së propozuar nga opozita nuk arritën të dalin në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj, ka paraqitur dy pika të rezolutës për të cilat ishte i hapur për t’i plotësuar.

  1. Qeveria e Republikës së Kosovës të ndalë praktikën e ndarjes së mjeteve financiare pa kriter dhe pa respektuar dispozitat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë;
  2. Në një afat prej 1 jave, Qeveria përkatësisht Zyra e Kryeministrit të sjellë në Kuvend një raport për proceduarat e zhvilluara për të realizuar aktivitetet për mënyrën e shpenzimit të mjeteve me fokus të tri ngjarjeve: Shënimin e përvjetorëve 2018-2019 që lidhen me përvjetorin e Pavarësisë dhe shënimin e 505 vjetorit të vdekjes së Gjegj Kastriot Skënderbeut.

Përkundër shprehisë së zakonshme të deputetëve për t`u vonuar në mbledhjet plenare, seanca e sotme e thirrur për në orën 10:00 ka nisur me vetëm 15 minuta vonesë.

Driton Selmanaj, e filloi debatin parlamentar duke kritikuar qeverinë për shpenzimet e mëdha nga rezervat shtetërore për aktivitete të ndryshme.

Selmanaj tha se vetëm në pjesën e fundvitit 2017 dhe 2018 qeveria e Kosovës ka nxjerr mbi 60 vendime të veçanta që kapin shumën prej 8 milionë e 387 mijë e 282 euro nga linja buxhetore shpenzime të paparashikuara.

“E njëjta praktikë po ndodh edhe gjatë këtij viti ku vetëm për periudhën janar – shkurt 2019 me vendime të qeverisë janë ndarë mbi 1 milion e 700 mijë euro përfshirë këtu dhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej 500 mijë euro për realizimin e shënimit të aktiviteteve për 11 vjetorin e pavarësisë”, tha ai.

Ndërkaq, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës Safete Hadërgjonaj ka kritikuar ashpër partitë opozitare LDK-në dhe LVV-në për thirrje të seancave të jashtëzakonshme.

Hadërgjonaj ka thënë se seancat po thirren kot dhe me propaganda.

Deputetja shtoi se LDK-ja sikur do të largohet nga llogaridhënia sa ka qenë në qeveri.

“Dy partitë opozitare na dalin si engjëj, por nuk lënë gjë pa bërë vetë. LDK sikur do të largohet nga llogaridhënia pasi një vit e gjysmë ka vendosur vet si t`i ndajë mjetet. Këto shpenzime nuk po ndryshojnë shumë nga koha e LDK-së. Ndoshta ai e di vet si ka abuzuar, rregullat janë të njëjta”, tha ajo.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca reagoi për shpenzimet e qeverisë sidomos ato për festën e pavarësisë.

Konjufca tha se këto harxhime janë tronditëse.

“Një emblemë e thjeshtë është paguar së paku 5 euro. Kudo shkoni kqyrni ajo emblemë kushton mes 50 cent deri 1 euro maksimum se ka edhe më të lira. Veç nëse është emblema e veshur me ari se përndryshe nuk ka mundësi ashtu”, tha Konjufca.

Kurse Partia Social Demokrate, ka kërkuar procedura hetimore për shpenzimet e qeverisë.

Deputetja e PSD-së Shqipe Pantina tha se shënimi i festave përveç që ka dështuar të promovoj shtetësinë tonë i ka vënë në pah edhe dështimet e protokollit të shtetit.

Pantina ka përmendur pretendimet që deputeti Driton Selmanaj dhe deputetja Safete Hadërgjionaj i dhanë gjatë seancës dhe shtoi se Kuvendi do të duhej që së pari t’i siguronte këto fakte nga qeveria ose përmes procedurave hetimore që i parasheh edhe rregullorja e Kuvendit.

“Vetëm miratimi i një rezolute është i pamjaftueshëm sepse rezoluta nuk e detyron qeverinë t`i përmbush obligimet e veta”, tha Pantina.

Në anën tjetër kryeministri Ramush Haradinaj i arsyetoi ndarjen e mjeteve nga rezervat shtetërore si dhe njoftoi se ka kërkuar të formohet një auditim të brendshëm dhe të përgjithshëm për shpenzimet e shënimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Paret e ndara janë bartur ose janë dedikuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Aktivitetet e parapara i ka bërë mekanizimi i Protokollit të shtetit për ngjarjet që pasojnë. Me sa kamë dijeni unë, kostoja e shpenzimeve për 11 vjetorin e pavarësisë është rreth 175 mijë euro, pra paret që janë ndarë më shumë, të gjitha të tjerat kthehen në buxhet”, u shpreh ai.

Haradinaj: Nëse një cent është shpenzuar kundër ligjit, të ndërhyjë prokuroria

 

E Ministri i Financave Bedri Hamza ka reaguar ndaj shpenzimeve të rezervave shtetërore.

Hamza tha se “nuk ka përkeqësim në asnjë segment gjatë kësaj qeverisje. Përkundrazi ka përmirësime”.

Pas qëndrimeve të Grupeve parlamentare dhe arsyetimeve të qeverisë së Kosovës për shpenzimet e paparashikuara, deputetët e vazhduan debatin me qëndrimet e tyre.

As në këtë seancë nuk munguan ironizimet e deputetit të Nisma Socialdemokrate Milaim Zeka.

Gjatë debatit Zeka tha se duhet të thirret seancë e jashtëzakonshme për gripin.

“Dishta me ju drejtu kryeministrit me i kallxu qysh ka ra ni grip shumë i ran në Kosovë edhe dashtë m`u thirr seancë e jashtëzakonshme për gripin. Që ministri i Shëndetësisë nuk ka dal me asnjë deklaratë dhe askush nuk shqetësohet”, tha Zeka.

Sipas tij seancën e jashtëzakonshme për keqpërdorime nuk është dashur ta thërras LDK-ja.

“Seancën e jashtëzakonshme për keqpërdorime ka mujt me thirr eventualisht LVV ose PSD, por seancë për keqpërdorime me thirr LDK e PDK është jashtë çdo logjike sepse bashkë jeni kanë në bashkëqeverisje e në keqpërdorime”, tha Zeka.

Deputetja e LVV Albulena Haxhiu, tha se e mbështesin rezolutën e këtij debati por sipas saj vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

“Unë e mbështes rezolutën por kur e kemi një qeveri që e ka nis punën me vendime të paligjshme nuk kemi çka i kërkojmë llogari më tutje ne duhet të angazhohemi që t’ju rrezojmë juve. Vendi duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne e kemi parë se për juve nuk është problem shpenzimi i paligjshëm i parasë publike”, tha Haxhiu.

Pas përfundimit të debatit propozuesi i rezolutës, deputeti Driton Selmanaj, kërkoi që rezoluta të dal në votim kur të sigurohen votat.

Nuk ju ftoj sot për votim se nuk kemi as kuorum, por e lëmë herën tjetër. Jemi të hapur ta plotësojmë rezolutën me ndonjë propozim eventual”, tha Selmanaj.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, tha se nëse ka kuorum kjo rezolutë mund të dalë nesër në votim.

“Nuk ka kuorum për zabtim. E përfundoj debatin lidhur me këtë seancë. Nëse ka kuorum e votojmë nesër rezolutën e propozuar”, tha Haliti.

Ndryshe, kjo seancë është thirrur me kërkesën e 44 deputetëve opozitar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe dy deputetët e Alternativës Mimoza Kusari Lila dhe Ilir Deda.

Kuvendi i Kosovës edhe nesër me 13 mars, do të mbajë seancë të jashtëzakonshme përkatësisht debat parlamentar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidenti.

12 Mars 2019 - 16:37

Emirjeta Vllahiu, 12/03/2019 - 16:37
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend