Kuvendi i përçarë për t'i ofruar zgjidhje Telekomit

Ndonëse do të diskutohej për fatin e njërës prej ndërmarrjeve më të mëdha në vend – Telekomit të Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës iu deshën një orë për t’u mbledhur në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita këtë të martë.

Me vetëm 42 deputetë në sallë, legjislativi i filloi diskutimet për gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës nr.06-R-013, dt.12.07.2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.

Por edhe pas më shumë se 5 orësh debat dhe me numër të pakët të deputetëve të pranishëm, nuk u arrit që të votohej një rezolutë e harmonizuar mes grupeve parlamentare për t’i gjetur zgjidhje Telekomit të Kosovës, ndërmarrje kjo që rrezikon falimentimin.

Dyshimet për manipulime me kontrata, punësimet familjare, hedhja e fajit nga një qeveri në tjetrën si dhe lavdet për bizneset e Devollëve, ishin temë e ditës së sotme në Kuvend.

Akuzat dhe arsyetimet për situatën në Telekom

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, si propozues i seancës, Glauk Konjufca tha se Telekomi është buzë falimentimit dhe se, sipas tij, ky nuk është një bankrotim spontan, “por shkatërrim i qëllimshëm dhe skenar me paramendim”.

“Autorët e këtij krimi të organizuar me përfitime qindra-milionëshe janë akterët e pushtetit në bashkëpunim me pronarët e Dardafonit. Protagonisti kryesor në pushtet, ishte kryeministër i viti 2009 Hashim Thaçi, akterët kryesor të Telekomit ishin Shyqri Haxha dhe Rexhë Gjonbalaj, biznesmnët janë grupi Devolli, kurse partia orkestruese padyshim që është PDK-ja e z. Kadri Veselit”, tha ai.

Ndër të tjera, Konjufca rekomandoi përmbushjen e tre hapave për ta shpëtuar Telekomin.

“1. Qeveria ta zbatojë  një rezolutë që është në fuqi, e cila është miratuar në korrik të vitit të kaluar. Hapi 2 është mosnjohja e asnjë borxhi të Kosovës nga ana e Qeverisë për Z-Mobile-in. Hapi 3 duhet të jetë mosvazhdimi i kontratës me Z-Mobile. Qeveria është aksionar i plotë dhe tash për tash Qeveria i ka në dorë të gjitha të drejtat ligjore që të mos e vazhdojë kontratën”, theksoi ai.

Më pas, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tregoi për hapat që i ka marrë Qeveria për përmirësimin e gjendjes në Telekom.

“Unë kam përgatitur një shpjegim prej rezolutës deri sot. Është mirë ta themi që MZHE-ja ka fillu një proces të rikonstrukturimit me EBRD, nga bordi aktual ka fillu procedurë shkarkimi për dy anëtarë që ka përfunduar me dorëheqje, pra njërin e dini për punësime familjare”, tha ai.

Tutje, kryeministri tha që Qeveria ka krijuar mekanizëm juridik për të vlerësuar kontratën me Z-mobile.

“Për t’iu shmangur një arbitrazhi të dytë, është kriju një mekanizëm i shqyrtimit të kontratës. Kontrata është e lidhur me licencë që e ka afatin deri në korrik të vitit 2019, dhe janë angazhuar një grup i ekspertëve për të parë arsyeshmërinë e kontratës, pas këtyre vlerësimeve ne do të marrim vendim”, theksoi Haradinaj, duke iu bërë thirrje zyrtarëve të ndërmarrjes që të mos nënshkruajnë kontrata të dëmshme.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, përmendi faktorët që sipas tij kanë ndikuar në “rënien” e ndërmarrjes publike.

“Është rritur punësimi mbi baza të pastra nepotiste dhe politike. Auditim nuk është bërë dhe kryeministri nuk ka raportuar për këtë çështje në Kuvend. Telekomi nuk është duke falimentuar për shkak se nuk ka treg, por për shkak të kontrata të dëmshme me kompani private që po e shfrytëzojnë atë pas asnjë kriter”, tha ai sot në Kuvend.

Ndër të tjera, Hoti tha se Telekomi i Kosovës ka nevojë për një auditim ndërkombëtar kredibil, për t’i ditur se cilat janë kontratat e dëmshme.

Por për shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, seanca e jashtëzakonshme  e thirrur nga opozita është për të bërë “zhurmë” dhe “mjegull”.

“Jemi prapë edhe në një seancë të jashtëzakonshme e 14-ta me radhë për katër muaj e gjysme  është një vazhdimësi e mashtrimit, e farzës si dhe gënjeshtrës që i bëhet opinionit publik duke tentuar ta paraqesin një farzë të krizës, kjo bëhet për shkak që opozita nuk ka tema”, theksoi Krasniqi.

Ndërkaq, në emër të partisë së kryeministrit AAK-së, foli deputetja Donika Kadaj-Bujupi, e cila mes tjerash fajësoi Qeverinë e Isa Mustafës për ‘shkatërrimin’ e Telekomit.

“Nëse i kthehemi kërkesave që vinë nga LDK-ja, gjendja jostabile e Telekomit ka filluar në vitin 2015 kur kryeministër ka qenë Isa Mustafa, sipas ekspertëve shkaktarë për këtë janë marrëveshjet paraprake që vazhdojnë edhe sot, por të cilat për shkak të ligjit nuk mund të ndërpriten me pullë. Të dhënat flasin që mbi 1000 punësime kanë qenë në vitin 2008 kur LDK-ja ishte në pushtet”, tha deputetja.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Nimës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, gjendjen në Telekom e ka përshkruar si një ‘dënim me vdekje’.

“Është një dënim i vjetër kinez me vdekje, që quhet vdekja me 1 mijë prerje, pra i dënuari ekspozohet në publik dhe çdo ditë i bëhet nga një prerje, dhe ai me një prerje nuk vdes mirëpo i duhen 1 mijë prerje që i dënuari të vdes, tash ne këtu ne shtyhemi se cila prerje ka qenë më e rrezikshme, a është prerja e quajtur Devolli, a është prerja e quajtur kaktus, a është mbi punësim, a është dividenca e kështu me radhë” u shpreh Sherifi.

Në anën tjetër, deputeti Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate, e vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndë gjendjen në Telekomin e Kosovës.

“Më e rëndësishme është se çfarë pyetje po shtrojmë sesa çfarë përgjigje po japim ose marrim. Unë po e shfrytëzoj kohën të bëjë disa pyetje. Si ka ndryshuar raporti në mes të të hyrave të përgjithshme dhe fitimit neto të realizuar nga kompania Telekom, këtë duhet ta trajtojmë, pasi efiçienca e kompanisë përgjatë viteve ka rënë, sepse janë rritur shpenzimet dhe kanë rënë të hyrat”, tha deputeti opozitar.

Gjatë gjithë debatit nuk u la pa u përmendur kontrata e nënshkruar mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Z-Mobile, e cila është në pronësinë të vëllezërve Devolli, kontratë kjo që nga deputetët u konsiderua e dëmshme për Telekomin.

Pikërisht për këtë çështje, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se janë në pritje të dy letrave.

“ Sa i përket raportit mes Telekomit dhe Dardafonit janë dy gjëra që përcaktojnë të ardhmen, e para duhet të bëhet një ekspertize nga katër kompanitë financiare në botë, që do të bëhet një matricë financiare për ta vlerësuar dëmin apo mos dëmin që kontrata shkakton për Telekomin, e dyta duhet të bëhet një interpretim ligjor nga ekspert të jashtëm dhe këto dy letra do të vendosin të ardhmen mes Telekomit dhe Z-mobile, tha ministri Lluka.

‘Përplasja’ për Devollët

Jo rrallë herë Devollët bëhen pjesë e debateve politike, pa lënë anash as Kuvendin e Kosovës.

Edhe në seancën e jashtëzakonshme për gjendjen në Telekomin e Kosovës, u kërkua përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës për kontratën që ndërmarrja publike e ka me kompaninë telefonike të Devollëve Z-Mobile.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009.

Kjo marrëveshje parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”, por mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.

Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G, përderisa Tribunali i Arbitrazhit,  më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të “Z-Mobile”.

Borxhi që Telekomi ia ka “Z-Mobile” sillet rreth 25 milionë euro.

Së fundi, kompania “Z Mobile” ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej më shumë se 25 milionë euro në përmbarim.

Mirëpo pavarësisht problemeve me kompaninë e Devollëve, kryeministri Ramush Haradinaj sot në Kuvend tha se ka respekt për Blerim Devollin, drejtuesin e Z-Mobile, por se nuk do të lejojë dëmtimin e Telekomit si dhe u zotua që nuk do të lejojë keqpërdorime nga bordi aktual.

“Unë e njoh Blerim Devollin e respektoj shumë, djali i Ibrahim Devollit, sipërmarrës boll i zoti, punëson njerëz, edhe paguan tatime, mirëpo interesin publik nuk e kam nijet me e çu në dëm për hatër të një sipërmarrësi. Nëse drejtori aktual nënshkruan kontratë të dëmshme, ai merr përgjegjësi ligjore, çdokush që merr vendime që i sjell dëme kompanisë, ata mbajnë përgjegjësi ligjore”, tha ai.

Ndërkaq, Albin Kurti kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha që Z- Mobile është aksionari kriminal i Telekomit të Kosovës.

“Kontrata e Telekomit të Kosovës me Dardafon, është krim i organizuar dhe është faktori kryesor i krizës në Telekomin e Kosovës, natyrisht ka edhe faktorë të tjerë. Kontrata me Z-mobile është aktuale dhe dëmet vazhdojnë të thellohen. Z-Mobile ia plaçkitë mbi çerekun e të hyrave dhe kësisoj është shndërruar në aksionarin kriminal që ka 30 përqind të aksioneve dhe dëshiron ta marrë të tërën”, tha ai.

Sipas tij njeriu mbrapa të gjithë kësaj marrëveshjeje të dëmshme është pikërisht presidenti i vendit Hashim Thaçi.

“Prapa Z-mobile qëndron ish- kryeministri, tash president si dhe ish-shefi i shefave nga klani Pronto i cili njërit prej vëllezërve Devolli i ankohej se i është tharë fyti, Z- Mobile pra është Kali i Trojës të cilën gjarpri ia imponoi dhuratë Telekomit të Kosovës”, u shpreh Kurti.

Edhe në pjesën e dytë të seancës, kreu u Qeverisë së Kosovë, thuri lavde për Devollët dhe bizneset e tyre.

“Po ju jap një shembull: Shkelqimi Devolli, mulliri i Xërxës është veprimtari prodhuese në Kosovë, Shkelqim Devolli, punojnë rahovecianët, edhe ata janë njerëz si këta të Postës, marrin rrogat me kohë. Pastaj nëse shkojmë te dyshekët që prodhohen në Pejë e Gjakovë, unë kam shku i kam pa këta punëtorë janë qindra, janë njerëz të këtij vendi, marrin rroga”, tha Haradinaj.

Pas të gjitha këtyre deklarimeve të kryeministrit, reagoi shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Ai i tha Haradinajt se po e bën ‘avokatinë’ dhe se nuk po ka vullnet të qartë për ta ndaluar kontratën mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile.

“Po bëhen gati 2 vite nga qeverisja juaj dhe i keni pas argumentet në dorë se kah është drejtimi që është dashur të merrni në raport me Z-Mobile, por ju po shprehni avokati për Devollin, por nuk po thoni se kontrata me Z-Mobile është kriminale. Kryeministër dalloni qeto sene. Nuk po them asgjë për prodhimet e Devollëve, por kontrata me Z- Mobile është kriminale”, tha Konjufca.

“Po i ikni përgjegjësisë kryeministër. Nuk po shoh vullnet të qartë të ju për ta ndalur këtë kontratë”, shtoi ai.

Kurse Haradinaj tha se e mirëpret shqetësimin e secilit grup parlamentar për gjendjen në Telekomin e Kosovës.

“Krejt kanë hangër bashkë deri tash, i kanë ndarë disa privilegje ndërsa kur po e shohin që mund t’i humbin, po alarmohen. I mbaj përgjegjësitë për çdo vendim që ndodhë”, tha Haradinaj.

Paraprakisht, Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, shprehu optimizëm se gjendja në ndërmarrjen publike do të ndryshojë për të mirë.

“Meqenëse sot Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme, ftoj të gjithë deputetët që të arrijnë të zhvillojnë debat konstruktiv dhe të reflektojnë pozitivisht rreth gjendjes në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës, dhe jam poashtu i bindur se të gjithë së bashku do të mund të gjejmë zgjidhjen e duhur për problemet e grumbulluara, duke u fokusuar racionalisht në strategjinë e daljes”, ka shkruar Istrefi në rrjetin social Facebook.

Ai ka shtuar se këto ditë ka informuar institucionet vendore për situatën e ndërmarrjes.

“Telekomi i Kosovës i ka dhënë shtetit të Kosovës qindra miliona euro në formën e dividendës ndër vite dhe tani ka ardhur koha që kjo ndërmarrje publike të marrë mbështetjen e merituar shtetërore, pasi që është aset strategjik nacional”, ka shkruar mes tjerash ai.