Shënimi i nëntëvjetorit të Kushtetutës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Kushtetuta e Shkelur nga 'Gardianët' e Saj

Për Kushtetutën e Kosovës duket se fjalë të mira fliten vetëm në përvjetorët e hyrjes në fuqi të saj, çdo 9 prill që nga 2008-ta.

Në ditë tjera ajo në disa raste është shkëlur nga zyrtarë të lartë që betohen se do ta mbrojnë.

“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve”, thuhet mes tjerash në tekstin e betimit të Presidentit.

Por kjo nuk i ka penguar dy presidentë të vendit që ta shkelin kushtetutën.

Edhe pse jurist me profesion, Fatmir Sejdiu ishte një ndër zyrtarët e parë, që vetëm dy vjet pas miratimit, e shkeli atë.

Në vitin 2010 ai ka mbajtur paralelisht postin e Presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

shtator të 2010-ës Gjykata Kushtetuese konstatoi se Presidenti Sejdiu kishte bërë shkelje serioze të pikës 2 të nenit 88 të Kushtetutës duke mbajtur të dy funksionet njëkohësisht.

Në këtë pikë thuhet se “pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”.

Vetëm 6 muaj më pas, Kushtetutën e shkeli edhe Presidenti i atëhershëm Behgjet Pacolli.

vendimin e marsit 2011, Kushtetuesja kishte konstatuar se “vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me zgjedhjen e Presidentit te Republikës se Kosovës më 22 shkurt 2011 është jokushtetues dhe nuk do te jetë në fuqi nga data e publikimit te tij në përputhshmëri me nenin 116.3 te Kushtetutës – meqenëse është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës dhe parimet dernokratike të mishëruara aty”.

Neni 86 i Kushtetutës së Kosovës përshkruan mënyrën se si duhet të zgjidhet Presidenti i vendit.

Një tjetër shkelje kushtetuese u konstatua edhe në verën e vitit 2014, më kohën e krizës politike, kur opozitarët e bllokut VLAN zgjodhën kryeparlamentar Isa Mustafën.

Në gusht të 2014-ës, me shumicë votash Gjykata Kushtetuese konstatoi që “mbledhja dhe procedura e ndjekur pas pezullimit të seancës konstituive më 17 korrik 2014 nga Kryesuesja, për shkak te mungesës se kuorumit, ka shkelur nenin 67 (2), në lidhje me nenin 64 (1), te Kushtetutës dhe Kreun III te Rregullores se punës që zbaton këto nene”

Pika 2 e nenit 67 të Kushtetutës shpjegon se “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, ndërsa pika 1 e nenit 64 tregon numrin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në përvjetorin e nëntë të Kushtetutës së Kosovës që u festua dje, Isa Mustafa që tash është Kryeministër u tha të pranishmëve “keni përkushtimin e qeverisë që të zbatojmë me përpikëri çdo shkrojnë të kushtetutës”.

http://kallxo.com/hoxha-detyre-e-jona-ta-mbrojme-e-respektojme-kushtetuten/

Në po të njëjtin vit, po kjo gjykatë, shpalli jokushtetuese zgjedhjen e Aleksandër Lumezit kryeprokuror dhe urdhëroi KPK-në që ta përsërisë procedurën e zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, në pajtim me këtë aktgjykim, pa paragjykuar rezultatin e asaj procedure të përsëritur.

“..se ka pasur shkelje te nenit 31 te Kushtetutës ne lidhje me nenin 6 te KEDNJ-se”, thuhet ndër tjera në këtë vendim.

Edhe një shkelje tjetër është konstatuar në dhjetorin e 2015-ës.

vendimin e Kushtetueses në lidhje me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, thuhet që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, duke e bazuar këtë në nenin  3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo marrëveshje e nënshkruar në Bruksel në gusht të vitit 2015 mes delegacionit të Serbisë dhe Kosovës ende nuk është jetësuar.