Ilustrim

Kushtetuta e nëpërkëmbur e "NEWBORN-it"

11 vjet më parë, Kosova u bë me aktin më të lartë juridik, dokumentin bazë të shtetësisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke i dhënë fund qeverisjes së Kosovës në bazë të rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1244.

Megjithëse ka mbushur vetëm 11 vjet, dokumenti më i rëndësishëm i njëri prej sheteve më të reja në botë është shkelur plot herë.

Vetë organi që e miratoi, Kuvendi i Kosovës si dhe organet tjera Presidenti, Qeveria, organe gjyqësore e prokuroriale disa herë gjatë këtyre 11 vietve e shkelën parimet e vendosura nga kjo Kushtetutë.

17 shkurti i vitit 2008 shënoi Kosovën në hartat politike të shteteve të pavarura ndërsa dy muaj më pas Kuvendi i Kosovës ratifikoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila më 15 qershor të po atij viti hyri në fuqi.

Megjithatë, kur Kosova gjendet në dekadën e dytë të  shtetësisë, kjo nuk  ka qenë e mjaftueshme që akti më i lartë juridik i vendit të  mos shkelet e mos nëpërkëmbet seriozisht disa herë.

Kuvendi, Presidenti, Qeveria, organe gjyqësore e prokuroriale kanë dështuar t’i binden përcaktimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës duke u nxënë kështu në pozicione jashtë loje kundrejt Kushtetutës së vendit.

Pak pasi kishte mbushur dy vjet, saktësisht më  25 qershor të vitit 2010  një nismë e deputetit Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të Kuvendit të Kosovës parashtruan një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese ku pretendonin se Presidenti Fatmir Sejdiu kishte shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke mbajtur  postin (e ngrirë) të Kryetari të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht duke qenë President i vendit.

Ky pretendim u gjet i saktë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës që gjeti se Presidenti Fatmir Sejdiu kishte bërë shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës së Kosovës si dhe postin e kryetarit të partisë politike – Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK.

Ky vendim i Kushtetuese shkaktoi një shok politik në Kosovë dhe u pasua me dorëheqjen e Sejdiut nga pozita e Presidentit të vendit i cili në njoftimin e dorëheqjes tha se kishte qenë i bindur që duke e mbajtur të ngrirë funksionin e tij në LDK kishte vepruar siç përcaktonte Kushtetua e vendit, mirëpo Gjykata Kushtetuese gjeti ndryshe.

Ky nuk ishte rasti i vetëm ku një president i Kosovës pati punë me Kushtetutën e vendit. Edhe Presidenti Behgjet Pacolli dha dorëheqje si rrjedhojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që kishte gjetur se kishte shkelje të Kushtetutës së vendit.

Edhe pse këtë herë, Pacolli nuk kishte bërë asnjë veprim për shkeljen e Kushtetutës së Republikës, shkeljen këtë herë e kishte bërë Kuvendi i Kosovës në procedurat e përzgjedhjes.

Duke shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga deputeti Sabri Hamiti dhe deputetët e tjerë, Gjykata Kushtetuese njëzëri gjeti se” vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me datë 22 shkurt 2011, është jokushtetues, pasi që është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”, përshkruhej në vendim.

Pacolli ndonëse nuk kishte konsumuar asnjë veprim, megjithatë vendosi të vuaj pasojat e kësaj shkelje duke dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të vendit.

Përpos organit më të lartë ligjvënës, shkelje  të Kushtetutës bënë edhe organet e drejtësisë.

Duke vendosur sipas kërkesave të parashtruara nga kandidatët për kryeprokurorë, Laura Pula dhe Shyqyri Syla të cilët kontestonin procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se gjatë procedurave në Këshillin Prokurorial të Kosovës kishte pasur shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Kësisoj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur se ishte shkelur neni 31 i Kushtetutës lidhur me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kishte anuluar dy vendimet e kontestuara të KPK-së  dhe kishte urdhëruar Këshillin Prokurorial të Kosovës që të përsërisë procedurën e zgjedhjes për Kryeprokurorin e Shtetit.

Përsëritja e procedurave për zgjedhjen e Kryeprokurorit apo dorëheqja e dy presidentëve si pasojë e shkeljeve kushtetuese janë shkelje serioze mirëpo, sigurisht se humbin rëndësinë  kundrejt të drejtës për jetë të secilit qytetarë të vendit.

Pikërisht viktimë e shkeljes së kësaj të drejte ishte tani e ndjera Diana Kastrati e cila përkundër që kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar  këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.

Gjykata Kushtetuese, gjeti se Gjykata Komunale në Prishtinë ishte përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të parashikuara me Ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe se mosveprimi i saj paraqet shkelje të detyrimeve kushtetuese që rrjedhin nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 2 i KEDNJ-së.

Më tej, Gjykata konstatoi se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtine në kërkesën e së ndjerës D,K, për lëshimin e urdhrit për mbrojtje emergjente, si dhe praktika e zhvilluar nga KGJK-ja për adresimin e mosveprimit të gjykatave të rregullta, atëherë kur duhet të veprojnë, ka penguar viktimën dhe parashtruesit e kërkesës në realizimin e të drejtave të tyre për mjete efektive juridike, të parapara me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së

Sado e rëndë, kjo nuk ishte shkelja e vetme e  Kushtetutës nga ata që duhet të zbatojnë të drejtën.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës vetëm brenda vitit të kaluar dy herë ra ndesh me Kushtetutën e vendit, në procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme dhe të Apelit të Kosovës.

Duke vendosur sipas kërkesë së gjyqtares së Gjykatës së Apelit, Tonka Berisha, kandidate për të udhëhequr me këtë gjykatë, Gjykata Kushtetuese gjeti se në procedurat e Këshillit Gjyqësor tëKosovës kishte pasur shkelje të Neni t 24 – Barazia para Ligjit, Nenit 31 – E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm  dhe  Nenit 108 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Vendimi i Kushtetueses e anuloi vendimin e KGjK-së që kishte shkelur Kushtetutën ndërsa e obligoi të mbajë edhe një proces të ri për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Po një vendim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës e kontestoi edhe gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Valdete Daka e cila po ashtu ish në garë për të udhëhequr me këtë gjykatë.

Duke pretenduar se në procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës ka pasur parregullsi, të cilat i kanë cenuar të drejtat e saj kushtetuese, gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Valdete Daka iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar vendimin e KGjK-së për përzgjedhjen e Enver Pecit në pozitën e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vendimin e saj lidhur me pretendimet e Dakës vlerëson së procesi i votimit në KGjK përbën padrejtësi.

“Gjykata konsideron se procesi i votimit nuk ofron garanci të mjaftueshme procedurale për të mbrojtur barazinë e kandidatëve gjatë tij, dhe si i tillë dëmton perceptimin publik për pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë në të cilën KGjK kërkohet ta sigurojë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese më tej gjen se forma aktuale e rregullimit të procesit të votimit nuk u ofron mundësi të barabarta kandidatëve sepse procesi nuk parasheh mekanizma mbrojtës proceduralë në lidhje me garantimin e trajtimit të barabartë.

Kushtetuesja më tej në vendimin e saj e urdhëron Këshillin Gjyqësor të Kosovës që të nis nga e para procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe të evidentojë të gjitha të gjeturat e përmendura në vendim.

Po ashtu një çështje që ka të bëjë me gjyqësorin, në qershor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës obligoi anulimin e vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës në lidhje me rastin e njohur si “Drenica2”, pasi gjeti se në këtë rast të akuzuarve u ishin shkelur të drejtat kushtetuese për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe e drejta për një proces të rregullt.

Sikur të mos mjaftonin krejt këto, ndoshta shkeljen më  të rëndë Kushtetutës ja bëri  Marrëveshja për Themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.

Procedura e iniciuar nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës gjeti se disa nga përcaktimet e kësaj marrëveshje nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Në vendimin e Kushtetueses  thuhej që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin  3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre” , thuhej në vendimin e GJK-së.

Sigurisht se këto më lart nuk ishin shkeljet e vetme që cenuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në vazhdim do t’i përshkruajmë edhe një varg projekt-ligjesh që u iniciuan në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe vetëm pasi vendosjes nga Gjykata Kushtetuese u korrigjuan.

Iniciuar nga ish-depueti, Shaip Muja dhe 11 kolegë të tij, Gjykata Kushtetuese gjeti se Ligji për Shëndetësi ishte në kundërshtim me përcaktimet e Kushtetutës së Republikës.

“Me shumice, SHPALL se neni 41, paragrafët 1,5 dhe 6 te Ligjit për Shëndetësi, Nr. 04/L-125, te 13 dhjetorit 2012, janë ne mospërputhje me nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit te Profesionit] te Kushtetutës se Republikës se Kosovës; thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Detajet lidhur me këtë vendim mund t’i gjeni në këtë link.

Ligj tjetër i miratuar në Kuvendin e Kosovës nga me votat “për” të 74 deputetëve por i cili ra ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës ishte edhe ai për të “Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së këtij ligji u iniciua nga Avokati i Popullit i cili informacionin e kishte pranuar nga disa OJQ dhe i cili pretendonte se “u mundësojnë deputeteve te Kuvendit te Kosovës te realizojnë pensione qe janë me te favorshme se çdo përfitim tjetër pensional për qytetaret e tjerë, dhe se ato dispozita nuk janë ne përputhje me parimet kushtetuese te barazisë, sundimit te ligjit, mosdiskriminimit dhe drejtësisë sociale”.

Ky kundërshtim kishte ardhur pasi që sipas Ligjit të kontestuar, deputetet i siguronin vetes pensione prej 50%, 60% dhe madje 70 % të pagës bazë duke pasë kështu pensione deri në 10 herë më të larta se ato që u paguheshin qytetarëve të zakonshëm.

Kushtetuesja përpos që gjeti të pranueshme kërkesën e Avokatit të Popullit, konstatoi se ky vëllim i përfitimeve për deputetët ishte qartazi jo-proporcional dhe cenonte disa nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Konkludon qe neni 14, paragrafi 1.6, neni 22, neni 24, neni 25 dhe neni 27 i Ligjit për te Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit Nr. 03/L-111, i 4 qershorit 2010, nuk janë ne pajtim me nenet 3.2, 7 dhe 74 te Kushtetutës se Republikës se Kosovës”, përcaktohej në vendimin e Kushtetueses.