Kushëriri i Hashim Thaçit në Aktakuzën për Tenderin e KEK-ut

Njazi Thaçi, drejtor operativ në KEK, akuzohet nga Prokuroria Speciale për tri vepra penale lidhur me një tender milionësh të dhënë në vitin 2011. Thaçi akuzohet për periudhën kur ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në KEK. Ai është kushëriri i presidentit Hashim Thaçi. Së bashku me Thaçin, akuzohet edhe katër zyrtar të tjerë të KEK-ut për të njëjtin tender. Po ashtu, Prokuroria Speciale akuzon edhe ish-kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha dhe ekspertin Shqyrtues të këtij organi, Azem Durakun. Kjo është aktakuza e katër për ish-kryetarin e OSHP-së, Hoxha.

KALLXO.com e ka siguruar aktakuzën sipas së cilës, zyrtarë të lartë të KEK-ut, ish-kreu i OSHP-së dhe një ekspert i saj po akuzohen se i dhanë tenderin dy kompanive (SOLAR&ORTEX URO GROUP dhe Beli COM) përkundër se e dinin se ato kanë paraqitur autorizime të falsifikuara dhe dokumente të tjera relevante të falsifikuara dhe se nuk i kanë plotësuar kriteret për tenderin e KEK-ut”.

Sipas aktakuzës së prokurorit të EULEX-it Tomas Meskauskas, kompania “SOLAR&ORTEX URO GROUP” ka ofertuar me dokumente të falsifikuara, është shpallur fituese e llotit të tretë të tenderit për furnizim me pjesë rezervë për makineri të rënda. Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në KRPP, vlera e përafërt e kontratës tre vjeçare ka qenë 750 mijë euro. Kurse, kompania “BELI Com”, në bazë të njoftimit të publikuar në KRPP, ka ofertuar 360 mijë euro për furnizim me pjesë për një periudhë prej 3 vjetëve.

Thaçi akuzohet me tri pika të akuzës: veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe lidhje të kontratës së dëmshme. Veprimtaria e pandërgjegjshme ekonomike me Kodin Penal të Republikës së Kosovës është e dënueshme me gjobë apo burgim deri në tri (3) vjet. Kurse, shpërdorimi i pozitës zyrtare me Kodin Penal është e dënueshme me burgim prej 6 (gjashtë) muajve deri në 5 vjet. Ndërsa, lidhja e kontratës së dëmshme është e dënueshme me gjobë ose me burgim prej 3 muaj deri në 3 vjet.

Njazi Thaçi, drejtor operativ në KEK, i akuzuar nga Prokuroria Speciale. Foto: Facebook.
Njazi Thaçi, drejtor operativ në KEK, i akuzuar nga Prokuroria Speciale. Foto: Facebook.

“Si drejtor ekzekutiv i zyrës së prokurimit, duke e ditur ka nënshkruar kontratë të dëmshme për KEK-un, duke e nënshkruar me qëllim kontratat për furnizim me pjesë rezervë për makinerinë e rëndë Liebherr dhe furnizim me pjesë rezervë për makinerinë Iveco, me përfaqësuesit e ofertueseve “Solar & Ortex Uro Group” dhe “Beli Com’”, me 20 maj 2011”, thuhet në aktakuzën e prokurorit Meskauskas.

Katër zyrtarët e tjerë të KEK-ut akuzohen vetëm me nga dy pika të akuzës: veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike dhe shpërdorim të detyrës zyrtare. Ata akuzohet se me vetëdije dhe me qëllim ka shkelur disa nene të Ligjit të Prokurimit Publike, duke ia mundësuar dy kompanive të fitojnë kontrata nga KEK-u.

“Më 30 mars 2011 duke qenë i informuar, se përfaqësuesit e ofertuesit “Solar & Ortex Uro Group” dhe “BELI Com” kanë paraqitur autorizime të falsifikuara si dhe dokumente tjera relevante të falsifikuara, dhe se nuk i kanë plotësuar kriteret e tenderit, i pandehuri Tmava ka dështuar të ndërmarrë ndonjë veprim të detyruar në mënyrë që t’i diskualifikojë këto kompanisë nga tenderi dhe nënshkrimin e kontratave me ta, dhe i ka shpallur këto kompani si fituese të lloteve me nr.3 dhe nr.5”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.COM.

Hanefi Hajdini  si anëtar për vlerësimin e ofertave të tenderit akuzohet për dy pika të akuzës, veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

Driton Pruthi që në aktakuzë përshkruhet si person përgjegjës brenda KEK dhe në të njëjtën kohë mbikëqyrës i komisionit për vlerësimin e ofertave për tenderin me numër të prokurimit: KEKO 10-391-111, akuzohet po ashtu për dy pika të akuzës veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

Muhamet Selmani, asamblist i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, po ashtu përshkruhet si person përgjegjës brenda KEK-ut, si ushtrues detyre i drejtorit menaxhues të zyrës së prokurimit në KEK, akuzohet për dy pika të akuzës, veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike si dhe shpërdorim të detyrës.

Para nënshkrimit të kontratës në mes të KEK-ut dhe kompanive e “Solar & Ortex Uro Group “ dhe “BELI COM”, pas ankesave, të kompanive, “SMH Kosovo”, “Kombinimi” si dhe “Teknogroup Kosovo L.L.C”, lidhur me këtë lënda u trajtua në OSHP.

Pjesë e aktakuzës janë edhe Hysni Hoxha, si kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe Azem Duraku si ekspert i OSHP-së. Ata akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik Hysni Hoxha - Foto: KALLXO.com
Ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik Hysni Hoxha – Foto: KALLXO.com

Pikërisht, për një raport të ekspertizës, prokuroria pretendon se Azem Duraku, ekspert pranë OSHP-së, duke shfrytëzuar përparësitë e pozitës së tij ka paraqitur raport të gabueshëm të ekspertizës për OSHP-në më 27 prill 2011 dhe të njëjtin raport e ka mbështetur edhe më datë 6 maj 2011 në seancën e shqyrtimit kryesor në OSHP.

Sipas prokurorisë, Duraku ishte i informuar se përfaqësuesit e kompanive “Solar and Orex dhe Uro  Group” dhe “BELI Com”, kanë paraqitur autorizime të falsifikuara dhe dokumente tjera relevante në tenderin e KEK-ut.

I informuar se përfaqësuesit e ofertuesve “Solar & Ortex Uro Group” dhe “BELI Com” kanë paraqitur autorizime të falsifikuara komisionit për vlerësimin e ofertave për tenderin KEKO 10-391-11, sipas prokurorisë, ishte edhe kreu i OSHP-së Hysni Hoxha.

Por edhe përkundër se ishte i informuar Hoxha, sipas prokurorisë, me qëllim përfitimi  të paligjshëm material për së paku personat juridik “Solar & Ortex Uro Group” dhe “BELI Com”, i ka refuzuar ankesat e kompanive “SMH Kosovo”, “Kombinimi” dhe “ Teknogroup Kosovo L.L.C”.

Prokurori, Meskauska pretendon se me këtë janë krijuar kushtet për dëm të konsiderueshëm ndaj KEK-ut.

Të gjithë të akuzuarit në këtë rast gjatë deklarimit të tyre kanë mohuar akuzat e prokurorisë, ndërsa seanca  fillestare për këtë rast nuk është caktuar ende në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

aktakuza2

aktakuza1]

aktakuza3