Kush e Gjuajti Gurin 53 Milionësh në Autostradë?

Nëse loja e pingpongut përdoret për të përshkruar një situatë kur të gjithë shfajësohen për një pasojat e krijuara, atëherë e njëjta nuk do të mund të përdoret për pagesën e 53 milionë eurove ndaj konsorciumit turko-amerikan Bechtel-Enka.

Në këtë situatë fajtorë janë më shumë se dy ministra, më shumë se dy kryeministra dhe më shumë se dy parti. Për të shpjeguar këtë duhet të kthehemi në retrospektivë, vetëm sa për t’i kujtuar disa ngjarje të njohura për publikun.

Bechtel & Enka ishte shpallur fituese e projektit për ndërtimin e Autostradës për Shkup në shkurt të vitit 2014. Për t’ia vendosur një sfond patriotik këtij projekti të kushtueshëm, Thaci ia ngjiti rrugës emrin “Arbër Xhaferi”.

Deri te kjo shpallje ishte punuar për dy vjet në fazat e tenderimit dhe ishin zhvilluar shumë ‘biseda të përzemërta’, duke përfshirë edhe ato në mes të ambasadores së atëhershme amerikane Tracey Ann Jacobson dhe ministrit të atëhershëm, Fehmi Mujota.

Sa për ta rikujtuar kohën e rekomandimit për kontratë, të gjitha partitë politike ishin duke e bërë para-fushatën elektorale për zgjedhjet e pa-shpallura. Fushata kishte nisur për zgjedhjet e caktuara më 8 qershor.

Në ditën e fundit të fushatës, me datën 6 qershor të atij viti ndodhi një shpërthim i elektrolizerit në KEK duke lënë të vdekur dy punëtorë dhe shumë të tjerë të plagosur. Ky shpërthim ishte sinjal që energjetika ishte në gjendje të mjerueshme.

Ndërsa ceremonia e fillimit të ndërtimit të Autostradës e mbajtur më 8 korrik mbeti nën hijet e refuzimit të ambasadores amerikane për të mbajtur fjalim.

Zgjedhjet e 8 qershorit nuk nxorën fitues absolut. PDK-ja ishte e para, ndërsa partitë e tjera (VV, AAK, NISMA dhe LDK) formuan bllokun VLAN të cilat përbënin shumicën e deputetëve në Kuvend, mjaftueshëm sa për të formuar qeverinë.

Ndërkohë që vendi po vlonte nga debatet kushtetuese për të drejtën e njërit apo bllokut tjetër për të formuar qeverinë, Qeveria në detyrë e Thaçit nuk po rrinte duarkryq.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, e kishte nënshkruar kontratën 600 milionë euro. Kontrata ishte nënshkruar më 1 korrik, e fillimi i punimeve ishte bërë më 8 korrik.

Ky është gjynahi i parë i bërë nga Qeveria Thaçi dhe ministri Fehmi Mujota. Pse? Një qeveri në detyrë nuk ka kompetencë të nënshkruajë një kontratë 600 milionë euro, e cila e lë në obligime qeveritë e ardhshme.

Kompetencat e qeverisë në detyrë janë përshkruar në një projekt-ligj për qeverinë, që kishte qenë i publikuar në ueb-faqen e kryeministrisë në atë kohë. Me nënshkrimin e kësaj kontrate 600 milionëshe, si dhe me kontratat e tjera që tashmë ishin në zbatim, Thaçi ia kishte rezervuar qeverisë së ardhshme gati 90% të buxhetit për investime kapitale.

Normalisht, Thaçit më nuk i duhej timoni i qeverisë, sepse e kishte shndërruar atë në një tren. Në një tren që rrugën e ka të trasuar dhe nuk ka nevojë për timon, por ka vetëm një pedale për frenim. Pedalen për frenim vazhdonte ta mbante PDK-ja. Pra, gabimi më i madh është bërë në kohën e qeverisë PDK-AKR.

Të gjithë e dimë historinë e ‘dashurisë’ së VLAN-it dhe ‘martesën’ në mes të LDK-PDK. Kritikat e bëra nga LDK-ja gjatë kohës së fushatës u harruan me të hyrë në qeveri. Megjithatë, që në fillim është thënë se shuma e mjeteve të planifikuara në buxhet dhe dinamika e punëve e dakorduar në mes të qeverisë së Kosovës (gjatë kohës së Thaçit) nuk përputheshin.

Në disa raste, ministri i Infrastrukturës Lufti Zharku e ka thënë publikisht që janë duke punuar me Bechtel Enken për të arritur një marrëveshje për ndërrim të dinamikës së punës. Kjo është vërtetuar edhe me dokumentin shpjegues të Ministrisë së Infrastrukturës që konstaton se gjatë kohës së qeverisë Mustafa janë mbajtur rreth 100 takime me Bechtel & Enken për të arritur një marrëveshje për pagesën e këtyre mjeteve.

Pra, qeveria e kaluar e ka ditur për penalltitë që e presin për zvarritje të punëve dhe pagesave, mirëpo nuk ka reaguar më kohë për t’i minimizuar ato apo parandaluar. Ose edhe nëse kanë reaguar, nuk e kanë çuar deri në fund për të nënshkruar aneksin e ri të marrëveshjes.

Si ka mundësi një qeveri ekonomistësh të bëjë gabime kontraktuale që kanë për pasojë të mëdha financiare. Është dilemë e madhe, që mund të zgjidhet vetëm nga prokuroria, se çka është biseduar në këto 100 takime në mes të palëve. Është ende më mistike se kush ka qenë personi përgjegjës që është dashur të marrë vendim për këtë çështje dhe që nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Pra, nëse është konstatuar që Kosova ka obligime/penallti të bazuara në kontratë dhe nuk është reaguar me kohë atëherë edhe ai është përgjegjës për çdo cent shtesë që është paguar.

Autostrada, ilustrim

Për ta përmbyllur fajin është kujdesur qeveria Haradinaj. Në dokumentin e zbuluar nga Gazeta Jeta në Kosovë thuhet se aneks-kontrata e re e cila obligon qeverinë me 53 milionë euro shtesë është nënshkruar vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të qeverisë Haradinaj. Pra, kjo qeveri vetëm 18 ditë ka tentuar për ta ulur këtë dëm prej 53 milionë euro. Për më tepër, nënshkrimi i kësaj aneks-kontrate është bërë komplet në mënyrë të fshehtë dhe ishte ministri Pal Lekaj ai që kishte lëshuar disa fluska në formë të akuzave për qeverinë e kaluar. Më e pakta që mund të bëhet nga Haradinaj është lejimi i qasjes në minutat e takimeve që zhvilluar nga ministri Lekaj apo kushdo që ka qenë negociatori nga ana e qeverisë së Kosovës.

Të gjitha këto penallti e kanë një burim- mungesën e transparencës. Kontrata e komplikuar dhe e madhe, në mënyrë qesharake ishte ofruar për shikim gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile për tri orë. Paramendojeni, për tri orë t’i gjesh të gjitha hilet që janë bërë në këtë kontratë. Një transparencë e tillë është qesharake, sidomos për faktin që Ministria e Infrastrukturës i ka refuzuar të gjitha kërkesat e tjera për qasje në këtë kontratë me arsyetimin se në të ka sekrete afariste. Pra, si ka mundësi të ofrohet qoftë edhe për shikim diçka që ka qenë sekrete.

Guri i hedhur në pus të thellë nga qeveria Thaçi jo që nuk është hequr nga qeveritë pasuese mirëpo secila prej tyre duke se ka qëndruar mbi të, duke e rënduar edhe më shumë buxhetin e Republikës së Kosovës.