Zyrat e Frontit në Ferizaj janë të pajisura me infrastrukturë për mbledhje e takime revolucionare | Foto nga Rron Gjinovci

Kurrikula e Re, Vështirë e Zbatueshme

Zbatimi i kurrikulës së re që për qëllim ka një qasje të re metodologjike ndaj mësimdhënies, mund të jetë më lehtë e thënë sesa e bërë.

Udhëzimet e reja lidhur me zhvillimin e procesit mësimor, ndryshe e njohur si Korniza e re Kurrikulare, po gjen zbatim të vështirë në praktikë, sipas Sindikatës së Punëtorëve të Arsimit.

Kurrikula e re, e ‘lënë trashëgim’ nga ish-Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka filluar të implementohet në të gjitha shkollat fillore nga fillimi i vitit të ri shkollor, në shtator të vitit 2017.

Në një intervistë për KALLXO.com, Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, tha se mësimdhënësit po tentojnë të bëjnë më të mirën në zbatim.

“Kjo puna e kurikulit po shkon bukur vështirë. Mësimdhënësit i përgëzoj se po bëjnë edhe të pamundurën që të jenë sa më në nivel të detyrës dhe të realizojnë kompetencat që kërkon kurikuli  i ri”, tha Jashari.

Megjithatë, ish-Ministri Bajrami konsideronte se projekti i nisur me të në krye të MASHT-it, ka për të qenë çelësi për një arsim më cilësor

Në vitin 2016, në ditën kur u prezantuan dokumentet kurrikulare dhe udhërrëfyesi për zbatim të tyre, Bajrami u zotua se Kosova do të arrijë të ketë edukim cilësor deri në vitin 2020.

Në anën tjetër, njohës të fushës së arsimit konsiderojnë se kurrikula e re paraqet më shumë një ndryshim sipërfaqësor që nuk mund të ketë efekt real në ngritjen e cilësisë në arsim.

Besa Shahini, analiste në fushën e arsimit, për Gazetën Jeta në Kosovë kishte thënë se kjo kurrikulë nuk do të japë rezultate më të mira se vjetra.

“Jemi të shqetësuar për faktin se mësimdhënësit nuk janë mirë të përgatitur që ta implementojnë këtë kurrikulë të re “Kurrikulës nuk iu është bashkangjitur teksti shkollor, as për nxënësit, e as për mësimëdhënësit, dhe si e tillë nuk do të mund të japë rezultate më të mira sesa kurrikula të cilën kemi qenë duke e imlpementuar deri tani”, kishte thënë ajo.

Dukagjin Pupovci, një tjetër njohës i fushës së arsimit nga organizata “Qendra për Arsim e Kosovës (KEC)”, po ashtu konsideron se kurrikula e re mund të mos jetë e përshtatshme për sistemin tonë arsimor.

“Kjo nënkupton punën intensive në kuadër të aktiveve lëndore që funksionojnë brenda shkollave, si dhe ofrim të ndihmës së vazhdueshme profesionale për mësimdhënës, gjë që nuk ndodhë. Po ashtu, kërkon nga mësimdhënësit të shfrytëzojnë mjete dhe materiale të ndryshme konkretizimi, të cilat, në masë të madhe mungojnë”, tha Pupovci.

Ai thekson se problem kryesor lidhur me zbatimin e kurrikulës vazhdojnë të mbeten tekstet jo të përshtatshme shkollore.

“Një problem tjetër serioz që lidhet me zbatimin e kurrikulës së re është mungesa e teksteve shkollore adekuate. Jo vetëm që ende janë në shfrytëzim tekstet e vjetra, por as tani, kur kanë mbetur edhe tetë muaj deri në fillimin e vitit të ri shkollor nuk dihet nëse tekstet ekzistuese do të vazhdojnë të përdoren, do të rishkruhen, do të importohen nga Shqipëria apo do të përkthehen nga ndonjë gjuhë e huaj. Këto probleme e bëjnë zbatimin e kurrikulës së re një çështje shumë sfiduese dhe, në afat të gjatë, kjo mund të ndikojë në rezultatin e nxënësve”, tha ai.

Në anën tjetër, Ministri i ri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, sapo mori drejtimin e kësaj ministrie është fokusuar në përgatitjen për testin ‘PISA’ që do të mbahet në fund të prillit të këtij viti.

SBASHK ka shprehur pakënaqësitë e tyre edhe ndaj Ministrit të ri dhe konsiderojnë se një përkrahje më e madhe është e nevojshme për të tejkaluar sfidën e kurrikulës.

“Ka vështirësi, por ato do të tejkalohen më lehtë me mesazhe të qeta e me përkrahjen e ekspertëve për mësimdhënësit”, tha Jashari.

Gazeta ‘Jeta në Kosovë’, ka realizuar një reportazh lidhur me problemet bazike në shkollat e Kosovës.

Midis Kurrikulës së Re Dhe Erës së Pasulit