Kundërthëniet në Lidhje me Anonimizimin e Aktgjykimeve Nga Gjykatat në Kosovë

Në vitin 2016, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka nxjerrë një udhëzim administrativ për anonimizimin dhe publikimin e aktgjykimeve të plotfuqishme nga gjykatat e Kosovës. Ky udhëzim ka përcaktuar rregulla të anonimizimit të aktgjykimeve të plotfuqishme, para se ato të publikohen në ueb-faqet e gjykatave.

Si pasojë e këtij vendimi, emrat dhe mbiemrat e palëve të përfshira në procedura gjyqësore (penale, civile, administrative, dhe ekonomike) anonimizohen duke u shënuar vetëm përmes inicialeve.

Ndryshe nga publikimi i aktgjykimeve në faqet zyrtare të internetit, gjatë shpalljes e tyre në seancën e fundit gjyqësore, gjykatat i bëjnë publike emrat e të akuzuarve. Këto seanca ku bëhet shpallja e aktgjykimeve janë në parim të hapura për publikun dhe median, përveç në rastet kur me ligj është kufizuar publiciteti.

Mbetet e paqartë se cilat janë arsyet për të cilat anonimizohen të dhënat si emri dhe mbiemri i palëve në procedurë në rastin e publikimit të aktgjykimit të plotfuqishëm, kur e njëjta gjykatë në seancë publike përdor emrin dhe mbiemrin e plotë.

Analizuar nga perspektiva e bazës juridike të udhëzimit administrative për anonimizim të aktgjykimeve, anonimizimi bëhet me qëllim të mbrojtjes së të dhënave personale të palëve. Por, e njëjta preambulë, në definim të ‘të dhënës personale’ bazohet në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Nenin 1.16, i cili definon ‘të dhënat personale të ndjeshme’. Sipas këtij vështrimi, del se KGJK ka konsideruar emrin dhe mbiemrin e palëve si e ‘dhënë personale e ndjeshme’, ndonëse ky definim nuk mbështetet nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në rast krahasimi të mundshëm të momentit të publikimit të aktgjykimit më ueb-faqe me momentin kur gjykata e shpall aktgjykimin në seancë publike, del se këto dy momente kanë kundërthënie në mes vete dhe nuk respektojnë në mënyrë të njëjtë mbrojtjen e të dhënave personale.

Më tej, në të njëjtën preambulë të udhëzimit administrativ, KGJK i referohet edhe Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, Nenit 12, i cili përcakton situatën e kufizimit të qasjes në dokumente kur përmes qasjes mund të cenohet privatësia e personave të caktuar.

Dy probleme lindin si pasojë e referimit në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. E para, ligji që obligon gjykatat të publikojnë aktgjykimet e plotfuqishme është Ligji për Nr. 05/L – 032 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.03/L -199 për Gjykatat, Neni 2, i cili obligon gjykatat të ‘publikojnë aktgjykimet e plotfuqishme në faqe të tyre zyrtare të internetit, në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga data e arritjes së plotfuqishmërisë së aktgjykimit…’. E dyta, ndonëse Ligji për Qasje në Dokumente Publike parasheh mundësinë e kufizimit në qasje, një kufizim i mundshëm i qasjes duhet të bëhet proporcionalisht duke respektuar interesat e tjerë publikë. Ky test i proporcionalitetit parashihet në nenin 12, paragrafin 2 të këtij ligji dhe përdorimi i këtij testi bëhet rast-për-rast dhe jo në formë të përgjithshme për çdo rast të mundshëm.

Për më tepër, KGJK përmes këtij udhëzimi administrativ ka kufizuar parime kushtetuese, si parimin e publicitetit të shqyrtimit gjyqësor, apo edhe të drejtën kushtetuese të shprehjes [lexo: të drejtën për të marrë informacion]. Mbetet e diskutueshme nëse KGJK ka autorizime që përmes akteve nënligjore të kufizoj të drejtën kushtetuese për të marrë informacion, duke qenë se vet Kushtetuta e Republikës së Kosovës mundëson kufizimin e të drejtave në kapitullin II (të drejtat dhe liritë themelore) vetëm nëse ky kufizim bëhet përmes ligjit.

Si përfundim, gjykatat përdorin dy standarde të ndryshme në lidhje me mbrojtjen e privatësisë së palëve në procedurë. Në rastin kur shpallen aktgjykimet në seancë publike, gjykata bënë publike të dhënat personale të cilat më pastaj i anonimizon, me arsyetimin e mbrojtjes së privatësisë.

Ndryshe nga gjykatat e rregullta të sistemit të drejtësisë në Kosovë, Gjykata Kushtetuese i publikon aktgjykimet dhe aktvendimet e saj duke përdorur emrat e plotë të palëve. Publikimi i të dhënave të plota në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese rregullohet me rregulloren e punës së kësaj gjykate.

Më saktësisht, Neni 57, paragrafi 3 i kësaj rregullore, përcakton se ‘pjesa hyrëse [e aktgjykimit] do të theksojë emrat e palëve, të përfaqësuesve të tyre ligjorë ose të personave të autorizuar nga palët…’.

Gjatë shqyrtimit të kërkesave të individëve për mbrojtje të ndonjë të drejte kushtetuese pranë Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit publikon, në aktgjykimet e veta, emrat e plotë të individëve duke iu referuar, në raste të caktuara, aktgjykimeve të plotfuqishme të gjykatave të rregullta.

Përfundimisht, udhëzimi administrativ i KGJK-së për anonimizimin e aktgjykimeve, analizuar në prizmin e bazës juridike për nxjerrjen e tij, del të jetë kufizues. Në të njëjtën kohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vepron krejtësisht ndryshe nga gjykatat e rregullta duke krijuar kështu një situatë edhe më të paqartë nëse anonimizimi i emrit dhe mbiemrit në aktgjykime është i drejtë apo jo.