Kuadrot Arsimore të Prishtinës Intervistohen Publikisht

Udhëheqja e re e Komunës së Prishtinës, vendimin e parë për mandatin e saj e ka marrë për lejimin e pjesëmarrjes së Këshillit të prindërve, këshillit të nxënësve, shoqërisë civile dhe medias gjatë intervistimit të kandidatëve për përzgjedhjen e kuadrove arsimore. Këtë vendim e ka përkrahur shoqëria civile, por e ka quajtur euforik ish-zëdhënësi i komunës.

Pesë kandidatë që kishin aplikuar për pozitën e mësimdhënësit në shkollën fillore “Iliria” u intervistuan të hënën nga Komisioni për Zgjedhjen e Personelit, në prezencë të drejtorit të arsimit të Komunës së Prishtinës Jusuf Thaçit, përfaqësuesve të  prindërve, nxënësve, shoqërisë civile dhe mediave. Të gjithë këta pjesëmarrës në cilësinë e vëzhguesve.

Kjo pasi që qeveria e re në Komunën e Prishtinës ka marrë vendim që intervistimi i kandidatëve për personelin profesional në shkolla të mos bëhet më vetëm me prezencën e komisionit.

Sipas Jusuf Thaçit, një vendim i tillë është marrë me qëllim të rritjes së transparencës në përzgjedhjen e stafit profesional në institucionet e arsimit.

“Janë ftuar edhe shoqëria civile si dhe përfaqësuesit e shkollave në mënyrë që ky aktivitet (përzgjedhja e personelit arsimor) të jetë sa më transparent dhe një herë  e mirë të përfundojë çfarëdolloj angazhimi mbi baza të tjera, përveç përgatitjeve profesionale të kandidatëve”, tha Thaçi.

Ai e ka vlerësuar pozitivisht procesin e ditës së hënë.

Dukagjin Pupovci, Drejtor i Qendrës Kosovare të Edukimit, e ka quajtur si të qëlluar një hap të tillë të Drejtorisë së Arsimit të Prishtinës, pasi sipas tij në këtë mënyrë rritet transparenca e punësimit të kuadrit mësimor.

“Hapi i DKA-së në Prishtinë është shumë i qëlluar dhe dërgon një mesazh të mirë në opinion, se ka ardhur koha që pushteti të mbikëqyret nga ata të cilëve u shërben”, tha Pupovci.

Ai shtoi më tej që punësimi në sektorin e arsimit në Kosovë është nga proceset më të korruptuara, pasi sipas tij punësimi bëhet mbi baza partiake, të nepotizmit, ose të interesave meskine.

Pupovci shpreson se që të involvuarit e rinj në këtë proces do të raportojnë parregullsitë e mundshme.

“Shpresoj se shoqëria civile, si dhe përfaqësuesit e shkollës, të prindërve dhe të nxënësve, jo vetëm se do t’i përgjigjen ftesës për pjesëmarrje në procesin e rekrutimit të personelit, por edhe do të vëzhgojnë me shumë kujdes si po zhvillohet ky proces, duke raportuar çdo parregullsi të mundshme”, tha Pupovci.

Por kaq i ekzaltuar nuk është shprehur ish-zëdhënësi i Komunës së Prishtinës.

“Është një vendim euforik dhe më shumë i natyrës propagandistike i udhëheqësisë së re të Prishtinës për të bërë zhurmë gjoja për transparencë”, tha Asdren Osaj.

Intervistimi i kandidatëve të cilët aplikonin për pozitën e mësimdhënësit, ose drejtorit të shkollës më parë bëhej në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ndërsa tash me vendimin e ri të DKA-së, intervistimi bëhet në institucionin në të cilën kandidati aplikon për t’u punësuar.

Ky është vendimi i parë i Komunës së Prishtinës, nën  udhëheqjen e Shpend Ahmetit që fitoi zgjedhjet në balotazh kundrejt Isa Mustafës.

ETIKETA

06 Janar 2014 - 17:32

Meritë Krasniqi 06/01/2014 - 17:32
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Kuadrot Arsimore të Prishtinës Intervistohen Publikisht

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend