Kthehet në Rivlerësim Tenderi për Shkak të ‘Mbrojtjes së Konkurrencës’

Kontestuese në këtë tender ka qenë një autorizim i lëshuar për prodhimet e kompanisë së njohur Hewlett-Packard Company (HP). Pretendimet kryesore të kompanisë ankuese kanë qenë që ndarja e tregut është në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

Paneli shqyrtues i OSHP-së e ka rekomanduar Policinë e Kosovës që gjatë rivlerësimit të ofertave të kërkojë sqarime nga kompania gjigante Hewlett-Packard Company (HP) nëse e njëjta e përkrah ndarjen e tregjeve.

“Me qëllim të eliminimit të këtyre dilemave paneli shqyrtues i rekomandon AK- Policia e Kosovës që me rastin e ri-vlerësimit të kërkojë nga prodhuesi HP të sqarojë çështjen e këtij autorizimi i cili në një kohë konfirmohet nga vet lëshuesi i autorizimit e pas një kohe nuk përkrahet OE “Botek” të cilit i është dhënë ky autorizim”, thuhet në vendimin e Panelit Shqyrtues të OSHP-së në përbërje të Tefik Sylejmani, Nuhi Paqarizi dhe Goran Milenkoviq.

Paneli po ashtu ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të pyetet HP-ja nëse e përkrah dhe e lejon ndarjen e tregjeve.

“Me rastin e kësaj kërkese të sqarohet edhe ndarja e tregjeve se a eksiton në HP apo jo si dhe a ka tërheqje formale të këtij autorizimi nga distributori apo nga prodhuesi HP për të njëjtin operator Ekonomik “Botek” lidhur me aktivitetin e prokurimit: “Furnizim me tonera për printera Lot-1””, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Ka qenë përfaqësuesi i kompanisë Botek, Dastid Pallaska i cili në seancën e mbajtur në OSHP e ka shpjeguar se ndarja e tregjeve është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Një ndarje e tillë e tregut është në kundërshtim të plotë jo vetëm me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, por edhe me vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës 17/44, i cili pikërisht në lëmin e prokurimit kërkon të stimulohet konkurrenca, në mënyrë që autoritetet kontraktuese të përfitojnë nga efektet pozitive të konkurrencës që shkaktohen nga shumëllojshmëria e ofertës në treg”, ka thënë Pallaska.

Tenderi për furnizim me toner ka nisur vitin e kaluar. Policia e Kosovës e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë Botek për llotin e parë të tenderit për furnizim me toner. Botek kishte ofertuar 297 mijë euro. Në llotet tjera për kontratë ishte rekomanduar kompanitë “Info Com” dhe “PBC”. Kompania Infosoft ishte ankuar në OSHP vetëm për llotin e parë, në të cilin ishte rekomanduar për kontratë kompania Botek. Në nëntor të vitit 2016 është marrë vendimi i parë i OSHP-së rreth këtij tenderi. Ky vendim e kishte anuluar njoftimin për dhënie të kontratës të Policisë së Kosovës e cila e kishte rekomanduar kompaninë Botek. Policia e Kosovës pas rivlerësimit të ofertave e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë Info Soft e cila kishte ofertuar 301 mijë euro, apo rreth 4 mijë euro më shumë se sa kompania Botek. Bazë për kthimin në rivlerësim të tenderit ishte marrë tërheqja e autorizimit nga distributori për shitje të tonerëve.

“I njëjti autorizim është marrë- tërhequr nga po i njëjti distributor pas njoftimit për dhënie të kontratës ku OE “Infosoft Office” me rastin e parashtrimit të ankesës e njofton panelin shqyrtues se i njëjti nuk ka autorizim valid dhe këtë e ka konfirmuar edhe eksperti teknik në raportin e tij të ekspertizës”, thuhet në vendimin e OSHP-së të marrë në nëntor të vitit 2016.

Pas ankesës së kompanisë Botek në rivlerësimin e ofertave që është bërë nga Policia e Kosovës, OSHP-ja e ka mbajtur edhe një seancë për këtë tender.

Në vendimin e ri të OSHP-së është kontestuar tërheqja e autorizimit.

“Nga shkesat e lëndës paneli shqyrtues nuk gjeti se ka tërheqje të autorizimit të lëshuar nga ky distributor e as nga prodhuesi HP”, thuhet në vendimin e OSHP-së të datës 23 shkurt 2017.

Përfaqësuesi i kompanisë Botek, Pallaska ka thënë se Botek ka pranuar një shkresë nga përfaqësuesi rajonal i HP-së, Bojan Grubaq me seli në Maqedoni.

“Duke i marrë parasysh gjithë këto rregulla të vet HP-së me 17.01.2017, z. Grubaq i është përgjigjur OE ‘Botek’ me email, ku lidhur me tenderin e Policisë së Kosovës, i ka konfirmuar se ‘Botek’ nuk ka asnjë kufizim që të marrë gjithë mbështetjen për realizimin e tenderit”, shtoi Pallaska.

Përfaqësuesi i “Botek”, nënvizoi gjithashtu se autorizimi që “Botek” fillimisht ka siguruar nga ALSO International ka qenë dhe vazhdon të mbetet valid për faktin se i njëjti autorizim ka prishur marrëdhënie të detyrimeve të klientit dhe këtij distributor dhe se deri më tani ky distributor nuk ka revokuar këtë autorizim në mënyrë formale.

Valmira Bllaca, përfaqësuese e autoritetit kontraktues, Policisë së Kosovës tha se në dosjen e tenderit dhe njoftimit për kontratë tek pritshmëria profesionale është kërkuar autorizimi i prodhuesit ose distributorit të paautorizuar.

“Operatori ekonomik ankues ka sjellë një autorizim dhe kompania zyrtarisht ka konfirmuar se nuk e përkrah më kompaninë “Botek”. Kjo përgjigje gjendet në dosje dhe në bazë të email-it zyrtar kemi vendosur mbi eliminimin e operatorit ekonomik “Botek”. Dokumentet e tjera ne nuk i kemi në dosjen e tenderit, as për përfaqësuesin e Maqedonisë apo tjetër”, potencoi Bllaca.

Pasi OSHP-ja ka pranuar ankesën nga operatori ekonomik “Botek” me datën 27.12.2016 ka autorizuar ekspertin shqyrtues, Visar Basha. Ai ka thënë se autoriteti kontraktues ka respektuar vendimin e panelit për sqarime të autorizimit të operatorit ekonomik “Botek” në ofertën e tij nga distributor ALSO International.

“Autoriteti kontraktues me të drejtë ka bërë pyetjen pranë distributorit duke kërkuar sqarime përfundimtare lidhur me autorizimin sepse është e vërtetë që i njëjti distributor ka konfirmuar se autorizimi është valid deri më datën e parashtrimit të ankesës së ‘Infosoft’” tha Basha.

Sipas ekspertit shqyrtues në kërkesën për verifikim të autoritetit kontraktues është kërkuar të sqaroj edhe email-in e dytë të dërguar ekspertit teknik, ku në përgjigjen përfundimtare ALSO International ka deklaruar se nuk e mbështesin këtë operator ekonomik (Botek).

Dastid Pallaska, përfaqësues i operatorit ekonomik “Botek”, tha se ata i janë drejtuar kompanisë ALSO International para se t’i drejtohen përfaqësuesit rajonal, Bojan Grubaq.

“Në këtë letër ne kemi paralajmëruar ALSO International se autorizimi është valid, nuk është i kufizuar as në kohë e as në fushëveprim, dhe se mbi këtë bazë ‘Botek’ ka marrë detyrime përsipër karshi palëve të treta, përkatësisht Policisë së Kosovës për aplikimin në tender”, nënvizoi Pallaska.

Pallaska shtoi se pikërisht për këtë arsye ALSO International nuk e ka tërhequr autorizimin zyrtarisht dhe nuk e ka kundërshtuar në asnjë pikë përmbajtjen e letrës.

Ligji për mbrojtjen e Konkurrencës i përcakton marrëveshjet të cilat janë të ndaluara.

“Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 4.

Tutje ligji specifikon marrëveshjet e ndaluara.

“Marrëveshjet që: caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të  shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; zbatojnë kushte të ndryshme për transanksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese”, thuhet në pikën 1.1, 1.2 dhe 1.4 të nenit 4 të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Njoftimi për dhënien e kontratës ka qenë në faqen e Komisioni Rregullues i Prokurimit Publik (KRPP) me datën 26.07.2016, dhe afati për ofertim ka qenë deri në datën 24.08.2016. Për këtë aktivitet të prokurimit kanë ofertuar gjithsej 7 operatorë ekonomikë. Ndërsa kriter për dhënien e kontratës ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët.

Policia e Kosovës, ka formuar komisionin e vlerësimit të ofertave dhe sipas komisionit vlerësues për kontratë është rekomanduar operatori ekonomik “Botek”. Pas vendimit të OSHP-së, Policia e Kosovës e ka kthyer lëndën në rivlerësim dhe pas rivlerësimit për kontratë e ka rekomanduar operatorin ekonomik “Infosoft”.