Pamje nga vija bregdetare e Shqipërisë | Foto: Loreta Cuka

Kthehen në Shqipëri për të Investuar në Bregdet

Vangelis Giannilas ishte vetëm një vjeç kur u largua nga fshati bregdetar i Dhërmiut për të shkuar në Athinë, ku u rrit me ëndrrën e të bërit polic.

Ai nuk e imagjinoi kurrë se një shtëpi e vogël me një kopsht të madh me pamje nga Drimadhesi, të cilën e kishte trashëguar nga gjyshi do t’i sillte para dhe do ta joshte për t’u kthyer.

“E vizitova fshatin gjatë viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, por vetëm për pushime të shkurtra dhe për të takuar familjen. Për shkak të infrastrukturës së keqe dhe sundimit të zbehtë të ligjit, nuk e mendova kurrë se do të kthehesha këtu për punë,” i tha ai BIRN-it.

Megjithatë, në 2012-ën, pasi nuk arriti të gjejë punë në Greqi, e cila u godit rëndë nga kriza financiare, ai u kthye në Dhërmi për një pushim të shkurtër dhe pa se zona ishte zhvilluar më mirë se më parë.

Ai hapi një kafene të vogël atë verë në kopshtin e shtëpisë së tij të vjetër dhe për herë të parë kaloi katër muaj në Dhërmi, teksa paratë filluan t’i mbërrinin.

“Verën e ardhshme, fillova të mendoj më shumë dhe bashkova forcat me babain, e hapëm një bujtinë ‘Yard Paradise’, ku u bëra menaxheri,” tha ai.

E ashtuquajtura Riviera Shqiptare, ku ndodhet bujtina e tij, është një pikë takimi mes maleve dhe detit Jon.

Fshatra të vegjël ndodhen në fundin e shpatit të malit që çojnë drejt gjireve me plazhe me zall dhe ujë të freskët.

Shumë njerëz nga kjo zonë i kanë lënë shtëpitë në fillim të viteve ’90, pas rënies së komunizmit, në kërkim të një jete më të mirë gjetkë.

Kryesisht ata janë drejtuar në Greqinë atëherë të begatë, që krahasuar me Shqipërinë e varfër, ofronte një jetë shumë më të mirë dhe mundësi biznesi.

Infrastruktura e keqe e rajonit, kombinuar me një migrim të madh drejt Greqisë, janë mes arsyeve kryesore përse turizmi në zonë u zhvillua ngadalë.

Megjithatë, në vitet e fundit, kërkesa për akomodim ka filluar ta kalojë kapacitetin.

Me përmirësime të ndryshme të bëra në infrastrukturën e rajonit në vitet e fundit, shumë prej atyre që u larguan kanë filluar të kthehen, duke investuar në bujtina, restorante, bare dhe plazhe private.

Thimio Gjinuçi dhe familja e tij, si shumë bashkatdhetarë të tyre nga qyteti i vogël bregdetar i Himarës, emigruan në Greqi në vitin 1992, duke lënë pas shtëpinë e gjyshit të tij në një kodër me pamje nga bregdeti.

Gjinuci filloi të mendonte për herë të parë të kthehej në Shqipëri kur ishte 16 vjeç dhe e kaloi verën në shtëpi.

Pas viteve të kaluara për të jetuar dhe studiuar në Greqi, ai ishte i mërzitur që nuk mund t’ia shprehte ndjenjat në gjuhën shqipe një vajze të re nga Tirana që kishte takuar.

“Unë u ndjeva shumë i zemëruar, ndaj kur u ktheva në Greqi fillova të mësoja sërish shqipen. Pasi kisha studiuar katër vjet në Athinë, nuk e kisha kuptuar se sa shumë e kisha harruar. Ëndrra ime për t’u kthyer në Himarë u rindez”, tha ai për BIRN-in.

Ai rrezikoi duke lënë pas një jetë të mirë në Greqi. Gjinuçi kishte studiuar mikrobiologji në universitet dhe kishte punuar në një spital privat në Athinë.

“Kisha një punë shumë të rehatshme dhe paguhej mirë, por nuk prirem te karriera, por te ndjekja e ëndrrave”, tha ai për BIRN-in.

“Dashuria ime për Himarën dhe nxitja për të kontribuuar në këtë vend më kthyen sërish atje”, shtoi ai.

Prej vitit 2010 e tutje, ai filloi ta kalonte gjithë verën në Himarë, duke lënë pas punën e tij në Athinë dhe duke bërë punë vullnetare, pastrim plazhi apo duke ndihmuar mjekët në spitalin e qytetit.

Tre vjet më pas, ai hapi një bujtinë të përbërë nga disa shtëpi druri të rrethuara nga ullishtet dhe kopshtet.

“Më pëlqen shumë ta menaxhoj vendin”, tha ai. “E kam bërë një nga disa iniciativa të tilla në jug [të Shqipërisë] ku respekti për mjedisin është në krye të agjendës”.

Vangelis Giannilas iu desh ta mësonte gjuhën shqipe nga zeroja pasi hapi biznesin e tij në Dhërmi.

“Emigrova foshnjë dhe nuk kam pasur mundësi ta mësoja gjuhën shqipe, megjithëse me ndihmën e klientëve po ia dal shumë mirë tani”, tha ai.

Si Giannilas, dhe Gjinuçi tani presin qindra vizitorë nga e gjithë bota çdo verë.

Giannilas tha se kishte filluar të fitonte më shumë gjatë një vere në Shqipëri, sesa fitonte për një vit të tërë pune në Greqi.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është kthyer në Shqipëri plotësisht. Të dy vazhdojnë ta ndajnë jetën midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke shpenzuar verën në Shqipëri dhe dimrin në Greqi.

Industria turistike e sapolindur në zonë ende bazohet në plazhet dhe diellin, ndërkohë që përpjekjet e autoriteteve për të zhvilluar turizmin dimëror dhe kulturor janë ende shumë modeste.

Giannilas planifikon ta rrisë kapacitetet e tij të strehimit në të ardhmen. Ai beson se përfshirja e më shumë të rinjve që vijnë nga Greqia për të menaxhuar turizmin në Shqipëri do t’i japë zonës një shtysë të madhe.

“Është koha që të rinjtë si unë, t’i japin një dorë menaxhimit të turizmit në zonë. Sa më shumë nga ata të vijnë këtu, aq tepër do të zhvillohet zona”, tha ai.