Kriza e Rendit Neoliberal

Në skenën politike perëndimore periudha prej rënies së komunizmit e deri në ditët e sotme u karakterizua nga dominimi i rrymave ideologjike të qendrës (të majtë apo të djathtë) që kishin përqasje pragmatike ndaj politikave publike. Bëhet fjalë për njerëz të cilët mund të kishin dallime ideologjike me njëri-tjetrin, por megjithatë e pranonin si të mirëqenë konsensusin neoliberal (modelin e tregut të lirë dhe të hapur + institucionet liberal-demokratike) të cilin pas rënies së komunizmit, Frensis Fukujama, në atë interpretimin e tij të famshëm Hegelian, e pati quajtur si fundi i Historisë. 

Në të gjitha partitë e mainstream-it – pra në ato të mëdhatë që kishin gjasa për t’u bërë pjesë e pushtetit – tendenca ishte që fuqia të gravitonte në duart e sojit të reformatorëve të cilët nuk i kishin prioritet betejat e vjetra ideologjike (klasore apo kulturore), por gjetjen e mënyrave praktike se si ekonomitë e tyre mund të bëheshin më konkurruese, në një botë të re ku globalizimi neoliberal kishte shpërthyer me shpejtësi marramendëse. 

Politika publike perëndimore kështu u bë territor i teknokratëve dhe menaxherëve më të mirë të globalizimit dhe gjithnjë e më pak i ideologëve me ide fikse ose refuzuese ndaj rendit liberal. 

Përqafimi i konsensusit neoliberal nga mbarë spektri politik erdhi si rrjedhojë e ndryshimeve në perceptimet e opinionit publik për konsensusin e mëparshëm etatist, ku shteti luante rol të madh në ekonomi. Për të djathtën rol vendimtar në këtë ndryshim luajti kriza ekonomike e viteve 70, ndërsa për të majtën rënia e komunizmit në lindje. 

Kriza dhe stagnimi ekonomik i viteve ‘70 – e para krizë e madhe e pasluftës – kishte bërë që publiku perëndimor, gjithnjë e më individualist në bindje, ta gjente shkakun e problemit te modeli ekonomik etatist dhe mungesa e efikasitetit të shtetit. Ky model e kishte ngritur Evropën e pasluftës nga gërmadha dhe që nga periudha e Depresionit të Madh, nuk sfidohej fort as nga të djathtët kur ishin në pushtet. Por tani shteti filloi të shikohej si frenues i potencialeve të tregut dhe si pengesë për vazhdimin e cikleve të larta të rritjes së periudhës së pasluftës. 

Ky kontekst shpjegon se përse suksesi elektoral i së djathtës perëndimore në vitet ‘80 nuk erdhi nga segmentet e saja nacionaliste dhe kulturalisht konservatore, por nga ata që në plan të parë i vunë idetë liberale ekonomike. Pikërisht mbi këtë sfond u ngrit revolucioni liberal i viteve ‘80 i binomit Regan – Thaçer në botën anglosaksone, i cili e nisi këtë valën tashmë mainstream të uljes së rolit të shtetit përmes derregullimit, privatizimeve dhe uljes së taksave.  

E majta europiane, me imazh tashmë të rrënuar si simbol i shtetit joefikas, e filloi shkëputjen e saj prej etatizmit vetëm gjatë viteve ‘90, pasi rënia e komunizmit dhe hapja e tregjeve botërore e bëri globalizimin neoliberal një proces të pandalshëm. Ishte kjo periudha e ardhjes në fuqi e figurave të qendrës së majtë si Clinton, Blair, Schroeder, Prodi dhe të tjerëve që identifikoheshin me atë që u quajt “rruga e tretë”. Kjo rrugë në vija të trasha nënkuptonte ndjekjen e agjendës sociale të së majtës brenda kornizave të ekonomisë së tregut të lirë.

Pas krizës së fundit ekonomike, të pagëzuar tashmë si Recesioni i Madh, perceptimet e opinionit duket se sërish po përmbysen dhe se legjitimiteti i konsensusit neoliberal po sfidohet seriozisht. Tani dominon përshtypja se ishte liria e tepruar e tregut ajo që e shkaktoi krizën dhe po e bën të ardhmen e ekonomisë botërore të brishtë dhe të pasigurt. Ndërkohë, nga studimet si ato të ekonomistëve si Thomas Piketty, po bëhet gjithnjë e më e dukshme se liberalizimi i dekadave të fundit e ka rritur pabarazinë në përmasa që mund të jenë edhe destabilizuese për demokracinë dhe rendin ekzistues.  

Kriza e konsensusit neoliberal ka filluar të reflektohet edhe në skenën politike evropiane. Kjo e fundit tashmë ka filluar të mos gravitojë më drejt partive të qendrës dhe menaxherëve entuziastë të globalizimit, por drejt rrymave ideologjike me ngjyrime izolacioniste (ekonomike apo kulturore) dhe refuzuese ndaj globalizimit. Siç shkruante para disa muajsh The Economist, viti 2014 pritet të jetë viti i suksesit më të madh elektoral të partive ekstreme evropiane që nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore. 

Kjo situatë po i detyron partitë e majta apo të djathta të mainstream-it që të ndjekin dy lloj rrugësh: a) të radikalizohen vetë për të parandaluar rrjedhjen e votave drejt partive ekstreme (siç po bëjnë me raste psh. konservatorët në Angli), apo; b) të bëjnë koalicione me njëra-tjetrën (si psh. koalicioni CDU-SDP në Gjermani, apo ND-PASOK në Greqi) në mënyrë që të mund të qeverisin me një agjendë centriste. 

Partitë e qendrës pra mbeten gjithandej në pushtet, por janë nën presion nga të gjitha anët prej izolacionistëve dhe popullistëve të cilët fajin për situatën po ia veshin qoftë njërit apo tjetrit aspekt të globalizimit. Si rrjedhojë atyre u është ngushtuar hapësira dhe kapitali politik për të shtyrë përpara reforma të domosdoshme që kërkojnë konsensus ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe integrimin edhe më madh të tregjeve dhe institucioneve botërore.   

Problemi konkret për rajonin tonë është se forcimi i ekstremeve në Evropë po i kthen partitë dhe liderët e qendrës së majtë apo të djathtë, të cilët përndryshe janë mbështetës të integrimit të Ballkanit në BE, në të qenët skeptik dhe hezitues ndaj ndërmarrjes së hapave në këtë drejtim. Në shumë shtete politikanët po i frikësohen votës ndëshkuese të të frustruarve ekonomikë. Popullistët manipulues po i bindin këta votues se liberalizimi i tregjeve të punës dhe zgjerimi i deritashëm i BE-së ka gisht në krizën e sotme (gjë që është absolutisht e pavërtetë).

Problemi tjetër dhe i ndërlidhur është se kriza e konsensusit neoliberal po ndodh paralelisht me dobësimin e rolit të SHBA-ve në arenën ndërkombëtare. Ishte hegjemonia e pakontestueshme e SHBA-ve në periudhën post-komuniste ajo që deri vonë shërbente si garantuese jo vetëm e rendit ekonomik liberal, por bashkë me të edhe e rendit politik dhe juridik liberal në marrëdhëniet ndërkombëtare. 

Në rendin e deridjeshëm unipolar të dominuar nga SHBA-të, e drejta ndërkombëtare nuk ishte vetëm produkt ekskluziv i balancës së fuqive mes shteteve, por edhe mekanizëm aktiv për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe promovimin e lirisë dhe demokracisë nëpër botë. Ishte doktrina e “intervenimit liberal” ajo që u përdor për ta legjitimuar intervenimin në Kosovë dhe në vende të tjera ku demokracia dhe liria kërcënoheshin nga tiranët. 

Siç shkruante këto ditë David Brooks në kolumnen e tij në New York Times, ky rend ndërkombëtar progresiv tani po vihet në rrezik nga fuqi të reja jodemokratike si Kina, apo disa të rimëkëmbura si Rusia, të cilat po e përdorin vakuumin e krijuar nga dobësimi i SHBA-ve për t’i ndjekur projektet e tyre hegjemoniste rajonale. 

Paaftësia e vendeve perëndimore për t’u koordinuar mes vete për zgjidhjen e problemeve sistemike të ekonomisë botërore, apo për t’iu kundërvënë shkeljeve flagrante të rendit ndërkombëtar (Ukrainë) dhe të drejtave të njeriut (Siri), dëshmon se kemi hyrë në një epokë të re të brishtësisë dhe paqartësisë, pa timonier dhe garantues të fortë të rendit.   

Rendi liberal dhe unipolar amerikan kishte shumë probleme dhe mangësi të cilat përfundimisht edhe e sollën botën drejt krizës së sotme. Por ata që e quajnë veten progresivë dhe që sot nuk po mund ta fshehin gëzimin me krizën e rendit liberal – dhe të tillë fatkeqësisht ka mjaft edhe në mesin tonë, duhet të kuptojnë se ky rend megjithatë është lule në krahasim me një bote të errët ku njerëz si Putin-i, Asad-i, ose bosët e Partisë Komuniste të Kinës kanë fuqi për të qenë faktorë vendimtarë për fatet e botës. Për këtë fakt do të duhej të ishim shumë të vetëdijshëm sidomos ne kosovarët – përfituesit e drejtpërdrejtë të drejtësisë nën rendin liberal amerikan.