Kriteret e çrregullta për punësimin e të rinjve në Komunat e Kosovës

 

Komunat e Kosovës nuk kanë standarde të njëjta kur kërkojnë të angazhojnë punonjës. Hulumtimi i BIRN zbardhë se për pozitën e njëjtë në komuna dhe pozita të ndryshme kërkohen kualifikime përvojë dhe njohuri të ndryshme.

Hulumtimi zbardhë se për pozitën e Zyrtarit Ligjor brenda një drejtorie të caktuar nuk kërkohet asnjë vjet përvojë pune ndërsa për pozitën Zyrtar i Gjendjes Civile brenda të njëjtës komunë kërkohen 4 vjet përvojë pune.

Pozita e Zyrtarit të Gjendjes Civile nëpër komuna

Për pozitën e Zyrtarit të Gjendjes Civile në shumicën e komunave të Kosovës kriteret janë që kandidatët potencialë duhet të kenë ndonjë diplomë universitare. Shumica e tyre kërkojnë që kandidatët të kenë të përfunduar Fakultetin Juridik, Administratën Publike por që nuk mungon edhe vetëm ky përshkrim, diplomë universitare. Kjo i jep mundësi formalisht që edhe kandidatët me Fakultet të Veterinarisë të aplikojnë.

Përvoja e punës nuk është kusht elementar, bën përjashtim kur kandidati nuk ka diplomë universitare por ka të mbaruar shkollën e lartë dhe duhet të ketë 2 vite përvojë pune. Gjithashtu kriter tjetër është që kandidati të mos jetë nën hetime apo të ketë qenë i dënuar për ndonjë vepër penale .

Në konkursin që ka shpallur Komuna e Ferizajt më 2 tetor 2018, për pozitën Zyrtar i Gjendjes Civile kërkohen 4 vite përvojë pune. Përderisa në shumicën e komunave të tjera nuk kërkohet fare kjo përvojë pune. Në Komunën e Ferizajt koeficienti  i pagesës është 5 kurse në komunat e tjera është 6.

Përderisa për pozitën Zyrtar i Gjendjes Civile në Komunën e Ferizajt janë kërkuar 4 vjet përvojë punë, në të njëjtën komunë për pozitën e Zyrtarit Ligjor në Drejtorinë e Urbanizmit nuk është kërkuar asnjë vjet përvojë pune.

Shefja e personelit në këtë komunë Fikrete Veliu ka thënë se gjithçka është brenda suazave të ligjit dhe rregulloreve të përcaktuara nga Ministria e Administratës Publike dhe se kjo ministri është përgjegjëse për përcaktimin e kritereve në bazë të niveleve dhe gradave.

Edhe në Komunën e Prizrenit mund të vërehen dallime në konkurseve të hapura brenda vetë komunës dhe në raport me komunat e tjera.

Në një konkurs të hapur më 29 maj 2018 nga Komuna Prizrenit për shërbime të veçanta, kërkohej që në kohëzgjatje prej 6 muajsh të plotësohen 3 pozita të Zyrtarit të Gjendjes Civile

Në këtë ishte vetëm një kriter, kandidati duhej të kishte të përfunduar shkollën e mesme pra përvoja e punës nuk ishte e nevojshme. Madje në këtë konkurs nuk ishte përcaktuar as koeficienti, por ishte cekur paga në mënyrë shprehimore, 378 euro bruto për t’u përmirësuar më vonë duke u zbritur në 300 euro bruto.

Komuna e Prizrenit ka qenë mjaft zemërgjerë edhe me kandidatët që potencialisht mund të kenë pasur probleme me ligjin në të kaluarën. Në këtë konkurs nuk ishte vendosur si kriter që kandidatët nuk duhen të jenë nën hetime apo të mos jenë të dënuar.

Kritere kaq të ulëta nuk ishin kërkuar nga Komuna e Prizrenit në një konkurs për pozitë të njëjtë në vitin 2015.

Në konkursin që ishte shpallur më 19 qershor 2015, kjo komunë kishte parë të arsyeshme që për këtë pozitë të kërkonte diplomën universitare, 2 vite përvojë punë dhe certifikatën që tregonte se kandidati nuk është nën hetime. Në konkursin e njëjtë kërkohej edhe njohja e gjuhëve zyrtare.

Në Komunën e Gjakovës, në konkursin e datës 15 maj 2017 për Zyrtar të Gjendjes Civile në Drejtorinë për Punë të Përgjithshme Administrative, ishte ofruar koeficienti 5.

Kjo dallon nga disa komuna të tjera që e kanë koeficientin 6 si  komuna  e Gjilanit,Lipjanit,Prishtinës Suharekes por ka edhe komuna e që e kishin përcaktuar koeficientin 5 si komunat e Ferizajit, Gjakovë Skenderaj Deçan.

Në këtë konkurs pra të datës  datës 15 Maj 2017 për Zyrtar të Gjendjes Civile  Komuna e Gjakovës kishte përcaktuar se kandidatët nuk duhet të kishin asnjë vjet përvojë pune , në raste se kanë të përfunduar shkollimin universitar   kandidatët  mund të aplikonin edhe pa shkollime universitar por vete duhet të kishin 2 vjet përvojë pune dhe diplomë të shkollës së lartë.

Në konkursin e shpallur më 7 korrik 2017, Komuna e Skenderajt kishte hapur konkurs për pozitën e Zyrtarit të Gjendjes Civile në të cilin kishte kërkuar krahas studimeve bachelor në juridik, ekonomi, administratë publike, shkenca sociale apo me shkollë të lartë, të kenë edhe dy vite përvojë pune profesionale.

Kjo Komunë nuk i kishte kërkuar këto 2 vjet përvojë pune në vitin  2015. Në konkursin për Zyrtar të Gjendjes Civile në Drejtorinë për Administratë, përvoja e punës dhe diploma bachelor as nuk përmenden.

Përveç dallimeve brenda vetë Komunës, dallime vërehen edhe në konkurset e njëjta në komuna të ndryshme.

Për pozitën e Zyrtarit të Gjendjes Civile në komunat e tjera, kriteret kanë qenë që kandidatët të jenë pa përvojë pune ose të kenë shkollë të lartë dhe dy vite përvojë pune. Koeficienti ka variuar nga 5 deri në 6. Kriteri që kandidati të sjell certifikatën se nuk është nën hetime apo nuk është i dënuar për vepër penale ka qenë i pranishëm thuajse tek të gjitha konkurset. Përjashtim kanë bërë një konkurs në Komunën e Prishtinës dhe një në komunën e Prizrenit konkretisht konkursi i datës 29 Maj 2018 i shpallur nga Komuna Prizerenit  dhe ai i Komunës së Prishtinës i shpallur në vitin 2016 .

Duke u bazuar në shembujt e dhënë më lart, shihet se edhe procesi i rekrutimit nuk është i njëjtë në të gjithë Kosovën. Si procesi i rekrutimit, paga shpesh edhe brenda komunës dallojnë kriteret për pozita të njëjta.

Pozita e Zyrtarit të Gjendjes civile nuk është e vetmja në të cilën bëhen këto dallime. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me pozitën e Zyrtarit Ligjor.

Pozita e Zyrtarit Ligjor nëpër komuna

Fillojmë prapë me Komunën e Ferizajt e cila këtë radhë për ndryshim nga pozita e Zyrtarit të Gjendjes Civile ku kërkoheshin 4 vjet përvojë pune, tani në pozitën e Zyrtarit Ligjor në kuadër të Drejtorisë së Urbanizmit, në konkursin e datës 3 tetor 2018 nuk kërkohej përvojë pune. Kësaj pozite Komuna Ferizaj i ka vënë koeficientin 6.

Për pozitën e njëjtë komuna e Pejës dhe Prizrenit, në konkursin e datës 21 maj 2018 përkatësisht 4 Korrik 2018, kanë kërkuar dy vjet përvojë pune. Konkursi në Prizren është shpallur në Drejtorinë e Urbanizmit, në të njëjtën drejtori si në rastin e Komunës së Ferizajt. Dallimi i vetëm nga konkursi i shpallur është koeficienti. Dy konkurset e shpallura në Pejë dhe Prizren kanë vendosur koeficientin 7 për këtë pozitë përderisa në Ferizaj ishte vendosur koeficienti 6. Për pozitën e njëjtë. Certifikata se kandidati nuk është nën hetime kërkohej në të tri konkurset e shpallura në Ferizaj, Pejë dhe Prizren.

Për dallim nga tri komunat e mësipërme, Komuna e Gjakovës në konkursin për Zyrtar Ligjor të datës 4 shtator 2018 nuk kishte kërkuar fare që kandidatët me diplomë universitare të kenë përvojë pune. Ndryshe nga Peja, Ferizaj dhe Prizreni që kishin vendosur koeficientin për këtë pozitë 6 dhe 7, në Gjakovë koeficienti ishte vendosur 5.

As kryeqyteti i Kosovës nuk ka bërë përjashtime nga këto dallime në konkurse. Komuna e Prishtinës në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë kishte shpallur një konkurs më 28 dhjetor 2017. Për dallim nga komunat e tjera, në Komunën e Prishtinës ishte vendosur koeficienti H20 i cili nuk korrespondon me koeficientet e zakonshëm të vendosur nëpër komuna por ajo çfarë kemi mësuar gjatë këtij hulumtimi është që ky lloj koeficienti përdoret në konkurset që vijnë nga Drejtorit e Shëndetësisë.

Dallim tjetër ishte edhe kriteri i përvojës së punës. Komuna e Prishtinës kishte kërkuar që kandidatët të kenë 3 vjet përvojë pune, ndryshe nga komunat e tjera ku janë kërkuar 2 vjet  4 ose 0 vjet përvojë pune.

Pak kilometra larg Prishtinës, në Komunën e Skenderajt në një konkurs të datës 20 shtator 2018, ku kërkoheshin të plotësoheshin 5 pozita, dy prej tyre ishin për pozitën Zyrtar Ligjor. Njëra pozitë e Zyrtarit Ligjor ishte me koeficient 7 ndërsa tjetra me koeficient 6. Për këtë pozitë në Komunën e Skenderajt kërkoheshin 2 vjet përvojë pune.

Komuna tjerët ku janë hulumtuar konkurset e shpallura për pozitën Zyrtar Ligjor është Komuna e Mitrovicës Jugore. Në konkursin e hapur më 12 tetor 2018, kjo komunë për pozitën Zyrtar Ligjor jepte një koeficient 6 dhe nuk kërkonte që kandidatët të kenë përvojë pune.

Pra edhe siç është shpjeguar më lart, ashtu si për pozitën e Zyrtarit të Gjendjes Civile edhe për pozitën e Zyrtarit Ligjor ka shumë dallime nëpër konkurset e hapura nëpër komunat e ndryshme të Kosovës. Dallimet vërehen te kriteret për përvojën e punës dhe te koeficientet të cilët variojnë nga 5 deri në 7 varësisht nga komunat.

Pozita e Punëtorit Social nëpër komuna

Për pozitën Punëtor Social zakonisht është kërkuar që kandidatët të kenë dy vjet përvojë pune. Në Komunën e Pejës, në konkursin e datës 9 tetor 2018, kërkoheshin 2 vjet përvojë pune si dhe kjo pozitë kishte koeficientin 7. Kandidatët duhet të kishin të përfunduar Fakultetin Juridik, atë të Sociologjisë, Psikologjisë apo të Pedagogjisë.

Komuna e Mitrovicës Jugore, në konkursin e shpallur më 20 mars 2018, kësaj pozite i kishte vendosur koeficientin 7.5, më të lartë se në komunat e tjera. Në konkurs kërkohej që kandidatët të kishin 2 vjet përvojë pune, të posedonin diplomë ne fushën e shkencave shoqërore. Por, Komuna e Mitrovicës Jugore nuk e kishte parë të arsyeshme që nga kandidatët të kërkonte edhe certifikatën që do ta dëshmonte se ata nuk janë nën hetime.

I njëjti rast kishte ndodhur edhe me Komunën e Drenasit. Në konkursin e shpallur më 30 mars 2018, koeficienti për pozitën Punëtor Social ishte 7.5, kërkoheshin dy vjet përvojë pune profesionale. Njëjtë si në Mitrovicën Jugore, as në Drenas nuk kërkohej certifikata që dëshmon se kandidatët nuk kanë pasur apo nuk kanë probleme me ligjin. Gjithashtu kjo Komunë në këtë konkurs nuk i privon nga e drejta për konkurrim as kandidatët me që e kanë të përfunduar Fakultetin e Ekonomisë.

E pazakonshmja tjetër ndodh në Komunën e Malishevës. Në konkursin e 30  marsit 2018, për pozitën Zyrtar për Shërbime Sociale, kjo Komunë vendos koeficient 6.5. Në konkurs nuk kërkohej që kandidatët që kanë diplomë bachelor të kenë përvojë pune. Gjithashtu nuk i përjashtonte as kandidatët me shkollë të mesme me kusht që ata të kenë dy vjet përvojë pune.  Njëjtë si në Mitrovicën Jugore dhe në Drenas, as në Komunën e Malishevës nuk është parë e arsyeshme që të kërkohej certifikata që dëshmonte se kandidatët nuk janë nën hetime apo të dënuar për vepra penale.

Ndërsa në Komunën e Skenderajt, në një konkurs të datës 11 shtator 2017, për pozitën Zyrtar për Mirëqenie Sociale, kriter ishte vendosur që kandidatët të kishin 4 vjet përvojë pune. Ky konkurs nuk i përjashtonte as kandidatët që kishin përfunduar Shkencat Politike. Kjo pozitë kishte koeficientin 6.5.

Në një konkurs tjetër të datës 5 korrik 2018, për pozitën Zyrtar për Shërbime Sociale, Komuna e Skenderajt kërkon që kandidatët të kenë dy vjet përvojë pune dhe në vend të koeficientit  kishte përcaktuar pagën fikse, e cila ishte 400 euro në muaj.

Siç u dëshmua edhe nga shembujt e mësipërm, edhe për pozitën Zyrtar për Shërbime Sociale nëpër komuna të ndryshme të Kosovës ka pasur mjaft dallime. Një nga gjetjet në këtë rast është se shumica e komunave të hulumtuar nuk e kishin vendosur si kriter që kandidatët të sillnin certifikatën që do të dëshmonte se ata nuk kanë probleme me ligjin.

Gjithashtu ka pasur dallime edhe në vendosjen e koeficienteve për këtë pozitë nga komuna të ndryshme. Minimumi ishte 5.5 në Gjakovë dhe maksimumi 7.5 në Drenas e Mitrovicë. Kurse kriteri i përvojës nuk ka qenë i standardizuar. Duke filluar nga Malisheva ku përvoja nuk ishte e domosdoshme e deri në Skenderaj ku në një rast kërkoheshin 4 vjet përvojë punë, kurse në disa komuna të tjera kërkohej që kandidatët të kishin 2 vjet përvojë pune.

Nëse analizohen këto të dhëna del kriteret për pozitën e njëjtë janë të ndryshme nëpër komunat e Kosovës, duke filluar nga paga, përvoja e punës deri te kualifikimi shkollor. A nuk do të duhej që për pozitë të njëjtë, të kishte kritere të njëjta dhe pagë të njëjtë në të gjithë Kosovën?

A qëndron fakti se Shërbimi Civil i Republikës së Kosovës ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës?

Shpjegimi i komunave dhe i Ministrisë së Administratës Publike është që ata po e zbatojnë ligjin dhe se përcaktimi i përvojës, i gradave dhe i kritereve të tjera bëhet përkitazi me  Rregulloren nr. 05/2012 për Klasifikimin e vendeve të punës në Shërbimin Civil dhe se çdo konkurs i iniciuar nga komunat  kalon përmes aprovimit të Ministrisë së Administratës Publike.

(Autori është bursiste e grantit të financuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) )