Kriminelët e luftës përdoren si mjet fushate në zgjedhjet e Bosnjës

Kur kreu i Partisë Demokratike Serbe, SDS, Vukota Govedarica, i cili kandidon në zgjedhjet e të dielës në vend si kandidat për president në Republikën Srpska, mbajti një tubim parazgjedhor në qytetin Pale kohët e fundit, ai i tha publikut të tij se donte “t’i ngjante” Radovan Karaxhiçit.

“Kur vajzat e Karaxhiçit, Sonja dhe Ljilja, të flasin me babanë dhe bashkëshortin e tyre dhe presidentin tonë të parë pas përfundimit të tubimit, do të doja t’u kërkoja atyre t’i përcjellin të falat tona dhe t’i thonë se presidenti i ardhshëm i Republikës Srpska tha se ai do të donte t’i ngjante atij dhe jo personit që udhëheq Republikën Srpska sot”, tha Govedarica.

Vajza e Karaxhiçit, Sonja Karaxhiç-Joviceviç po kandidon gjithashtu në zgjedhjet për parlamentin e Republikës Srpska në emër të SDS-së, duke përdorur sloganin “T’i rikthejmë popullit Republikën Srpska”.

Babai i saj – presidenti i parë i Republikës Srpska dhe themeluesi i SDS – u dënua nga gjykata e OKB-së në Hagë për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrje peng të paqeruajtësve të OKB-së, edhe pse ai tani po e apelon vendimin.

Foto: Posteri i Sonja Karaxhiq – Joviceviq, Balkan Insight

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjobiti Govedaricën me 5,000 marka boshnjake (rreth 2,560 euro) dhe SDS dhe partnerin e saj zgjedhor, Partinë për Progres Demokratik, PDP, me 3,500 marka (rreth 1,790 euro) për përdorimin e gjuhës që mund ta çojë dikë të nxisë dhunë ose të përhapë urrejtje. Por komisioni nuk shpjegoi nëse gjoba është vënë apo jo për shkak të fjalimit të Govedaricës në Pale.

Ky nuk ishte i vetmi incident gjatë fushatës në të cilën kandidatët kanë përdorur të pandehurit për krime lufte si mjet promovues, duke besuar qartë se një strategji e tillë do të bëjë që të fitojnë vota nga grupi i tyre etnik.

Një billboard i fushatës ku shfaqet njësia Jurisni (Sulmi) e Ushtrisë Serbe të Bosnjës gjatë kohës së luftës u vendos muajin e kaluar në qytetin e Vlasenicës. Ajo përfshinte gjithashtu fotografi të kryetarit të bashkisë, Miroslav Kraljeviç, dhe ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i cili u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës për kryerjen e krimeve të ngjashme me ato të Karaxhiçit. Edhe Mlladiçi po e apelon gjithashtu vendimin.

Në përgjigje të incidentit me billbordin, kreu i Misionit të OSBE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Bruce Berton, shkroi në Twitter: “Lavdërimi i kriminelëve të luftës? Promovimi i hakmarrjes në vend të drejtësisë? Si do ta ndihmojë kjo ekonominë, kujdesin shëndetësor apo arsimin?”

Berton tha se donte që votuesit dhe kandidatët të përqendroheshin në çështje që janë të rëndësishme për jetën e tyre të përditshme.

“Lavdërimi i kriminelëve të luftës me siguri nuk ndihmon procesin e pajtimit në këtë vend, por ai në fakt përfaqëson një shpërqendrim nga politikanët që nuk janë të gatshëm të flasin për problemet aktuale”, tha kreu i Misionit të OSBE-së për BIRN.

“Doja t’i bëja thirrje qytetarëve, votuesve dhe liderëve të zgjidhin çështje të rëndësishme, siç janë shëndetësia, arsimi dhe korrupsioni”, shtoi ai.

Vetëm dy nga partitë politike të vendit iu përgjigjën pyetjes së BIRN-it nëse është e drejtë të përdoren emrat e njerëzve të dënuar për krime lufte gjatë fushatës zgjedhore.

“Përmendja e personave të dyshuar ose të dënuar për krime lufte gjatë fushatës është e ligjshme aq sa është kur nuk ka fushatë, me kusht që ata të përmenden në një kontekst të përshtatshëm brenda një fjalimi politikisht korrekt, i cili nuk mund të cilësohet si gjuhë urrejtjeje dhe nxitje, natyrisht, dhe pa zhvlerësuar prezumimin e pafajësisë nëse po flasim për të dyshuarit”, tha Nasja Stranka e Partia Jonë.

Partia Kroate e të Drejtave tha se nuk ka rregulla për sanksione specifike për “glorifikimin e regjimeve totalitare dhe kriminelëve”, por se çështja mbulohet nga statuti i partisë, i cili “i është përshtatur normave dhe standardeve demokratike”.

Retorika nacionaliste shpesh shihet nga politikanët boshnjakë si një fituese votash. Por ekspertët politikë theksuan se kriminelët e luftës po lavdërohen gjithashtu kur në vend nuk ka asnjë fushatë zgjedhore.

Vehid Sehiç i Forumit të Qytetarëve të Tuzlës tha se kjo tregonte se s’ka asnjë lloj empatie ndaj viktimave të konfliktit të viteve 1992-1995.

“Kjo vërteton se ne jemi larg bërjes paqe me të kaluarën, pavarësisht sa shpesh politikanët thonë se kriminelët e luftës janë kriminelë lufte pavarësisht nga përkatësia etnike dhe se viktimat janë viktima pavarësisht nga përkatësia etnike”, tha Sehiç.

Aleksandra Letiç nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Republikën Srpska tha se çdo lloj procesi pajtimi zhduket plotësisht kur fillon një fushatë zgjedhore.

“Është evidente që jo vetëm që nuk po përballemi me të kaluarën, por që përballja me të nuk është temë zgjedhjesh, se të drejtat e viktimave të etnive të tjera nuk përfshihen në programet politike, por po shkelen me vetëdije në fushatat zgjedhore, janë varrosur akoma më thellë, dhe ajo që po ndodh është një garë në lidhje me kush do të bëhet mbrojtës i interesave etnike kombëtare”, tha Letiç.