Kreu i Prokurimeve në Takimin Zgjedhor të PDK-së

Partia që udhëheq pushtetin në vend rizgjodhi të dielën për kryetar dege në Suharekë deputetin Ramë Vataj në tubimin ku ishin të pranishëm edhe anëtarët e kryesisë qendrore të PDK-së Enver Hoxhaj, Vlora Çitaku e Hajredin Kuqi.

Pjesëmarrës ishte edhe Kadri Veseli, ish-shef i Shërbimit Informativ të Kosovës, tash zyrtarisht anëtar i PDK-së.

Por, aty ishte edhe zyrtari kryesor i tenderëve në vend.

Safet Hoxha mban pozitën e kryetarit të bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), një trupë e pavarur nga ekzekutivi por që i raporton Kuvendit të Kosovës dhe që është, ndër të tjera, përgjegjëse “për të vëzhguar dhe mbikëqyrur zbatimin e dispozitave të ligjit dhe të rregullave të prokurimit publik”.

Ai para se të emërohej në këtë pozitë në korrik të vitit 2010 kishte qenë asambleist nga radhët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Suharekës .

“Kam qenë pjesëmarrës, por nuk kam votuar gjatë zgjedhjeve në Suharekë”, tha Hoxha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërkohë sekretari i degës së kësaj partie, Driton Krasniqi, fillimisht tha se Hoxha kishte votuar në kuvendin zgjedhor të partisë.  “Duke u bazuar në marrëdhëniet e shkëlqyeshme që ekzistojnë në këtë degë unë besoj fuqishëm që Safet Hoxha ka votuar ”, tha Driton Krasniqi .

Më vonë, kur është kontaktuar për t’iu prezantuar se Hoxha thotë se ka qenë vetëm mysafir,  sekretari i degës ka ndryshuar fjalët. Ai në deklaratën e dytë ka mohuar që Hoxha ka votuar të dielën.

“Safet Hoxha ka qenë i pranishëm si mysafir gjatë zgjedhjeve. Nuk është delegat i kësaj dege për shkak të pozitës që ka në KRPP”, tha Driton Hoxha.

Ndërkaq edhe i rizgjedhuri si kryetar dege në Suharekë, Ramë Vataj, ka konfirmuar se Hoxha ishte në tubimin partiak të mbajtur të dielën. “Po, prezent gjatë votimit ka qenë edhe Safet Hoxha së bashku me delegacionin nga Prishtina, mirëpo unë nuk e di a ka votuar ai apo jo. Këtë mund ta konfirmoj sekretari i partisë”, tha Vataj.

Me ligjin për prokurimin publik, anëtarët e bordit të KRPP-së propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi i Kosovës. Në të nuk ka ndonjë kufizim decidiv kundër emërimit të anëtarëve të partive politike në bord.

Po ashtu, edhe sipas ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, “zyrtari i zgjedhur si përfaqësues i partisë politike ruan të drejtën e ushtrimit të funksionit në parti politike nëse me ligj të veçantë nuk është paraparë ndryshe”.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile kritikojnë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për emërim të përkrahësve partiakë dhe familjarëve nëpër borde drejtuese të institucioneve që ligjërisht janë të pavarura.

“Ka ekzistuar një tendencë e vazhdueshme e Qeverisë për të mbushur bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura me përkrahës partiakë dhe familjarë”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, Agron Demi, drejtor në Institutin për Studime të Avancuara (GAP).

Po ashtu, sipas tij, edhe Kuvendi i Kosovës ka dështuar në shumë raste të kontrollojë të kaluarën e të propozuarve për anëtarë të bordeve e po ashu nuk ka mundur të ndalojë emërimin e militantëve.

Merita Mustafa, menaxhere e programit “Transparenca dhe Antikorrupsioni” në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë se ky rast është një shembull jo i mirë, sepse “ekziston rreziku se ai mund të ndikohet nga partia e tij duke favorizuar kompanitë të cilat mbështesin fushatat e partisë”.

“Ky fakt është tejet shqetësues, duke e marr parasysh se sektori i prokurimit publik është një prej sektorëve që më së shumti dyshohet për afera korruptive dhe me njerëz të cilët vijnë nga partitë politike. Madje, këtë të fundit nuk ka hezituar ta pranoj as Kryetari i Parlamentit z. Jakup Krasniqi, i cili para disa viteve pati deklaruar publikisht se ‘të gjitha partitë vazhdimisht janë munduar që të punësojnë njerëz të afërm të tyre në sektorin e prokurimit  publik’”, tha Mustafa për Gazetën Jeta në Kosovë.