Krasniqi: Jam Ende Duke Menduar...

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, nuk është i përcaktuar ende nëse do të marrë pjesë në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Drejtues të Partisë Demokratike të Kosocës, ku do të zgjedhet kryesia e re e partisë në pushtet.

Koordinatori për zgjedhjet Basri Musmurati thotë se janë ende duke u marrë me çështjet verifikuese të përbërjes së re të këshillit dhe prandaj nuk dihet data e takimit ndonëse lista e anëtarëve të rij të kësaj trupe është publikuar.

Kryeparlamentari Krasniqi, i cili e bojkotoi konventën e PDK-së por prapë u zgjodh në organin më të lartë ekzekutiv të saj, i tha Gazetës Jeta në Kosovë të mërkuren se ende nuk është i përcaktuar nëse do të marrë pjesë në mbledhjen kur do të zgjidhet kryesia.

“Realisht jam duke menduar”, tha ai. “Por unë nuk kam hequr dorë nga ajo që kam thënë si dhe vlerësimin që e kam dhënë për këto zgjedhje”.

Mospajtimet mes kreut të partisë Hashim Thaçi dhe vet atij, Krasniqi u vendosi në publik një ditë para nisjes së Kongresit të Përgjithshëm të partisë, me një letër publike ku shprehu pakënaqësitë e tij me drejtimin e PDK-së dhe kualitetin e qeverisjes nga ana e saj, duke deklaruar mospjesëmarrjen në kongres. http://www.gazetajnk.com/index.php?cid=1,984,4505
 
“Ky proces është bërë nga kreu i partisë ‘për të kënaqur ambiciet e tij dhe vetëm të tij, por jo zgjedhje për Kosovën dhe qytetarët e saj’”, thuhej në letrën e Krasniqit dërguar mediave.

“Zgjedhjet e fundit nacionale dhe sidomos këto të fundit partiake, dëshmojnë përfundimisht se kreu i PDK-së e ka nxjerrë tërësisht partinë nga shtrati i saj themeltar, jashtë programit e statutit të saj, rrjedhimisht jashtë të gjitha vlerave themeluese e normuese. Ka eliminuar çdo debat e diskutim e bashkë me këtë çdo vlerë që do të rezultonte gjithandej edhe për çështjet më vitale për vendin dhe kombin”, vazhdonte ai.

Koordinatori i Zgjedhjeve Basri Musmurati thotë se verifikimi i zgjedhjes së këshillit të përgjithshëm do të “të marrë kohë diku edhe 4 ose 5 ditë”.

Më 27 janar PDK-ja rizgjodhi me vota të hapura kryetarin e partisë, Hashim Thaçi ku nga 719 degatët e pranishëm vetëm një votoi kundër tij.

Në ditën e dytë të punimeve po ashtu u votua edhe për përbërjen e re të Këshillit të Përgjithshëm. Degatët e Pranishëm votuan për përbërjen e re prej 154 anëtarëve. Në listë janë zgjedhur edhe dy zyrtarët që mungonin atë ditë, ish-nënkryetari Fatmir Limaj (i dhjeti) dhe ish-sekretari i përgjithshëm Jakup Krasniqi (i 36-ti). Kësaj liste bindshëm i priu ish shefi i ShIK-ut, Kadri Veseli, me 581 vota të marra.

Ndërkohë në përbërje të saj dolën të jenë edhe shumë anëtarë tjerë të kësaj organizate. http://www.gazetajnk.com/index.php?cid=1,1018,4570

Procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar as në nivelin e degëve. Koordinatori Musmurati tha se Dega e Vitisë ende nuk e ka mbajtur kuvendin zgjedhor. “Pasi t’i kryejmë të gjitha punët këndej, do të merremi me Vitinë”, tha ai.

Po ashtu, gazeta ka raportuar se partia e Kryeministrit Hashim Thaçi nuk ka treguar se sa shpenzoi dhe nga i siguroi paratë për të organizuar konventën qendrore dhe zgjedhjet e saj të brendshme, ndonëse obligohet me ligj. Ajo zbuloi vetëm një faturë prej 14 mijë eurosh. http://gazetajnk.com/?cid=1,3,4594