KQZ Shpalli Rezultatet Përfundimtare të 8 Qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të enjten, ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 8 qershor.

Në këto zgjedhje kanë garuar 30 subjekte politike, ndër të cilat 18 parti, 7 iniciativa qytetare, 1 kandidat i pavarur dhe 4 koalicione.

Sipas rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) së bashku me partitë e koalicionit ka marrë 222.181 vota apo 31.38 %, më pas Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), 184.596 vota, apo 25.24 %, Lëvizja Vetëvendosje 99.397 vota apo 13.59%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 69.793 vota apo  9.54%, Lista Serbe 38.199 vota apo 5.22% dhe Nisma për Kosovën 37.681 vota, ose 5.15%.

Aleanca Kosova e Re ka marrë 34.170 vota apo 4.67%. Sipas këtyre rezultateve AKR nuk e ka kaluar pragun zgjedhor.

Nga partitë që e kanë kaluar pragun zgjedhor, PDK-ja se bashku me partitë e tjera të koalicionit do të ketë 37 deputetë, LDK 30, Lëvizja Vetëvendosje 16, AAK 11, Lista Serbe 9 dhe Nisma për Kosovën 6 deputetë.

Pas shpalljes së rezultateve, kryesuesja e KQZ-së Valdete Daka tha se tani janë në dispozicion 24 orë në dispozicion për subjektet politike për të bërë ndonjë ankesë në PZAP.

Ajo tha se nëse do të ketë ankesa, atëherë  PZAP-së do ta njoftojë KQZ’në në mënyrë që t’i hapet rrugë certifikimit të rezultateve.

Zgjedhjet e 8 qershorit janë vëzhguar nga rreth 23 mijë vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë.