KPM-ja paguan 20 mijë euro për trajnim në mënyrë të parregullt

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) me 21 shkurt 2017 kishte bërë një pagesë nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve për programin e zhvillimit profesional “Masterclass” në llogarinë ‘Albany Associates LTD’ me vlerë 20,740 euro.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se pagesa si paradhënie ishte ekzekutuar duke u bazuar vetëm në një çmimore, agjendë të dërguar me email me 23 janar të vitit 2017 dhe faturës së datës 20 shkurt 2017, pa ndonjë marrëveshje/ kontratë me të cilën përcaktohen të drejtat dhe obligimet e palëve.

“KPM-ja kishte arsyetuar mjetet e dhëna për këtë trajnim me listat e pjesëmarrësve të zyrtarëve duke siguruar zbatimin e projektit trajnues”, thuhet në raportin e auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2017 të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Trajnimi “Rregullat dhe procedurat për transmetim digjital” ishte organizuar nga data 28 shkurt deri me 3 mars 2017 nga ‘Albany Associates LTD’ në Tiranë për 17 zyrtarët e KPM-së.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, pagesa e më sipërme nuk është në pajtim me Ligjin e buxhetit.

Ekzekutimi i pagesës nga KPM para konfirmimit se shërbimet e trajnimit janë mbajtur për zyrtarët e tij, sipas raportit të auditimit e rrit rrezikun që objektivat të arrihen pjesërisht apo edhe të mos arrihen fare nga palët, dhe të ketë vlerë të dobët për paranë e dhënë.

“Kjo formë e pagesës mund të konsiderohet si e parregullt dhe mund t’i shkaktojë dëme financiare Komisionit të Pavarur të Mediave”, potencohet në raport.

Një çështje tjetër e evidentuar në raportin e auditimit janë edhe marrëveshjet për shërbime të veçanta.

Auditori ka vërejtur që KPM-ja në vitin 2017 kishte lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta me dy punonjës për pozitat, Zyrtar për Koordinim dhe Ndërlidhje dhe Zyrtar për Përpunimin e të Dhënave në kohëzgjatje mbi gjashtë muaj. Pagesa për këto shërbime ishte bërë nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve në shumën 7,537 euro.

Kontratat për shërbime të veçanta janë lidhur për pozita të zakonshme e jo për ekspertë të fushave përkatëse dhe për të njëjtat nuk është zhvilluar procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

“Pas rekomandimit tonë, kjo formë e kontraktimit ishte ndërprerë në fund të vitit 2017”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, marrëveshja për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit në kohëzgjatje mbi gjashtë muaj dhe për pozitë të zakonshme, kufizon konkurrencën.

“Gjithashtu rritë rrezikun që shërbimet të mos jenë reale me nevojat e KPM-së dhe buxheti i planifikuar për këtë kategori të mos shpenzohet sipas qëllimit të caktuar”, theksohet në raport.

Sipas nenit 12 të Ligjit për Shërbimin Civil, kohëzgjatja e marrëveshjeve për shërbime të veçanta duhet të jetë për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit, dhe kandidatët potencial i nënshtrohen Ligjit për Detyrime.

Po ashtu ZKA-ja ka gjetur dobësi edhe në mbulimin e pozitave me Ushtrues Detyre. Gjatë auditimit është vërejtur se një nga katër pozitat që mbulohen me ushtrues detyre (UD) kishte tejkaluar afatin e lejuar për mbajtjen e pozitës UD.

“Pozita e Zyrtarit të Lartë për Marrëdhënie Publike mbulohet me U.D nga data 1 qershori i vitit 2017, përveç kësaj i njëjti person e kishte ushtruar këtë detyrë (prill/dhjetor 2016). Kjo praktikë mbetët edhe më tutje sfidë për plotësimin me staf të rregullt të pozitave që mbulohen me UD”, vazhdon raporti.

Sipas nenit 30 të LShC-së, në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës (UD) nuk mund të emërohet më gjatë se tre muaj.

Sipas auditorit, praktika e mbulimit të pozitave me UD për periudha të gjata kohore përveç se nuk është në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, rrezikon që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme në mungesë të konkurrencës së hapur.

“Kjo mund të ndikojë negativisht në performancën e organizatës në përgjithësi”, thuhet në raport.