Kosovari – Foshnja Që Po Rritet

Nëse para katër vjetësh kosovari si pjesë e një kombi të veçuar nga shqiptari ka qenë në inkubator, tashmë ka dalë nga aty dhe po përpiqet që të krijojë një fëmijëri pa probleme.  Por të qenët foshnje nuk do të thotë të kesh një fëmijëri të lumtur. Sidomos nëse foshnjën nuk e duan të gjithë.

Megjithatë për njërin ndër të paktët në Kosovë që së paku publikisht trumbeton idenë që kjo foshnje të rritet dhe që pashmangshëm të ecë me këmbët e veta, publicistin Nexhmedin Spahiu, kombi kosovar po pret ditë të mira.

Pas botimit të librit të parë mbi këtë temë, 10 vjet më parë, i titulluar “Drejt Kombit Kosovar”  i cili ishte grisur nga nacionalistë që kundërshtojnë kosovarin të ndarë nga shqiptari dhe librit të dytë me përmbledhje me shkrime “Kombi në Inkubator”, Spahiu ka sjellë edhe librin e tretë mbi këtë temë.

“Foshnjëria e Kombit Kosovar” është libri i tetë i autorit ku përfshihen analizat, komentet dhe opinionet e Spahiut që janë botuar mes tetorit 2010  dhe shkurtit 2012 në gazetat e Tiranës, Prishtinës, Shkupit e Beogradit.

Promovimin e librit e ka bërë në vendin e njëjtë sikur para katër vjetëve, vetëm se këtë herë në sallë ka pasur më shumë të pranishëm. Edhe laramania e personaliteteve të pranishme ka qenë më e madhe këtë vit.

“Nëse para 10 vjetësh libri është grisur dhe ai i para katër vjetësh kishte ngjallur kundërshtime, ky i tanishmi ka më shumë prezencë”, tha Spahiu, i cili në zgjedhjet e fundit komunale i kishte hyrë garës për kryetar të Mitrovicës.

Në promovimin e librit të ri, kanë qenë të pranishëm përfaqësues nga ambasadat e akredituara në Kosovë, personalitete nga shoqëria civile e prijës fetar si Shefqet Krasniqi i cili me të marrë fjalën trumbetuesi tjetër i flaktë i kombit kosovar Halil Matoshi ka lënë sallën.

Edhe pretendenti për kryeministër nga blloku opozitar në vend Ramush Haradinaj ka qenë i pranishëm ani pse nuk ka qëndruar fare në promovim duke u larguar me arsyetimin se i ka dalë një punë urgjente. Një orë më vonë mediat raportuan se ai kishte pasur takim me liderët e opozitës.

Për Spahiun kasta politike në vend nuk është se ka punuar në rritjen e kombit kosovar. Ka hedhur fajin edhe te librat shkollorë që sipas tij janë të kohës së komunizmit duke iu referuar kombit si diçka që lidhet me gjuhën dhe gjakun.

E për Matoshin, kombi kosovar është krijuar njëjtë si ai shqiptar.

“Me ndihmën e Perëndimit dhe me gjasa që të jetë shumetnik”, tha Matoshi.

“Më vjen keq nga nacionalistët që bien në kurthin e definicionit të Stalinit për kombin”, shtoi ai.

E për publicistin tjetër Shkëlzen Gashi, libri i Spahiut është i veçantë jo për shkak të temave që i trajton por edhe për shkak të qasjes, guximit dhe njohurive multidiciplinare. Sipas tij, libri u hyn në punë politikanëve që kanë qeverisur me Kosovën dhe atyre që po synojnë të  qeverisin në mënyrë që t’i shohin gabimet dhe të mësojnë nga to dhe historianëve që do ta shkruajnë historinë e Kosovës.

Në promovim ka folur edhe ish-deputeti, Naim Rrustemi sipas të cilit Spahiu ka aftësi të jashtëzakoshme për të nxitur debat.

“Me aftësinë e tij për të shkruar me argumente që nuk mund të kundërshtohen, të tjerët vetëm e kanë sharë. Koha do të dëshmojë se Spahiu ka pasur të drejtë  edhe pse çdo e vërtetë ndryshon”, tha Rrustemi.

 Madje si mik i Spahiut, Rrustemi ka treguar se ka shumë mospajtime për ka pasur një sugjerim.

“Nuk është marre të ndryshosh mendim nën presionin e argumenteve”.