Kosovarët i përgjigjen me kreativitet kryeministres serbe (Foto)

Nuk mbahet mend ndonjëherë të ketë mbizotëruar më shumë ngjyra e gjelbër e maleve në prapavijat e fotografive të postuara në rrjetet sociale nga kosovarët.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në një konferencë për media ditë më parë dha një deklaratë për politikanët nga Kosova.

“Keni punë me njerëz të cilët faktikisht kanë dalë nga mali. Për ata është njësoj nëse atje ka luftë ose jo, dhe kjo më shqetëson”, tha ajo gjatë një takimi që kishte me zyrtarë nga Bashkimi Europian.

Ky deklarim i kryeministres serbe ngjalli shumë reagime në Kosovë. Kryediplomati, Behgjet Pacolli, ish- presidentja, Atifete Jahjaga, ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, kryetarja dhe deputetja e Alternatives, Mimoza Kusari, deputetja tjetër e Kuvendit nga LDK, Vjosa Osamani e të tjerë persona publik e jopublik i reaguan kryeministres serbe në rrjete sociale.

Ndërsa të parët që i reagoi të parës së Qeverisë në Serbi ishte ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Behgjet Pacolli. Ai, madje ia ndaloj asaj hyrjen në Kosovë, përgjithmonë.

“E them me përgjegjësi që sa të jem unë ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës, nuk do të lejojë që Kryeministrja serbe të hyjë në Kosovë, për sa kohë që ajo të ndjek një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe ndërmjet etnive që jetojnë këtu”, shkroi Pacolli në “Facebook”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ambasadores së Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

“Në fakt, veç sa erdha nga malet”, ironizoi Çitaku në rrjete sociale.

Në anën tjetër, ish- presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga postoi një foto në “Facebook”.

“Ne mburremi me malet tona”, shkroi ajo.

Së fundmi, ndaj deklaratës së kryeministres serbe ka reaguar edhe trajneri i Majlinda Kelmendi, Driton Kuka. Një foto ku shihet kampionia e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, ai përcolli edhe një mesazh.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë ironizoi me deklarimet e Bërnabiq.

”Gjermanët janë adhurues të mëdhenj të maleve. Shihemi në ecjen e radhës në pyll”, tha Christian Heldt në “Tëitter”.

Në një postim në “Facebook”, Mimooza Kusari- Lila i tha kryeministres serbe se shqiptaret i kanë malet më të bukura në botë.

“Asnjëherë nuk do të arrijë #AnaBernabić të kuptoj pse “jemi njerzit e maleve” të Kosovës ????
Arsyeja është, kemi malet më të bukura në Botë #AlpetShqiptare”, shkroi ajo.

Reagime ndaj deklarimeve të Bërnabiq pati edhe nga ambasadorë të Kosovës nëpër vende tjera, njerëz publik e jopublik.

Më poshtë janë disa prej postimeve të tyre në rrjete sociale: