ilustrim

Kosova Zë Perëndimin për Lindje Cezariane

Për pak çaste, në duart e saj do të jetë një foshnjë që sapo vjen në këtë botë. Ajo ngutet teksa vendosë kapelën dhe maskën ngjyrë blu. I duhet që me kohë të jetë brenda, në sallë të operacionit.

Aq sa e jashtëzakonshme për familjet kjo është edhe një rutinë për Myrvete Paçaradën, drejtoreshën e Klinikës së Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Një infermiere largon maskën, teksa kumton lajmin. “Gjithçka shkoi mirë. Ajo lindi një fëmijë të shëndoshë…” !

Ky kumt jepet shumë shpesh në këtë klinikë. Numri i lindjeve në përgjithësi ka pësuar rënie në Kosovë por numri i foshnjave që lindin me operacion ka shënuar një rritje drastike.

Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovë në vitin 2001 në vend patën lindur afër 39 mijë foshnja. Një dekadë më vonë, më 2011, raportohet për rreth 27,500 lindje. Ose, 11,500 më pak.

foto  
Statistikat e lindjeve  

 

Por, shkalla e lindjeve cezariane në Klinikën e Gjinekologjisë sipas drejtoreshës Myrvete Paçarada ka shënuar një rritje.

Nga 7622 lindje që janë bërë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, deri në mesin e shtatorit të këtij viti, 5440 lindje janë zhvilluar normalisht kurse 2182 lindje janë bërë me operacion.

Paçarada thotë se kjo është shifër e lartë e lindjeve me prerje cezariane. Nëse e shprehim në përqindje, shihet se 28,63 për qind e lindjeve në gjinekologji janë kryer me operacion, kurse 71,37 për qind në mënyrë normale.

Në vitin 2001, nga 13,590 lindje në këtë klinikë vetëm 1845 ose 13.48 për qind ishin kryer përmes operacionit.

foto  
Myrvete Paçarada, drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë  

 

“Synim i imi si drejtoreshë e Gjinekologjisë është që të ulë këtë trend të lindjeve me operacion. Kam kërkuar nga stafi mjekësor që vetëm rastet me indikacione të kryhen me operacion. Ato raste që nuk kanë nevojë kam kërkuar që të mos operohen”, thotë Paçarada, duke pohuar se ka shpesh raste që lindin me operacion pa pasur nevojë.

Lindja me anestezion shpesh kërkohet nga vetë gratë që lindin. Mirëpo, sipas saj, është mjeku ai që duhet të verifikojë nëse lindja duhet të kryhet me operacion apo në mënyrë normale.

Paçarada thotë se shtimi i numrit të lindjeve me operacion, ka rritur edhe koston e shpenzimit.

“Një grua që lindë në mënyrë natyrale nuk ka nevojë për anestezion, nuk ka nevojë për qëndrim disaditor në spital dhe kjo ndikon edhe në koston e spitalit”.

Sado që nuk ka një kufi që përcakton shkallën ideale të lindjeve të lejuara me operacion, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) preferon që spitalet të mos e kalojnë 15 përqindëshin sa i përket kësaj mënyre të lindjes, sipas një shkrimi të gazetës amerikane New York Times të datës 13 mars 2010 të titulluar “Lindjet cezariane janë të larta në SHBA). Në SHBA, lindjet cezariane shkonin në 32 për qind më 2007.

Sipas atij artikulli, që i referohet raporteve të OBSH-së dhe agjencive shëndetësore amerikane, rreziqet për nënat ngriten me këso operacionesh pasi zvogëlohen shanset për shtatëzani të ardhshme, familje të mëdha, situata jonormale shëndetësore për nënat, hemorragji etj. Po ashtu, çmimet për këso lindjesh janë dyfish më të larta. 

Edhe raporte më të reja tregojnë se Kosova mund të ketë zënë përqindjen e lindjeve cezariane në Perëndim.

Sipas një ankete të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), me një mostër prej 1000 lindjesh dhe që përfshinë vitet 1990-2010, shihet se në Gjermani në vitin 1990 ishin kryer 157 lindje me operacion kurse më 2010 gjithsej 314.

Raporti tregon se në Zvicër nga 1000 lindje, në vitin 1990 janë kryer me operacion 186 kurse 328 në vitin 2010.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1990, 227 nga 1000 lindje janë kryer me operacion, kurse më 2009 janë kryer 329 lindje cezariane.

Dmth. të tri këto vende perëndimore kanë rreth 32 për qind lindje cezariane (shih dokumentin).

Edhe në Kosovë, sipas statistikave që posedon Zyra e Shëndetit të Nënës dhe Fëmiut, në Ministri të Shëndetësisë, të konfirmuara nga zëdhënësi i MSH-së Faik Hoti, del që shkalla e lindjeve cezariane në disa maternitete është dyfish më e lartë se sa norma e pëlqyer nga OBSH-ja ose rreth 30 për qind.

Spitali i Pejës, në vitin 2011, prinë me numrin më të madh të lindjeve me operacion. Atje 29 për qind e lindjeve kryhen me operacion. Pason QKUK-ja, ku 27 për qind e lindjeve janë cezariane. Spitali i tretë, me shifër të lartë të lindjeve me operacion është spitali i Gjakovës, ku shkalla shkon në 26 për qind.

Zyrtarët spitalorë thonë se këto spitale kanë shifër të lartë të lindjeve cezariane edhe për faktin se në to referohen pacientë nga qytetet tjera. Për shembull, spitali i Ferizajit ka vetëm 6 për qind të lindjeve në mënyrë cezariane, mirëpo shumica e grave atje përzgjedhin të lindin në QKUK.

Por, gjendja ndryshon dukshëm sa i përket lindjeve me operacion në sektorin privat. Shkalla e lindjeve cezariane në këtë sektor ndonjë herë kalon ato normale.

foto  
Statistikat e lindjeve me operacion  

 

Sema Mutgan, gjinekologe në Spitalin Amerikan me seli në Prishtinë, thotë se 42 për qind e lindjeve aty janë kryer përmes operacionit. Spitali ka thënë se nuk mund të lëshojë numrin total të lindjeve pasi këtë e konsideron informacion të brendshëm.

Çmimi i një lindjeje normale në sptialin amerikan është 750 euro kurse një lindje cezariane paguhet 1200 euro. “Këtu përfshihen analizat paraprake para lindjes dhe operacionit, qëndrimi në spital dhe vizita pas lindjes së bebes”.

foto  
Spitali Amerikan në Prishtinë  

 

Janë disa arsye që doktoresha Mutgan i përmend si shkaktarë të lindjeve me operacion.

“Pesha e madhe e bebes, intervenimet e mëhershme në mitrën e nënës, pelviku i ngushtë i nënës, problemet me qafën e mitrës, pozita e bebes, janë indikacionet që vihen vetëm nga ana e mjekut që vendosë për mënyrën e lindjes”, thotë ajo.

Udhëheqësi i spitalit “Lindja” në Prishtinë, Dërgut Aliu, thotë se çmimi i lindjes me operacion në këtë spital është 1200 euro, kurse lindja normale kushton 600 euro.

foto  
Dërgut Aliu, drejtor i spitalit “Lindja”  

 

Aliu thotë se mundësia e komplikimeve gjithmonë është më e madhe tek lindjet me operacion, se sa tek lindjet normale. “Në vitin 2011 në spitalin tonë janë kryer 157 lindje, nga të cilat 67 kanë qenë spontane, kurse 90 me operacion”, thotë doktori Aliu.

Dr. Sueda Latifi, nënkryetare e shoqatës së obstetërve dhe gjinekologëve të Kosovës, thotë se është krijuar një përshtypje se në klinika shtetërore nuk ka mbikëqyre sa duhet dhe se nuk ka qasje te mirë ndaj pacientit. Por, sipas saj kjo nuk qëndron.

Spitalet private, shton Latifi, në pamje ofrojnë enterier më të mirë dhe pajisje më të mira, mirëpo jo të nivelit klinik. “Në sektorin publik, ka mangësi të materialeve të domosdoshme për punë dhe palët irritohen kur duhet të dalin të blejnë gjithçka. Kjo, mbase iu krijon atyre edhe njëfarë pasigurie”.

Por, spitalet private, thotë Latifi, nuk kanë ekipet multidisiplinare në rast të komplikimeve. “Dhe, shpesh ka ndodhë që për shkak të këtyre mangësive, rastet që janë komplikuar në sektor privat, kanë vazhduar trajtimin në sektorin publik”.

Ardita Baraku, kryeinspektore shëndetësore, thotë se trendi i lindjeve cezariane ka shënuar rritje në nivele botëror dhe, sipas saj, këtij trendi nuk mund t’i ikë as Kosova.