Ilustrim nga Pixabay

Kosova Përballë Fqinjëve në PISA

Kosova është renditur në vendet me rezultatin më të dobët në testin PISA të vitit 2015 ku morën pjesë 72 shtete. Rezultatet e prezantuara më 6 dhjetor 2016 e renditën Kosovën në fund të listës bashkë me Perunë, Libanin, Tunizinë, Maqedoninë, Algjerinë dhe Republikën Dominikane.

Singapori ishte shteti me më së shumti pikë ndërkohë që Kosova lë pas vetëm Algjerinë dhe Republikën Dominikane.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA (anglisht: The Programme for International Student Assessment), organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, ku marrin pjesë 35 shtete nga e gjithë bota, përfshirë vendet më të zhvilluara të Evropës.

Testi PISA megjithatë zhvillohet edhe në shtetet partnere të cilat pranohen nga OECD. Në vitin 2015 në testim u përfshinë 72 shtete, ndër to edhe Kosova. Ky program synon testimin e aftësive në shkencë, matematikë dhe lexim të nxënësve 15 vjeçarë të të gjitha vendeve pjesëmarrëse sipas një standardi të përcaktuar nga ekspertët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse.

Gjatë leximit të raportit mund të gjenden raste të vlerësimit me pikë dhe me përqindje. Ndërkaq, ekzistojnë 6 nivele të vlerësimit, ku nivelet 1-2 tregojnë performancë të ulët, 3-4 performancë mesatare dhe 5-6 performancë të lartë.

Rezultatet e PISA kanë treguar se Kosova është ndër vendet me diferencën më të ulët mes 10 përqindëshit të nxënësve më të suksesshëm dhe 10 përqindëshit të nxënësve më të dobët, që do të thotë se niveli i përgjithshëm i nxënësve sipas testimit PISA është i dobët.

Burimi: PISA
Burimi: PISA

Në të tria kategoritë e testimit, shkencë, matematikë dhe lexim Kosova ka zero nxënës që kanë arritur të performojnë në nivelin 5 ose 6, ndërkohë që me performancë të dobët (më pak se niveli 2) Kosova ka një mesatare prej 73.8 përqind të nxënësve të testuar. Sipas kategorive, me performancë të dobët në shkencë dalin 67 përqind të nxënësve, në matematikë 77.7 përqind e nxënësve dhe në lexim 76.9 përqind të nxënësve.

Madje as përkatësia klasore apo shoqërore e nxënësve nuk luan rol në performancën e tyre. Rezultatet tregojnë se numri i nxënësve me performancë të lartë në shkencë e që kanë kushte të mira socio-ekonomike është po ashtu, zero.

Ndërkohë, për sa i përket administrimit të shkollave dhe autonomisë që ato kanë në kryerjen e detyrave del se shkollat e Kosovës janë më pak autonome sesa ato të vendeve tjera, respektivisht Kosova është në vendin e 63-të nga 69 sa janë listuar gjithsej.

Andresa Schleicher, Kryetar i Divizonit dhe Koordinator i OECD – PISA, theksoi faktin se nxënësit më të privilegjuar në Kosovë, në kutpimin socio-ekonomik të fjalës performojnë më dobët se nxënësit me kushte të vështira socio-ekonomike të vendeve të Evropës. “Shihni nga kjo perspektivë: 10 përqindëshi i nxënësve me kushte të vështira të Portugalisë performojnë më mirë se 10 përqindëshi i nxënësve më të privilegjuar të Kosovës”, tha Scleicher për Gazeta JNK.

Megjithatë ka hapësirë për shpresë. Sipas Schleicher ka raste të shteteve që kanë performuar shumë keq në herën e parë të kryerjes së testimit të PISA dhe përmirësimi i shpejtë i tyre ka ndodhur në testimet e radhës.

“Në vitin 2001, Brazili ka qenë vendi me performancën më të ulët në PISA, gjë që kishte shkaktuar një shokim, por që atëherë Brazili është bërë vendi me përmirësimin më të shpejtë të sistemit të arsimit në botë”, tha Shcleicher.

Burimi: PISA
Burimi: PISA

Jusuf Thaçi, njohës i çështjeve të arsimit në Kosovë tha se “vlerësimi i PISA-s është real dhe pasqyron mjaft mirë gjendjen e keqe të arsimit në Kosovë”.

Thaçi mendon se ky rezultat vjen si pasojë e të mësuarit përmendësh. “Kjo tregon se nxënësit tanë mësojnë në mënyrë mekanike dhe nuk aftësohet për të menduar në mënyrë kritike” tha Thaçi për Gazeta JNK.

Sipas Thaçit arsimi duhet të jetë prioritet i njëmendtë i qeverisë. “Duhet investuar në infrastrukturë e në personel; duhen krijuar mekanizma shpërblimi e ndëshkimi të bazuar në mekanizma realë vlerësues; duhet të kemi kategorizim të pagave të mësimdhënësve në varësi të punës dhe rezultateve të tyre”, tha ai.

Thaçi tha gjithashtu, se duhen rikonceptuar tërësisht tekstet shkollore, si dhe duhet ndërtuar legjislacion i detajuar “për të pamundësuar ndërhyrjen e faktorit njeri në proceset që lidhen me çështjet në arsim dhe që parasheh ndëshkime të ashpra për të gjithë cenuesit e cilësisë në arsim”.

Krahasimi: Shqipëria e para në Shkencë

Ndër vendet e tjera të rajonit të cilat kanë marrë pjesë në testimin e PISA janë Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia, me përjashtim të Serbisë. Në të gjitha fushat Kosova është më dobët se të gjitha vendet e rajonit që kanë marrë pjesë në PISA ndërkohë që është dukshëm më e dobët se mesatarja e vendeve të OECD.

Në shkencë, në rajon prin Shqipëria me 427 pikë, pastaj Mali i Zi me 411, Maqedonia me 384 dhe Kosova 378. Ndërkohë që mesatarja e vendeve të OECD është 493.

Burimi: PISA
Burimi: PISA

Në matematikë, në rajon prin Mali i Zi me 418 pikë, pastaj Shqipëria me 413, Maqedonia me 371 dhe Kosova 362. Ndërkohë që mesatarja e vendeve të OECD është 490 pikë.

Në lexim, prin sërish Mali i Zi me 427 pikë, Shqipëria me 405, Maqedonia me 352 dhe Kosova me 347. Mesatarja e vendeve të OECD është 493 pikë.

Ndërkohë kur është fjala me përqindjen e nxënësve me performancën më të ulët në shkencë, pra nën nivelin 2 nga 6 sa ka vlerësimi PISA, Kosova prin me 67.7 përqind të nxënësve nën këtë nivel, pastaj Maqedonia me 62.9 përqind, pastaj Mali i Zi me 51 përqind dhe Shqipëria, e cila ka më pak se gjysmën e nxënësve në këtë nivel, pra 41 përqind. Mesatarja e vendeve të OECD është 21.2 përqind.

Burimi: PISA
Burimi: PISA

Përqindja e nxënësve me performancën më të ulët në matematikë e zë Kosovën në rekordet e saj me 77 përqind, e pasuar nga Maqedonia me 70.2 përqind, pastaj nga Shqipëria që del të ketë diçka më shumë se gjysmën e nxënësve në këtë nivel me 53.3 përqind dhe Mali i Zi po ashtu me më shumë se gjysmën me 51.9 përqind. Ndërkohë mesatarja e vendeve të OECD me nxënësit me performancë të dobët është 22.9 përqind.

Burimi: PISA
Burimi: PISA

Për sa i përket performancës së ulët në lexim Kosova prap prinë me nxënësit më të dobët në 76.9 përqind, e pasuar nga Maqedonia me 70.7 përqind, Shqipëria me 50.3 përqind, Mali i zi me më pak se gjysmën në 41.9 përqind. Ndërkohë që mesatarja e nxënësve me performancë të dobët në lexim e vendeve të OECD është 20 përqind.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami me rastin e publikimit të këtyre rezultateve më 6 dhjetor tha se “nuk ka vend për shok terapi në Kosovë”.