Foto: Kuvendi i Kosovës

Kosova në 2019: Pyetja e Kissinger-it që pret përgjigje

Me pak gjëra të zgjidhura në vitin 2018 dhe shumë të tjera të trashëguara, Kosova do të jetë e mbingarkuar me paqartësi gjatë këtij viti, përderisa momentumi për gjetjen e një zgjidhjeje politike me Serbinë po shtohet dita- ditës.

Pyetja e famshme e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Henry Kissinger: “Nëse dua të flas me Europën, kë duhet ta telefonoj?” ka gjetur mjaft mirë aplikim në Kosovë gjatë vitit 2018.

Me Presidentin Hashim Thaçi që avokon për një “korrigjim të kufijve” me Serbinë në kuadër të një përpjekjeje për ta gjetur të shumëkërkuarën marrëveshje me armikun verior, Serbinë, dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj që e kundërshton ashpër këtë ide, diplomatët e huaj mund të kenë pyetur se cilin nga dy politikanët aktualisht më të pushtetshëm në Kosovë duhet ta thërrasin për të kërkuar zgjidhjen.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se Presidenti Hashim Thaçi e ka personalizuar përfaqësimin e Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian gjatë viteve të fundit, me mbështetjen e BE-së dhe disa faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Sipas tij, deri tani ata e kanë gjetur më të përshtatshme që ta kenë një adresë të vetme politike “për ta thirrur” në Kosovë.

Por monopoli i Thaçit rrett bisedimeve me Serbinë mund edhe të mos zgjasë shumë. Në dhjetor, Kuvendi i Kosovës votoi formimin e një delegacioni për dialogun të bashkëkryesuar nga lideri i partisë kuazi-opozitare social-demokrate, Shpend Ahmeti, dhe zëvendës kryeministri Fatmir Limaj.

Ekipi negociator i Kosoves foto KALLXO.com

Kjo i la dy partitë më të mëdha opozitare në vend, LDK-në dhe Vetëvendosjen, jashtë procesit.

Muhaxhiri thotë se përfshirja këtij ekipi në negociata nënkupton se Thaçi nuk do ta ketë më monopolin e përfaqësimit të Kosovës në dialog.

“Afrimi te faza finale e dialogut e obligon Kosovën që ta ketë një ekip më të gjerë sepse formati i bisedimeve tani po ndryshon”, thotë Muhaxhiri.

“Kosovës tani i duhet ekspertizë, definim dhe detajizim i pozicionimeve, negocim i interesave dhe arritje e pajtueshmërisë për shumë tema komplekse”, shpjegon ai..

Muhaxhiri thotë gjithashtu se zbatimi i çdo marrëveshjeje të arritur e obligon Presidentin Thaçi dhe aleatët ndërkombëtarë të Kosovës që të kërkojnë partneritet më kreativ me opozitën dhe me komunitetet pakicë.

Zgjidhja është jashtë duarve të Thaçit

Brenda Kosovës ekziston një perceptim në rritje që, qysh nga koha kur vendi nisi dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE në vitin 2011, së pari në çështje të natyrës teknike, gjërat vetëm sa janë përkeqësuar.

Analisti politik Artan Muhaxhiri thotë se në vitin 2018, dialogu ishte përshkuar me inercion burokratik përmes “takimeve të padobishme dhe jotransparente” dhe me një dozë të madhe antagonizmi ndërmjet tre aktorëve kryesorë: Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi

Ai gjithashtu ishte përshkuar me veprime të marra në dëm të Kosovës, kur është fjala për rrugën europiane.

Por Muhaxhiri thotë se gjërat po ndryshojnë , pasi që Kosova po kërkon të merret me seriozisht nga ana e BE-së, dhe përderisa Shtetet e Bashkuara kërkojnë një rol më të madh në fazën finale të dialogut.

“Ky tren është tronditur në mënyrë thelbësore nga dy ngjarje të dy muajve të fundit: vendimi i qeverisë për të vendosur taksën prej 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe letrës nga Presidenti (i SHBA-ve) Donald Trump për presidentët Thaçi e Vuçiq”, përkujton Muhaxhiri.

“Prej tash, rrjedha e dialogut domosdoshmërisht do të ndryshojë – do të ketë dinamikë shumë më të fokusuar, të strukturuar në tema konkrete dhe të afatizuar në kohë, përfshirje më intensive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe fuqive tjera globale. Do të shtohen presionet publike, politike dhe profesionale”, shton Artan Muhaxhiri.

Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008 por Serbia është shprehur se nuk do ta kurrë atë.

Dy vendet kanë qenë të përfshira në dialog që nga viti 2011 në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje përfundimtare e cila do t’u bënte të mundur të dyja palëve që të bashkohen në klubin europian.

Sado që procesi është ndërprerë muajt e fundit, Artan Muhaxhiri pret më shumë lëvizje drejt një zgjidhjeje në pjesën e parë të vitit 2019.

“Të gjitha indikacionet gjeopolitike dhe gjeostrategjike çojnë drejt finalizimit të dialogut në pranverë të vitit 2019”, thotë ai.

Gazetari kosovar Agron Halitaj thotë se përplasjet e shpeshta në publik mes Thaçit e Haradinajt bënë jehonë në media por jo në shkallën sa për ta dëmtuar më shumë kredibilitetin e vendit.

“Është e kuptueshme që dallimet ekzistojnë në politikë mes aktorëve me ndikim kur bëhet fjalë për çështje madhore siç është ajo e kufijve shtetërorë”, thotë Halitaj.

“Qëndrimet e kundërta janë të shëndetshme për një demokraci sepse ato ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme ndërmjet palëve të ndryshme”, tha Halitaj për BIRN.

Me formimin e ekipit të ri negociator, Halitaj pret që tensionet mes dy liderëve të zbuten gjatë vitit 2019.

“Ne mund të presim ta shohim Haradinajt duke lëvizur nga qëndrimi i tij (i kundërshtimit total të ndryshimit të kufijve”, tha ai.

“Ai do të nxirret nga situata duke u thirrur në platformat që do të dalin nga Ekipi shtetëror i dialogut, njësoj siç është nxjerrë kur ka pranuar Marrëveshjen për demarkacionit me Malin e Zi (të cilën e kishte kundërshtuar më herët”, tha ai.

Por Halitaj tha se si Thaçi ashtu edhe Haradinaj duhet ta kuptojnë se një zgjidhje përfundimtare “nuk është në duart e tyre”.

“Kosova është pjesë e sferës së interesave gjeopolitike të Amerikës kështu që korniza e çdo marrëveshjeje me Serbinë pritet që të ndërtohet nga SHBA”, tha ai.

“BE-ja e ka dëshmuar se nuk është në gjendje të arrijë marrëveshje mes palëve”, tha Halitaj.

Por ndryshimi i kufijve nuk duket opsion i pëlqyeshëm në Kosovë. Një hulumtim të bërë në shtator të vitit 2018, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tregoi se më shumë se 77 përqind e të anketuarve kundërshtuan këtë ide.

Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, vlerëson se edhe pse ndryshimi i kufijve nuk është opsion i pëlqyeshëm për shumë njerëz, Thaçi edhe më tej e favorizon atë. “Thaçi nuk është tërhequr nga kjo ide dhe do të vazhdojë për ta shtyrë atë përpara”, tha ajo për BIRN.

“Duke konsideruar se edhe procesi i fazës finale të dialogut është duke u zhvilluar në mungesë të plotë të transparencës atëherë është vështirë të dihet nëse kjo çështje do të mund të ketë të ardhme, përfshirë këtu dhe mungesën e informacionit lidhur me atë se sa kanë ecur përpara negociatat në mes dy Presidentëve”, thotë Krasniqi.

Së pari marrëveshja me Serbinë apo zgjedhjet?

Përderisa Kosova po hyn në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë, Kuvendi, në ndërkohë, është duke pasur telashe madje edhe në funksionim.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa Foto: Haki Abazi FB

Mospajtimet ndërmjet koalicionit qeveritar dhe opozitës kanë bërë që shumë seanca të dështojnë në mungesë kuorumi gjatë vitit të kaluar.

Të dy palët ndajnë pothuajse forca të njëjta gjë që ia bën të mundur opozitës që shumë lehtë t’i pengojë iniciativat parlamentare.

Jeta Krasniqi pret që bllokadat do të vazhdojnë edhe në vitin 2019.

Kjo për shkak se qeveria në mënyrë të dukshme e ka humbur mbështetjen e partisë kryesore të serbëve, Listës Serbe, e cila de facto e ka braktisur përfaqësimin në institucione që nga koha kur qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 përqind ndaj mallrave nga Serbia.

Partitë opozitare nuk kanë numrin e nevojshme të votave për ta dërguar vendin në zgjedhje por kanë fuqinë për të pamundësuar mbajtjen e seancave me mos bërjen e kuorumit të nevojshëm në Kuvend. Veprime të cilat I kemi parë gjatë gjithë vitit 2018, veprime që padyshim do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2019”, thotë Jeta Krasniqi.

“Gjithsesi duke konsideruar që ka mungesë të konsensusit të gjerë politik lidhur me procesin e dialogut dhe marrëveshjen eventuale që mund të arrihet në mes palëve, zgjedhjet në 2019 mbeten një opsion i mundshëm”, shton ajo.

Por Artan Muhaxhiri sheh se nuk ekziston “as fuqi dhe as vullnet politik” për zgjedhje të reja para se të finalizohet një marrëveshje me Serbinë.

“Mundësia e vetme për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe nxitjen e një procesi të ri zgjedhor do të ishte krijimi i një koalicioni parazgjedhor mes partive të mëdha, me të cilin do të ofroheshin garanci maksimale për themelim të shpejtë të qeverisë pas zgjedhjeve, si dhe dakordim të plotë me dialogun dhe projektet gjeostrategjike rajonale.  Pa këto garanci, objektivisht s’mund të ketë zgjedhje”, thotë Muhaxhiri.

Por Muhaxhiri thotë se zgjedhjet do të bëhen të pashmangshme menjëherë pasi të arrihet një marrëveshje me Serbinë.

“Pas përfundimit të dialogut dhe arritjes së Marrëveshjes Finale, zgjedhjet në Kosovë do të jenë të pashmangshme. Do të duhet legjitimim politik nga populli për strukturën qeveritare e cila do të udhëheqë me Kosovën në periudhën pas çlirimit nga prangat e shtetësisë së kontestuar”, thotë Muhaxhiri.