Termocentralet e KEK-ut. Foto kortezi: Yll Vuçiterna

Kosova e varur nga qymyri, ëndërron energjinë e gjelbër

Ndërsa qeveria e Kosovës vazhdon përpara me një plan për të ndërtuar një termocentral të ri me qymyr, përkrahësit e energjisë së gjelbër thonë se burimet e rinovueshme kanë potencial të madh, pavarësisht nga sfidat.

 

Ndërtimi i njoftuar i një parku eolik me një vlerë për 170 milionë eurosh në Kosovë ka nxitur debatin mbi potencialin e energjisë së rinovueshme në një vend me nivel të lartë ndotje të ajrit dhe që mbështetet shumë te qymyri.

Por ndërkohë që ekspertët thonë se potenciali ekziston, sfidat janë të konsiderueshme, jo më pak nga një qeveri e angazhuar në ndërtimin e një centrali të ri me qymyr.

Prishtina është rregullisht në mesin e qyteteve më të ndotura në botë, ajri që banorët e saj thithin është i mbushur me grimca nga dy termocentrale me qymyr që ndodhen aty pranë, tymrat e makinave dhe tymi që del nga sobat me dru të shtëpive.

Përkrahësit e energjisë së gjelbër thonë se nuk ka pse të jetë kështu.

“Kosova ka potencial solar shumë të mirë, i cili mund të zvogëlojë ndjeshëm kërkesën për energji, sidomos gjatë verës dhe gjatë ditës, duke lehtësuar kërkesën dhe ngarkesën,” tha Besfort Kosova, studiues në Fondacionin Balkan Green në Prishtinë, i cili promovon zhvillimin e qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Kosovës, konsumi maksimal i energjisë në dimër në Kosovë është 1,200 megavat, ndërsa mesatarja gjatë vitit është 900 megavat.

Lulzim Syla, partneri drejtues i Elen, e cila punon në fushën e energjisë së rinovueshme, tha se vetëm energjia diellore do të mund të plotësonte më shumë se gjysmën e konsumit mesatar të Kosovës.

“Bazuar në analizën e bërë nga disa kompani ndërkombëtare, institucione të besueshme dhe institucione të tilla si Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Ripërtëritshme, Kosova ka rreth 500 megavat potencial në energjinë diellore, rreth 300 megavat në energji të erës, më shumë sesa 150 megavat nga hidrocentralet dhe më shumë se 50 megavat nga biomasa,” tha Syla për BIRN. Përdorimi i tarracave të bizneseve mund të prodhojë akoma më shumë energji diellore, tha ai.

Era dhe uji

Edhe pse Kosova është klasifikuar si një vend me shpejtësi të ulët ere, Kosova tha se teknologjia e re nënkuptonte se edhe fuqia e erës ka gjithashtu potencial.

“Po zhvillohen vendet kryesore dhe më të mira,” tha ai për BIRN.

“Sipas Autoritetit Rregullator të Energjisë Elektrike, Kosova ka rreth 370 megavat fuqi të kapaciteteve të instaluara dhe tani rreth 34 megavat janë funksionale. Era është një burim i mirë i energjisë, edhe pse për shkak të terrenit vetëm disa vende janë më të përshtatshme për zhvillimin e këtij sektori.”

Më 5 shkurt qeveria miratoi dhënien e statusit të investitorit strategjik për kompaninë kosovaro-gjermane SOWI Kosova, e cila planifikon të investojë rreth 170 milionë euro në ndërtimin e një parku eolik me kapacitet prej 105 megavatesh gjatë pesë viteve të ardhshme në Bajgorë, pranë qytetit verior të Mitrovicës në Kosovë.

Megjithatë, burimi tradicional i energjisë së rinovueshme të vendit  është hidrocentrali, por shumë vende të mundshme janë pjesë e rezervave dhe parqeve natyrore dhe përdorimi i fuqisë së lumenjve mund të shkaktojë “shumë probleme”, tha Kosova, “sidomos me lumenjtë që zhduken në tuba dhe komunitete të tëra që mbeten pa ujë për bujqësi dhe përdorime të tjera.”

Studime të vjetra shtetërore kanë identifikuar 77 vende të mundshme për prodhimin e hidrocentraleve. Liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës është burimi i 35 megavateve dhe i ujit për të ftohur termocentralet me qymyr. Lumbardhi, Dikanci, Radavci dhe Burimi/Istogu janë hidrocentrale më të vogla.

Roli i qymyrit

 

Por Kosova tha se në nivelet aktuale të konsumit, Kosova do të luftojë që të jetë 100 për qind e varur nga burimet e ripërtëritshme të energjisë elektrike.

“Kosova ende duhet të ketë një ngarkesë bazë që vjen nga qymyri,” tha ai për BIRN.

Termocentralet Kosova A dhe Kosova B prodhojnë 850 megavat fuqi, por janë të vjetër, joefikas dhe ndotës të mëdhenj të ajrit.

Në dhjetor, Prishtina kryesonte renditjen globale të indeksit të cilësisë së ajrit si qyteti më i ndotur në botë për shkak të ekspozimit ndaj niveleve të rrezikshme të grimcave.

Qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë, megjithatë, kanë nxitur ndërtimin e një centrali të ri me qymyr.

Aktualisht, shteti ka një kontratë prej 1.3 miliardë eurosh me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e një plani kapaciteti prej 500 megavatësh të quajtur “Kosova e Re”. Banka Botërore fillimisht ishte e përfshirë në projekt, por në tetor 2018, presidenti i bankës Jim Yong Kim tha se nuk mund të mbështeste më ndërtimin e një impianti tjetër qymyri në Kosovë.

Qeveria e Kosovës nuk kthehet pas, duke thënë se Contour Global po shqyrtonte opsionet alternative të financimit.

Menaxheri i projektit Contour Global, Bernhard Haider, tha muajin e kaluar se një vendim do të merrej në shkurt në lidhje me kush do ta ndërtonte impiantin dhe se puna do të fillonte së shpejti.

Projekti është përballur me rezistencë të ashpër nga shoqëria civile dhe aktivistët për mbrojtjen e mjedisit.

Fondacioni Balkan Green i Kosovës tha se “Kosova e Re” do të çonte në një rritje të çmimeve të energjisë për konsumatorët me mbi 50 për qind.

“Ky projekt do të falimentojë ekonomikisht Kosovën, do të çaktivizojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike dhe do të jetë një goditje kritike ndaj mjedisit, shëndetit dhe të drejtave të njeriut,” tha Fondacioni më 7 shkurt.

Balancimi i energjisë elektrike

Protesta e grave të Hades | Foto: Atdhe Mulla

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut i Kosovës, KOSTT, tha për BIRN se ishte gati për të akomoduar burimet e ripërtëritshme të energjisë në rrjetin e transmisionit.

Operatori tha se aktualisht kishte kapacitet për 270 megavatësh nga burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe se po konsultohej me organet ndërkombëtare për një studim të mundshëm “për të ditur se çfarë kapaciteti është kufiri maksimal për përfshirjen e BRE (burimeve të ripërtëritshme të energjisë) në sistemin e transmetimit kështu që nuk ka probleme ekuilibruese në sistemin energjetik.”

Bilanci i energjisë do të thotë ekuilibri midis energjisë elektrike që mertret nga rrjeti dhe i energjisë së konsumuar ose të kërkuar nga tregu, tha Syla.

Ndërkohë duke mbështetur integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, KOSTT vuri në dukje “kufizimet teknike lidhur me ekuilibrimin e sistemit në kohë reale, duke qenë se Kosova nuk posedon një njësi elastike të energjisë së hidrocentraleve ose termike.”

Syla tha se “sfida kryesore” mbetej bilanci i energjisë i parashikuar nga KOSTT.

I pyetur për burimet e ripërtëritshme të energjisë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë së Kosovës, ZRRE, tha se tregu i energjisë ishte një treg i hapur dhe se nuk kishte pengesa rregullatore.

Megjithatë, Kosova tha se ndërkohë që kuadri ligjor për energjinë e rinovueshme ishte i mirë, vënia në zbatim “është një tjetër çështje”.  Përgjigja për këtë do të ishte ngritja e një zyre multifunksionale, tha ai.

“Problemi kryesisht janë pengesat administrative dhe burokracia, të cilat teorikisht mund të bëhen më të lehta me krijimin e një zyre multifunksionale ku investitorët do të merrnin të gjitha licencat dhe lejet e nevojshme në një vend.”