Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Kosova dhe rënia e Perëndimit: 1999-2019

Intervenimi i NATO-s në Kosovë ishte një akt me rëndësi simbolike për ‘narrativin e suksesit’ të Perëndimit. 20 vjet më vonë, Kosova ende pret që fuqia transformuese e Perëndimit ta kuptojë një gjë të tillë.

 

Më 24 mars 1999 NATO nisi Operacionin e Forcave Aleate, një fushatë gati tre mujore ushtarake kundër ish-Jugosllavisë për të ndaluar persekutimin e shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit. Ndërkohë që intervenimi ishte (çuditërisht) i mirëpritur nga komuniteti shqiptar i Kosovës, i njëjti ndezi një debat global përçarës; shumica e lavdëruan atë si një “intervenim humanitar”, ndërkohë që të tjerët e kritikuan atë si një veprim të paligjshëm të ‘neo-imperializmit’. Në këtë mënyrë, nocioni Kosovë u përhap nga periferia në qendër të debatit politik ndërkombëtar për ligjin, sovranitetin dhe të drejtat e njeriut.

Njëzet vjet më vonë, shumëçka ka ndryshuar, si brenda e po ashtu edhe jashtë Kosovës. Përderisa rëndësia e Kosovës si një çështje e sigurisë ndërkombëtare është minimizuar, intervenimi dhe pasojat e tij mbesin një moment kyç i marrëdhënieve ndërkombëtare të pasluftës së Ftohtë. Më gjerësisht, fati i Kosovës që nga viti 1999 ilustron rritjen dhe rënien e fuqisë perëndimore.

Rëndësia simbolike e Kosovës

Duke pasur parasysh dekadën e persekutimit, e frymëzuar nga Millosheviqi, që parapriu nisjen e fushatës ushtarake të NATO-s në vitin 1999, mbështetja e komunitetit shqiptar në favor të intervenimit nuk ishte ndonjë befasi. Megjithatë, do të ishte naivitet të imagjinojmë se Perëndimi veproi thjesht sepse ishte i shqetësuar për gjendjen e vështirë në të cilën gjendeshin shqiptarët. Për aq kohë sa Kosova mbart një rëndësi historike për serbët dhe shqiptarët njëkohësisht, rëndësia e saj në rrafshin ndërkombëtar ka qenë kryesisht e papërfillshme. Në mungesë të resurseve natyrore, rëndësisë së madhe gjeopolitike, apo qendrave të rëndësishme tregtare, Kosova vështirë se ishte një pasuri që lakmohej nga fuqitë e jashtme. Por rëndësia e Kosovës në raport me Perëndimin ka qenë gjithmonë shumë pak e ndërlidhur me Kosovën.

Arsyetimi për intervenimin lidhet kryesisht me rëndësinë simbolike të Kosovës. Derisa fundi i Luftës së Ftohtë frymëzonte shumë optimizëm për aftësinë e Perëndimit që të sigurojë të drejtat e njeriut dhe demokracinë për të gjithë, shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, intervenimi i dështuar në Somali në vitin 1992 dhe gjenocidi në Ruandë në vitin 1994, veçsa e kishte larguar edhe më shumë besimin e fituar më herët. Duke e lejuar Millosheviqin që të vazhdojë tiraninë e tij në Kosovë do ta  degradonte edhe më tej besimin në raport me Perëndimin.

Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, shumë njerëz të cilët në mënyrë të natyrshme e vunë në dyshim dobinë e NATO-s, marrë parasysh qëllimin e saj fillestar, për mbrojtje kundër pushtimit sovjetik, nuk e kishin të njëjtin dyshim edhe më tutje. Intervenimi në Kosovë, megjithatë, e rigjallëroi organizatën dhe Perëndimin; Operacioni i Forcave Aleate  demonstroi se mandati i vjetër i NATO-s – mbrojtja kolektive në përgjigje të agresionit sovjetik – ishte zëvendësuar me një angazhim të ri që kishte të bënte me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përhapjen e demokracisë liberale. Siç e kishte cekur gjenerali Wesley Clark, ish komandanti suprem i Aleancës së NATO-s, “… ky nuk ishte një konflikt që kishte të bënte drejtpërdrejt me Kosovën. Në fund të fundit, nuk ishte as konflikt që kishte të bënte me spastrimin etnik. Ishte një betejë për të ardhmen e NATO-s, për besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara si një forcë në çështjet botërore “.

Për këtë qëllim intervenimi në Kosovë ka funksionuar, të paktën në fillim. Numri i vendeve anëtare në NATO u rrit nga 16 sa ishin në fillim të vitit 1999 në 26 deri në fund të vitit 2004. Gjithashtu, intervenimi në Kosovë u mirëprit ngrohtësisht nga shumë organizata të të drejtave të njeriut të cilët e shpallën këtë akt të intervenimit si agimin e një epoke të re të zbatimit të të drejtave të njeriut, udhëhequr nga Perëndimi.

Atëherë, çfarë?

Për shqiptarët në Kosovë, motivet e intervenimit ishin sigurisht të një rëndësie dytësore; Ndërhyrja e NATO-s siguroi që ekzistenca e tyre nuk ishte më në rrezik. Megjithatë, në njëzet vitet e fundit, pasojat negative të rëndësisë reale të Kosovës ndaj Perëndimit – një simbol i fuqisë së saj – janë bërë më të dukshme.

Foto: Kallxo.com

Ashtu si vetë intervenimi, projekti i shtetndërtimit i nisur në Kosovë nga qershori 1999 –projekti më ambicioz i ndërmarrë ndonjëherë – u projektua kryesisht për të nxjerrë në pah fuqinë e ‘ndërkombëtarëve’ që morën kontroll të plotë. Kosova duhej të ishte një sukses që mund të mbahej si simbol i dashamirësisë dhe pushtetit Perëndimor. Ironikisht, kjo, në praktikë nënkuptonte, që Kosova u bë shumë e rëndësishme për t’ia lënë atë popullit të Kosovës.

Kjo çoi në një mikro-menaxhim nga akterët e papërgjegjshëm ndërkombëtarë që ushtronin pushtet suprem, si zyrtarisht përmes organizatave ndërkombëtare – UNMIK-ut, Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe EULEX-it – dhe joformalisht përmes presionit të aplikuar nga ambasadat e huaja në Prishtinë. Kjo gjithashtu do të thoshte se ruajtja e ‘rendit’ u bë qëllimi mbizotërues. Dhuna e ripërtërirë natyrisht se do të rrezikonte narracionin e ‘suksesit’ që po hartohet. Për këtë qëllim, aktivitetet e elitës kriminale që dolën në pah në Kosovë pas intervenimit të NATO-s u toleruan, për aq kohë sa ata ranë dakord për të parandaluar dhunën brenda Kosovës dhe rajonit përreth.

Dëshmia e shtrirjes në të cilën mirëqenia dhe, në fakt të drejtat e popullit të Kosovës, ka qenë dytësore në raport me qëllimin primar të Kosovës, duke shërbyer si shembull që “nevojat e planetit” mund të gjenden në mënyra të ndryshme që akterët ndërkombëtarë e detyruan Kosovën ti përkulet interesave të agjendave të tyre dhe qëllimeve të mëdha gjeopolitike. Këto variojnë nga marrëveshja e vitit 2013 me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, themelimin e Dhomave të Specializuara në vitin 2015, marrëveshja kufitare me Malin e Zi në vitin 2018 dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në zgjedhjet dhe emërimet presidenciale.

Vlera e vërtetë e Kosovës është, natyrisht, gjithashtu e dukshme, bazuar në faktin se popullit të Kosovës akoma i refuzohet udhëtimi pa viza në zonën Shengen si dhe me mbështetjen e kohëve të fundit nga shtetet kyçe perëndimore për rivizatimin e kufijve të Kosovës.

Perëndimi sot

Kosova fillimisht ishte një ilaç ndaj dështimeve në viteve 1990, të cilat minuan besimin në angazhimin dhe – aftësinë e Perëndimit – për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut. Përveç kësaj, duke pasur parasysh intervenimin, pavarësisht kundërshtimeve të zhurmshme nga Rusia dhe Kina, duket sikur e ilustronte fuqinë e pabarabartë që përdorte Perëndimi. Kjo ndjenjë e supremacisë nuk është pjesë e saj edhe më tutje.

Kosova i inkurajoi ata që kërkonin zgjerimin e sferës së ndikimit perëndimor; për “riorganizimin e botës” siç deklaroi Toni Blair. Besimi i ashpër dhe i gabuar në fuqinë e pafund të Perëndimit i inkurajuar nga rasti i Kosovës ishte një faktor kontribuues në intervenimet e mëvonshme në Afganistan në vitin 2001 dhe në Irak në vitin 2003.

Efekti i të dyjave ishte që, në fund të fundit, të rrënonte rënien e vazhdueshme të Perëndimit. Kriza financiare e vitit 2008, e shoqëruar me rritjen e fuqive globale rivale që kërkonin të kundërshtonin atë që ata e shihnin si një projekt ekspansionist të Perëndimit, e pakësonin më tej pushtetin perëndimor. Si rezultat, ne tani jetojmë në një botë shumë më ndryshe nga ajo e vitit 1999; pak njerëz mund të kishin imagjinuar se menjëherë pas Operacionit të Forcave, në mënyrë të efektshme, Rusia do ta mposhtte Perëndimin gjatë luftës civile në Siri e cila nisi në vitin 2012, ose që populizmi brenda Perëndimit do të rrezikonte vetë ekzistencën e BE-së dhe do ta vendoste Donald Trumpin në presidencën e SHBA.

Në vitin 2019, në shumë mënyra, Kosova ilustron rënien e Perëndimit. Ndërkohë që liderët politikë perëndimorë vazhdojnë ta shesin derë më derë narracionin se “Kosova ishte një sukses”, ai që e shikon nga afër do ta kuptojë se Kosova nuk është një shembull frymëzues i ndikimit transformues të fuqive perëndimore. Ndarjet etnike janë prezente akoma; korrupsioni është shumë i përhapur; shkalla e papunësisë dhe emigracionit është shumë e lartë; sistemi i arsimit dhe kujdesit shëndetësor është i pamjaftueshëm; ndotja e mjedisit është një rrezik i madh shëndetësor; dhe statusi i Kosovës si shtet i pavarur mbetet i pazgjidhur.

Disa e mirëpritën intervenimin në Kosovë dhe gjithçka që ajo simbolizohej si një “valë e së ardhmes”. Në shumë mënyra, kjo ka dalë të jetë e vërtetë, megjithëse jo për arsyet e imagjinuara atëbotë.

 

Dr. Aidan Hehir është Profesor i Asociuar në marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Westminster (UK). Ai jep mësim në Shkollën Verore të RIT, dhe interesat e tij kërkimore përfshijnë shtetndërtimin dhe ligjet që rregullojnë përdorimin e forcës.

 

Mendimet e shprehura në seksionin e opinionit janë vetëm ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it.